Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë

Në fund të shekullit XIX dilnin mbi 40 revista dhe gazeta në gjuhën shqipe, numër që u dyfishua në periudhën në mes dy Luftërave Botërore. Megjithëse autori ka bërë një punë kërkimore shumë të madhe, kjo nuk është e tëra kur marrim parasysh faktin se këtu janë përmbledhur vetëm ata shkrimtarë e ato vepra e shkrime ku autorët kanë përdorur pseudonime dhe jo i gjithë opusi krijues i letrarëve, i veprave dhe i shkrimeve që janë botuar pa pseudonime, numër i cili do të ishte më i madh. Megjithate, besoj se, për arsye objektive, kanë mbetur edhe mjaft revista dhe gazeta që autori nuk ka mundur t'i shfrytëzojë, ose pseudonime që autori nuk ka mundur t'i zbërthejë apo ta gjejë autorësinë, përndryshe numri i gjithë shkrimtarëve dhe publicistëve do të ishte edhe shumë më i madh që flet për një potencial dhe prirje krijuese të veçantë të shqiptarëve.
Pse konspirativ?/Pseudonimet si shprehje konspirative kanë teorinë e vet që e shtjellon historinë e përdorimit, po edhe modalitetet, motivimet, burimet, sasinë, cilësinë dhe pseudonimomaninë e krijimit dhe të përdorimit të tyre. Prandaj, në pseudonimet nuk duhet të shohim vetëm anën e tyre formale si shprehje eksplicite të konspiracionit, por edhe ate që del në formë implicite sidomos për motivimet politike që e shtyjnë autorin të jetë konspirativ e të përdorë pseudonimin jo vetëm për të mos e mbyllur në vete ate që ndjen e që mendon, por edhe që një dukuri devijante e paradoksale, antikombëtare e pseudokombëtare, jomorale e joetike, joshoqërore e johumane, që ate ta denigrojë dhe ta deklasojë në mënyrë që të ndikojë në vetëdijen e njeriut tonë që të mund ta dallojë ate që është nga ajo që s'është e pranueshme, ate që duhet nga ajo që s'duhet, ate që është pozitive nga ajo që është negative, ate që është në interes kombëtar nga ajo që është vetëm në interes personal. Këto çështje antonimike, shkrimtari apo publicisti i dallon dhe i qartëson sa duhet e si duhet edhe pse, për të gjitha këto, mund të marrë përgjegjësi morale, materiale e sidomos politike nëse paraqitet me emër e mbiemër të vërtetë. Prandaj ai është i detyruar të përdorë një emër të trilluar e të rrejshëm për të mos u identifikur si person që është shprehur në atë mënyrë. Kjo ka të bëjë më tepër me shkrimtarë e publicistë që veprojnë brenda rrethit veprues të pushtetmbajtësve ku vepron ligji dhe e sanksionon fjalën antonimike të shkruar duke e konsideruar ate si rrezik për rendin shoqëror edhe kur ajo është një e vërtetë e madhe e pamohueshme dhe e pakontestueshme për realitetin objektiv, por jo edhe për realitetin subjektiv pushtetmbajtës. Kjo ka qenë dukuri për shumë shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare që kanë vepruar brenda territorit të kësaj Perandorie dhe jo edhe për ata jashtë këtij territori . Shembull më eklatant për këtë e kemi atë në mes Çajupit dhe Naim Frashërit. Çajupi e kish botuar artikullin studimor Për alfabetnë në gazetën Shqipëria të Bukureshtit në gusht-nëntor 1898 ku ishte shprehur pa rezerva kundër pushtetit turk, ashtu siç nuk mund të shprehej një shkrimtar që jetonte brenda perandorisë. Kur Çajupi po më 1898 shkon të Stamboll dhe nga anija e lajmëron Naimin se do të takohet me te, ai i përgjigjet që të mos dalë nga anija se do të vijë vetë atje për ta takuar pse ekzistonte rrezikut se mund ta arrestonin po të shkilte në tokë për shkak të artikullit që kish botuar kohë më parë në Shqipëria. Autori në hyrje të kësaj monografie ndalet në modalitetet dhe në motivimet e këtij fenomeni, ndërsa gjatë parashtrimit të këtij materiali apo gjatë praktikës së pseudonimologjisë shqiptare, mund të vërehen dukuri tjera si ajo e historisë, cilësisë, sasisë, burimeve, mënyrës së krijimit, e kuptimësisë logjike dhe e pseudonimomanisë. Modaliteti i pseudonimeve shqiptare është gati tipik me shumë të tjerë, siç është anagrami, por edhe autentik si emrat e maleve, të lumenjve, të vendlindjes, familjarësh, të mjeshtrisë së autorit, emra personazhesh artistikë, tituj fetarë, emra melodiozë, ashtu siç ka edhe emra fantastikë, të pakuptimtë dhe iniciale.
Ismet Toto me 60 pseudonime/Motivimet, që e shtyjnë shkrimtarin apo publicistin të përdorë pseudonime, po ashtu janë nga më të ndryshmet dhe autori dallon ato : psikologjike, të modës, të frikës, nga modestia, të atdhedashurisë, të dashurisë dhe të krenarisë. Përmes historisë së pseudonimeve që e shtron në materialin bazë për mbi 500 shkrimtarë dhe publicistë, autori flet në mënyrë indirekte dhe direkte për të gjitha format e modaliteteve dhe të motivimeve të formave tipike dhe autentike në pseudonimologjinë shqiptare. Në monografinë “Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1685-1964” përfshihen vetëm ata shkrimtarë e publicistë brenda kësaj periudhe kohore që kanë shkruar me pseudonime dhe jashta kësaj, natyrisht, se kanë mbetur shumë të tjerë që nuk kanë pasur pseudonime si Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kavaljoti, Bogomilli, Berati, Variboba, Keta, Darajt, një numër shumë i madh i shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore e mos flasim për numrin e publicistëve bashkëkohorë që është e pamundur edhe të evidentohen megjithëse këtë nuk mund ta konsiderojmë si lëshim pse përkufizimi i temës nuk i ka dhënë autorit një mundësi të tillë dhe do të ishte e padrejtë që kjo të kërkohet. Pra, monografia fillon me vitin 1685, me vitlindjen e Ibrahim Nezimit, autorit të parë që përdor pseudonimin Nezim Frakulla dhe Nezim Berati, dhe përfundon me Xhemail Halilin, 1964, që e ka përdorur pseudonimin Xhemë Karadaku. Brenda kësaj hapësire kohore, parakalojnë mbi 500 emra shkrimtarësh e publicistësh shumë të njohur, të njohur, pak të njohur dhe aspak të njohur, veçanërisht publicistësh, megjithëse është shumë mirë që evidentohen jo vetëm për faktin e një formaliteti, por edhe për faktin se njihemi me një personalitet që ka vepruar dhe me një temë që është inicuar në një kohë të caktuar.
Në shtrirjen e materialit pseudonimologjik, autori ka ndjekur metodën kronologjike që shkrimtarët dhe publicistët t'i prezentojë suksesivisht sipas vitlindjes së tyre, si një tërësi që prezentojnë një segment të kulturës dhe të inteligjencës shqiptare. Këtu kemi shkrimtarë shumë të njohur si N. Veqilharxhi, J. De Rada, A. Santori, Z. Serembe,Th. Mitko, P. Vasa, E. Gjika, N. Frashëri, S. Frashëri, N. Mjeda, Çajupi, Gj. Fishta, Asdreni, M. Grameno, Sh. Gjeçovi, F. Konica, L. Gurakuqi, Mithat Frashëri, A. Xhuvani, F. Noli, A. Asllani, Ll. Gusho, E. Koliqi, N. Bulka, Dh. Pasko, Migjeni, P. Marko, S. Spasse, E. Mekuli, R. Kelmendi, R. Qosja, A. Pashku e tjerë të cilët i prezanton vetëm me veprën ku e kanë përdorur pseudonimin dhe jo me veprat në tërësi. Në këtë kontekst kemi edhe mjaft shkrimtarë të një niveli më të ulët si I. Nezimi, Gj. N. Kazazi, Th. Haxhifilipi, P. Doçi, V. Dodani, F. Shiroka, N. Nikaj, J. Bageri, P. Bardhi, M. Duçi, K. Floqi, M. S. Gurra, H. Mosi e tjerë. Këtu kemi një numër të konsideruar publicistësh të njohur si N. Naço, V. Dodani, Sh. Kolonja, P. N. Luarasi, Gj. Qiriazi, T. Toçi, S. Shuteriqi, M. Sirdari, M. Kruja, S. Nivica, A. Frashëri, B. Merxhani, e tjerë. Këtu kemi edhe një numër të madh publicistësh pak, shumë pak ose aspak të njohur të cilët e kanë mbajtur në shpinën e tyre tërë ate barrë të rëndë të publicistikës shqiptare të fundit të shekullit XIX dhe të dyzet viteve të shekullit XX kur autori e përqëndron më tepër punën e tij hulumtuese pseudonimologjike që gjithsesi i kanë dhënë një kontribut kulturës shqiptare në përgjithësi. Ka publicistë, të kësaj monografie, që na befasojnë me numrin e madh të publikimeve siç janë: N. Panajoti, N. Naçi, N. Dizdari, J. Lili, K. Dako, F. Papajani, Ll. Shanto, S. Shundi, V. Koça, Xh. Kallajxhiu, V. Visoka, E. Myftari, K. Cepa A. Duka, V. Sejko, A. Mavriqi, L. Çekani, T. Dilo, Gj. Bubani. Ka regjistruar pseudonime edhe të albanologëve të huaj si M. Lamberci, apo shkrimtarë bashkëkohorë arbëreshë si G. C. Bugliari, D. Bellici, B. Periqi, G. Jordani, ose arabologë si A. Arnauti. Autori ka bërë një punë të vlefshme që arritur të zbulojë dhe të deshifrojë mjaft pseudonime, madje për disa autorë si Ismet Toto që ka pasur 60 pseudonime, Konica 29,Gjergj Fishta me 26, N. Naçi me 19, M. Xhaxhiu 10, V. Dodani 8 e tjerë, duke ia shënuar në mënyrë taksative secilit pseudonim revistën, gazetën, vitin, numrin, datën.
...