E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni Vodafone Albania, ja fituesit e projektit në ndihmë të nevojtarëve

Fondacioni Vodafone Albania ka shpallur dje fituesit e konkursit “Bota e Ndryshimit”.

Programi "Bota e Ndryshimit" përfaqëson një mundësi unike për individët me pasion që të kontribuojnë me punën e tyre për të arritur rezultate në mbështetje të komuniteteve në nevojë. Programi u mundëson fituesve që të punojnë për një vit pranë një organizate të shoqërisë civile, të zgjedhur prej vetë atyre dhe në krye të këtij viti të kenë lënë gjurmët e tyre duke sjellë një ndryshim me vlerë. Ky program që zhvillohet paralelisht në 22 vende të botës, ku veprojnë fondacionet Vodafone, i drejtohet të gjithë individëve që besojnë se kanë pasionin, entuziazmin, përkushtimi dhe prirjen për të konceptuar dhe bërë të mundur sjelljen e një ndryshimi në përfitim të njerëzve dhe komuniteteve që kanë nevojë.

Fituesit janë Eno Gaçe me mbështetjen e qendrës “Shtëpia e Kuqe”, “Promovimi i shëndetit oral te fëmijët me aftësi të kufizuara mendore ”, projekt që u vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuar mendore në një prej problemeve të mëdha që ata dhe familjet e tyre hasin: kujdesi ndaj shëndetit të dhëmbëve e gojës nëpërmjet realizimit të check up të këtij komuniteti në 3 qytete. Aida Bani, me mbështetjen e Qendrës Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim: “Menaxhim i qëndrueshëm i zonave serpentine në Komunën e Hudënishtit”. Ajo, duke njohur fenomenin e tokave problematike me përqindje të larte nikeli, gjë e cila dëmton prodhimtarinë dhe pjellorinë e tokës dhe cilësinë e produkteve bujqësore, do punojë me zonën rurale për kultivimin e serpentinës për thithjen e këtyre elementeve, për të kthyer tokat në zona pjellore dhe produktive – duke e bërë këtë projekt pilot një shembull për gjithë zonat përreth që gjithashtu janë problematike. Blerina Shalari, me mbështetjen e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, “Të prekësh pentagramin”. Blerina si artiste kërkon të kontribuojë te komuniteti i artistëve mes personave të verbër, duke prodhuar literaturën artistike (repertorin shqiptar) në shkrimin brail, gjë që do t’i shërbejë brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm. Agron Hoxha, me mbështetjen e organizatës “Partnerë për Fëmijë”: “Edukim mbi të drejtat e fëmijëve në rrethin e Kukësit” do punojë fshat më fshat për të luftuar fenomenin e sotëm të braktisjes së shkollës, përfshirë zonat më të thella. Dhe Darian Konomi, me mbështetjen e “Karitasit Shqiptar”: “Diversiteti është një vlerë sociale”, synon që nëpërmjet realizimit të një grupi teatral me pjesëmarrjen edhe të personave me aftësi të kufizuar të promovojë gjithëpërfshirjen dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuar (për t’u zbatuar në 6 qytete). Fituesit pritet që të fillojnë zbatimin e nismave të tyre menjëherë pasi të kenë përfunduar trajnimin përkatës. Programi "Bota e Ndryshimit" u njoftua për herë të parë edhe në Shqipëri më 26 shkurt 2008. Të 16 fituesit e edicioneve të shkuara përgjatë 3 viteve kanë punuar dhe kanë demonstruar përkushtim dhe rezultate cilësore në zbatimin e një larmie iniciativash e nismash sociale, duke filluar nga kujdesi shëndetësor, aktivitete dhe impakte në edukimin dhe gjithëpërfshirjen e komunitetit të aftësisë së kufizuar, fëmijëve në nevojë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›