Tuneli i Elbasanit gati më 2013-ën, Olldashi inspekton punimet
Tuneli i Elbasanit pritet të përfundojë përpara afateve të përcaktuara. Ai do të jetë gati në fillim të 2013-ës. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, inspektoi dje punimet e veprës më të madhe publike që po investon aktualisht qeveria.
“Tuneli do të jetë operues për trafikun brenda vitin 2013, pasi çdo gjë është në përputhje me kalendarin e punimeve dhe me axhendën që kompania ka me Drejtorinë e Rrugëve. Punimet për ndërtimin e Tuneli të Elbasanit kanë avancuar dhe aktualisht kanë përfunduar të gjitha rrugët ndihmese për të arritur deri në pikën e tunelit. Ndërkohë, janë ezauruar metrat e parë të dy galerive në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës dhe se po e njëjta punë po behet nga ana tjetër, në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit”- u shpreh ministri Olldashi. Avancimi i punimeve ka bërë të mundur hapjen e 45 metrave të galerive, në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës, ndërkohë që kanë mbaruar të gjitha punët përgatitore dhe ka filluar sot hapja e galerive të tunelit në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit. Përfundimi i Autostradës Tiranë-Elbasan do të zgjidhë një nga problemet më madhore të sistemit të transportit në vend, si të mallrave, ashtu dhe të pasagjerëve, pasi sjell një shkurtim të ndjeshëm në kohë, distancë dhe kosto të transportit mes kryeqytetit dhe qytetit të tretë në vend. Punimet në tunel po kryhen nga një kompani greke, e cila u shpall fituese në tender, pasi ofroi ta ndërtonte atë me vlerën 8.3 miliardë lekë. Në total rruga e re që do të lidhë Tiranën me Elbasanin pritet të kushtojë 380 milionë euro. Rruga Tiranë - Elbasan do të ketë një gjatësi prej 26km nga 55km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkuar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment. Tre segmentet që do të financohen përfshijnë: segmentin rrugor Nr.1, me gjatësi 13 km, që fillon nga Unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit; segmentin Nr.2, i cili përfshin ndërtimin e dy tuneleve të ndarë dhe me dy drejtime të lëvizjes me gjatësi secila prej 2.1km dhe 2.3km dhe gjatësi mesatare prej 2.2km; dhe segmentin rrugor Nr.3, i cili ka gjatësi 10.8 km, që fillon në daljen e tuneleve në Km 15 + 200 dhe përfundon në km 26 + 000 në hyrje të qytetit të Elbasanit.
Vlera totale e investimit të segmentit është 400 milionë dollarë dhe do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë. Fondit të Abu Dhabi-t i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD. Ndërsa fondit Saudit për Zhvillim, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; fondit OPEC i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit. Projekti për këtë rrugë ka nisur prej më shumë se një viti dhe është kryer nga studio italiane “Bonifika”.