E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fonde ekstra për akademi rajonale shkencore

Mblidhen ministrat rajonalë të Arsimit. Kërkohet bashkimi i studiuesve për kërkime shkencore dhe trajnime

Takimi i ministrave të Arsimit dhe drejtuesve të universiteteve nga i gjithë rajoni rezultoi i suksesshëm dhe frytdhënës. Madje mbledhja e të gjithë ekspertëve të Arsimit në një konferencë në Tiranë, ka vendosur pikat mbi “i” veçanërisht për kërkimin shkencor. Veç Akademisë së Shkencave dhe reformave në kërkimin shkencor që u bënë këto pesë vite në vend, risi të tjera do ta përfshijnë këtë strukturë kaq të rëndësishme.

Madje projektet për të ardhmen do të jenë aq ambicioze dhe gjithëpërfshirëse, sa do të mbajnë “vulën” dhe markën rajonale dhe jo vetëm shqiptare. Për më shumë, nga bashkëpunimi rajonal pritet që të jenë prioritet edhe “latimi” i aftësive të studiuesve të rinj, të cilët duhet të mbështeten, duke lënë xhelozinë mënjanë...

Konferenca

Dje, në konferencën e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, takim i cili u përshëndet edhe nga Kryeministri Berisha, u hodh ideja e krijimit të bërthamave e grupeve shkencore me përfshirje të grupeve rajonale, të cilët duhet të rakordojnë dhe bashkërendojnë në të mirë të kërkimit shkencor.

Sigurimi i kooperimit me kapacitetet njerëzore rajonale nga njëra anë dhe sigurimi i fondeve, duke adaptuar sisteme të njohura në botë nga ana tjetër, do të jenë një fuqi e madhe në dobi të kërkimit shkencor, sigurisht në përputhje me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Europian. Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve, drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të vendit, të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet e vendeve mike e partnere, për të bërë përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.
Në fjalën e hapjes, ministri i Arsimit, Myqerem Tafai, u shpreh se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë prioritet i qeverisë shqiptare, e cila e konsideron investimin për arsimin dhe shkencën si një garanci për zhvillimin e vendit.

“Universitetet e vendeve mike dhe vendeve partnere janë të hapura për bashkëpunim me universitetet tona. është jashtëzakonisht e rëndësishme të përpiqemi për qendra rajonale të kërkimit shkencor. Edhe kjo në interesin më të mirë të përdorimit të burimeve financiare. është shumë e rëndësishme që katedrat e universiteteve tona dhe institutet tona kërkimore të jenë disponibël, me mjetet e tyre, me projektet e tyre, për kërkues nga rajoni. Kjo do të forconte më shpejt fibrën tonë kërkimore shkencore. Kjo do të bënte më të mundur që edhe donatorët, miqtë tanë, të kontribuonin më shumë”, sugjeroi Kryeministri Berisha.

Qendra rajonale

Sipas tij, në të gjitha fushat në rajon, gjen qendra që janë në avangardë. Atëherë është në interesin më të mirë që ato të rrezatojnë jo vetëm në vendet e tyre, por të rrezatojnë në të gjithë rajonin. “është jashtëzakonisht e rëndësishme që qendrat tona kërkimore shkencore të hapen me guxim dhe kurajë nga studiues nga e gjithë bota. Sigurisht që lëvizja është e lirë, por shkencëtarët dhe studiuesit kërkojnë edhe mjetet e punës dhe kushtet. Mundësitë ekzistojnë. Potencialet janë enorme, janë shumë të mëdha. Universitetet e vendeve mike, vendeve partnere janë të hapura për bashkëpunim me universitet tona”, deklaroi Kryeministri. Sipas tij, është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve, drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, të bëjnë çdo gjë, për përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›