MURINJO, AI DO DHE FITON GJITHÇKA
U bë pjesë e fjalorit, në darkat mes miqsh, në përditshmërinë e një vendi që është ndarë në 2 pjesë: mes atyre që besojnë se është një gjeni dhe të tjrëve që mendojnë se është një “hiç”. Tanimë që mund të arrijë atje ku nuk ka mundur asnjë më parë, ta çojë topin e Italisë atje ku askush nuk e ka udhëhequr, ‘tanksi Zhoze’ nuk ka më asnjë vend të përcaktuar, pasi skeptikët po zvogëlohen gjithnjë e më shumë, ndërsa entuziastët rriten pafund. Të gjithë dëshirojnë të shikojnë efektin që të krijon, veçanërisht për këtë javë, i cili është vendimtar për lavdinë e merituar dhe një moment suksesi historik. Sipas rezultatit dhe futbolli duhet të gjejë një vend për Murinjon. Fitoi Kupën e Italisë dhe Kampionatin, ndërsa tani pret triumfin më të madh.
Murinjo nuk ka bërë asnjëherë parashikime, por sërish nuk heziton të flasë. Ai flet për Italinë, botën, futbollin, trajnerët dhe të ardhmen. Antipatik? Mund të jetë. Por pavarësisht kësaj mund të shohësh që, njeriu i cili i frikëson të gjithë mund të jetë edhe i sjellshëm. çështje momenti? Ndoshta.
Zhoze ka mbërritur në kthesën e fundit të sezonit më të rëndësishëm të jetës së tij ‘alla Murinjo’, me topin që rrokulliset në fushë dhe polemikat që rrjedhin nga mikrofonat e medias. Nuk mund të jetë ndryshe, nuk ka alternativë. Sepse ky është ai, ky është Murinjo.
Zotëri, jeni i nervozuar?
Jo, pse duhet të jem?
Për të gjitha ato që ka thënë Ranieri përpara ndeshjes së fundit...
Mendoj dy gjëra. E para që Ranieri ka qenë hipokrit. Më bën komplimente mua dhe Interit para ndeshjes me Romën, pastaj në vigjilje të ndeshjes së kampionatit përsërit ato që ka thënë.
E dyta gjë që mendon?
Ka dashur të thotë atë që ne në Portugali e themi kështu: hidhe rërën në ajër që të tjerët të mos shohin asgjë.
Në Itali thuhet tym në sy...
Pikërisht, e njëjta gjë. Duan të krijojnë atmosferë.
është një mënyrë për t’ju vënë në vështirësi?
Ndoshta po. është e mundur. Por ne jemi të qetë.
Ranieri thotë që është shtypi italian ai i cili ka krijuar fenomenin Murinjo. Sipas jush është më keq shtypi italian apo ai anglez?
Janë të ndryshme. Në Angli sporti është në faqet e fundit të të gjitha gazetave. Nuk ka gazeta të përditshme sportive. është një pasion ekstrem për futbollin, por që zgjat vetëm 90 minuta në javë. Të hënën janë suplementet nga 8-10 faqe për ndeshjet, pastaj në ditët e tjera të javës hapësira është shumë e vogël.
Praktikisht po thoni që në Itali janë më keq.
Jo nuk po them këtë. Janë ndryshe. Po bëj një krahasim: mua më pëlqen të luaj me futbollistë që kanë pasur eksperienca në shumë vende. Për shembull, kur isha te çelsi, Krespo më shpjegoi ndryshimin mes Anglisë dhe Italisë: “Zotëri, kur shënoj këtu në Angli mund ta shikoj golin tim te BBC vetëm pas ndeshjes dhe ndoshta edhe njëherë në një tjetër kanal në darkë. Nëse e humbas transmetimin, rrezikoj të mos e shikoj më. Nëse shënon në Itali e shikon 200 herë gjatë javës, edhe atëherë kur nuk ke dëshirë ta shohësh”.
E kuptoni që po thoni se këtu është më keq?
Po e përsëris që jo. është vetëm rregulli i pyetjes, si i thonë në italisht? Ah po, më duket se... oferta. Në Itali është një kanal që transmeton futboll 24 orë në ditë. Janë shumë emisione dhe gazeta sportive. E gjitha kjo është sepse njerëzit duan të shikojnë futbollin në televizor dhe ta lexojnë në gazetë. Nuk është i tepruar, por ndryshon nga vendet e tjera.
Po ju çfarë bëni, e shikoni futbollin në TV?
Në shtëpi? Po, në kohën e lirë... Sigurisht që kohën e lirë nuk e kaloj duke lexuar libra. Jo se nuk dua, por nuk mundem. Ndërsa për sa i përket futbollit e shoh edhe në shtëpi. Sigurisht për punë. Do të më pëlqente të shikoja kampionatin argjentinas, brazilian dhe portugez, por nuk arrij ta bëj. Nëse është River Plate-Boca Junior, nuk e shikoj, sepse duhet të shikoj të tjera gjëra.
çfarë?
Ndeshjen Atalanta-Bologna.
Mes River-Boca e Atalanta-Bologna do të zgjidhje të dytën?
Nuk është se zgjedh. E shikoj sepse më duhet: me Atalantën dhe Bolonjën duhet të luaj, me dy të tjerat jo. Unë jetoj me futboll.
Dhe si jetohet me futboll?
Shumë bukur. Puna ime është e jashtëzakonshme. është futboll, por edhe më shumë se kaq. Një trajner është si... si i thuhet në italisht? Udhëheqës? Po, një udhëheqës. Duhet t’i bësh gjërat në një mënyrë që ato të funksionojnë në skuadër. Duhet të flasësh me trajnerët dhe drejtuesit, duhet të studiosh kundërshtarët dhe të kuptosh si të fitosh, si t’i motivosh njerëzit, si t’i shtysh përpara. Duhet të mendosh për teknikën, taktikën, por edhe për psikologjinë. Nuk është vetëm fusha dhe dhomat e zhveshjes...
Më mirë fusha apo dhomat e zhveshjes?
Të dyja. Janë të ndryshme, nuk mund të zgjedhësh. Një trajner nuk mund të thotë se cilën preferon.
çfarë është sot një trajner?
Një lider i një grupi të madh profesionistësh.
Ju jeni një “nxitës” shpirtëror?
Unë jam një trajner.
Jeni një trajner dhe një “nxitës” shpirtëror?
Nëse nuk je nxitës nuk mund të bësh trajnerin.
Thonë që Murinjo është një komunikues shumë i fortë.
Po, jam. Në Itali e kam dëgjuar shpesh këtë gjë.
Dhe e thonë për t’ju ofenduar...
Edhe këtë e di.
Ju çfarë bëni kur e dëgjoni, nxeheni apo qeshni?
Qesh.
Përse?
Sepse jam në një vend futbolli: një vend që ka fituar edhe me klube dhe me kombëtaren. Atëherë të gjithë ishin të bindur që një portugez nuk do kishte arritur asnjëherë kaq lart. Në Itali trajnerët kanë qenë gjithnjë vendas: përveç Trapatonit që ka fituar edhe jashtë, të tjerët për shumë kohë kanë ndenjur vetëm në Itali, ku është krijuar një bindje që nuk ka asgjë për t’u paragjykuar. Tani që janë jashtë Italisë kanë kuptuar që nuk është kështu.
Dhe është një koincidencë që pas mbërritjes suaj në Itali, shumë trajnerë italianë kanë filluar të shkojnë jashtë?
Nuk e di.
Mendon se kanë ikur për të mos e humbur përballjen me ju?
Jo. Besoj se kanë pasur mundësinë për të njohur kultura të tjera e mënyra të tjera të menduari dhe kanë bërë mirë që kanë shkuar t’i njohin. Më rezulton se po kalojnë shumë mirë.
Kush?
Miqtë e mi në Londër më thonë se Ançeloti është ndier shumë mirë në Angli. Po ashtu edhe Mançini: nuk kam folur me të, por besoj se po punon shumë dhe ndihet në lartësinë e duhur. Kapelo po punon shumë me kombëtaren angleze. Unë nuk kam lidhje. Ndoshta e kanë kuptuar që një eksperiencë jashtë shtetit të bën mirë.
Përse?
Qëndrimi në një vend nuk të rrit dhe nuk të formon. Mund të qëndroja te Porto, sepse ma kishte kërkuar edhe presidenti, por kisha vendosur që do të largohesha. Doja të rritesha profesionalisht. Doja ta bëja jetën edhe më të vështirë, të provoja eksperienca të reja. Do të kthehem në Portugali: dua të drejtoj Kombëtaren për Europianin ose Botërorin. Kjo do jetë një eksperiencë e shkurtër në fund të karrierës.
A ju mungon ndonjëherë vendi juaj?
Jo. është vendi im dhe e adhuroj. Në Portugali do të shkoj të vdes.
Po dielli, deti, pushimi?
Unë nuk jam, si thuhet në Itali, sehirxhi?
Nostalgjik?
Nostalgjik. Nuk ndiej aspak nostalgji. Nuk jam një portugez i thjeshtë që imagjinon se ka nevojë për diell, det dhe që ushqimi i tij është më i miri. Kam qenë në Londër për 80 ditë me radhë, ku ra vetëm shi dhe prapë kam qenë i lumtur. Nuk mund të jetohet në vitin 2010 duke pasur nostalgji. është shumë e shëmtuar që të shohësh trajnerët apo futbollistët, që pas disa muajsh kërkojnë të kthehen në shtëpi. Përpara se të marr në skuadër një futbollist, përveç anës teknike dua të kuptoj nëse e ka këtë problem: nostalgjinë. Nëse rrezikon ta ketë, më mirë mos e merr.
E kujtoni herën e parë që jeni ulur në pankinë?
Po, e kujtoj shumë mirë.
Kur ka ndodhur?
Ka ndodhur rreth 23 vjet më parë.
Dhe si ka qenë?
Shumë e bukur.
Ishit në pankinën e ‘Comercio e Industria’ në Setubal?
Po, një skuadër e divizionit të tretë.
Ishit fillimisht futbollist dhe më pas trajner?
Po, e kam filluar punën me fëmijët, më pas kam vazhduar me të rinjtë.
Menduat: ‘Kam realizuar objektivin tim’?
Jo, nuk e mbaj mend se çfarë kam menduar. Kujtoj vetëm lumturinë.
Dhe si e kujtoni?
Ngrihesha që në orën 06.00 të mëngjesit për të qenë në orën 08.00 në Universitetin e Lisbonës. Nuk kam jetuar kurrë në kryeqytet, por gjithmonë në Setubal. Udhëtoja çdo ditë: kthehesha gjithnjë në orën 15.00 dhe shkoja menjëherë në stërvitje. Nga ora 17.00-19.00 isha një futbollist. Nëse të tjerët në fund shkonin në shtëpi për të ngrënë, unë mblidhja fëmijët dhe punoja me ta: isha trajner i ekipit të të rinjve. Kthehesha vonë në shtëpi, por isha shumë i lumtur.
Ishit më i lumtur tani apo atëherë?
Atëherë edhe tani, por në mënyra të ndryshme.
Ju vazhdoni të bëni tifozllëk për skuadrën “Vitoria Setubal”?
Sigurisht.
çfarë do të jepnit në këmbim që skuadra “Vitoria” të fitonte Ligën e Kampionëve?
Asgjë.
Si asgjë?
Asgjë, sepse është e pamundur. është skuadra e një vendi në vështirësi, që brenda një shteti të zhvilluar, është ajo më në vështirësi.
Ka ndryshuar Setubali?
Po, sot ka ndryshuar shoqëria: është e vështirë të gjesh njerëz, të cilët kanë shumë breza që jetojnë në Setubal. Ka pasur shumë emigracion.
Pra skuadra jote “Vitoria” nuk do t’ia arrijë kurrë?
E pamundur. është krenaria e qytetit dhe e jetës sime: unë kam shumë kujtime të lidhura me “Vitorian”: ato të një djali, të një lojtari dhe më pas të një trajneri të një skuadre të rinjsh. Kujtoj kupat e fituara dhe më pas edhe kualifikimet në çerekfinalet e kupës dhe Kupës UEFA. Këtë vit klubi mbush 100 vjet dhe ka siguruar qëndrimin në kategori dy javë përpara përfundimit të sezonit dhe mendoj se është diçka e shkëlqyer.
Nga Portugalia në Spanjë: asistent i Bobi Robson dhe Van Gal te Barcelona. Më mirë i pari apo i dyti?
Që të dy, nuk mund të zgjedh.
Kundër Van Gal do të luani finalen e Ligës së Kampionëve, çfarë kujtoni prej tij?
Do të kujtoj gjithmonë që më telefonoi presidenti i Benfikës. Më ofroi që të bëhesha trajner. I tha Van Gal dhe i mu përgjigj: “Kanë nevojë për një trajner apo asistent? Nëse duan një trajner shko, në të kundërt jo. Ti je shumë më i mirë se çdo trajner që ata mund të zgjedhin”. Më bëri shumë të lumtur.
Dhjetë vjet më vonë ai bëri një gabim të madh: tha që ju jeni shumë provokues...
Nuk e kam lexuar këtë gjë. Ka thënë që nuk do ta bënte atë që bëra unë kur përfundoi ndeshja në Barcelonë.
Që do të thotë?
Festa dhe gëzimi poshtë tribunës së tifozëve të Interit.
Kur e lexuat ju erdhi keq?
Nuk jam ndier aspak keq. Edhe pse unë nuk do të kisha bërë shumë gjëra që ka bërë ai.
Për shembull, mund të na thuash vetëm një...
Që e shkarkuan nga Barcelona, e morën sërish dhe më pas e shkarkuan prapë. Unë nuk do ta bëja. Një herë mjafton dhe madje është e tepër.
Ju te Barcelona ishit i lumtur. Si trajner ishit më i kënaqur në ndeshjen e parë apo atë të kthimit?
Te të dyja. Perfekte. E para se ishim në disavantazh kundrejt asaj Barcelone të frikshme dhe në fund fituam 3-1, duke luajtur në mënyrë perfekte për 70 minuta. E dyta, sepse ishte triumfi i një strategjie mbrojtëse: dëmtimi i Pandev përpara ndeshjes dhe ndëshkimi me të kuqe i Motës pas 20 minutash, na e bënë jetën të vështirë. Kur flas për linjën mbrojtëse përdor gjithnjë termin e vendosjes së autobusit përpara portës, që nuk lejon të kalojë asgjë. Në Barcelonë, ndërkohë, bëmë taktikën e një “avioni”, që hap krahët dhe bëhet një barrierë, ku nuk kalon as ajri.
Kush është skuadra që ju ka futur më shumë në vështirësi?
Interi.
Si Interi?
Po, Interi?
Ju jeni një fenomen?
E ka thënë Ranieri, unë nuk e kam thënë kurrë. Kam fituar në tri vende, nuk më mungon asgjë. Por më vjen për të qeshur kur disa presidentë më krahasojnë me trajnerët e tyre që nuk kanë arritur të fitojnë as një kupë të Toskanës apo Rexhio Kalabrias.
çfarë nuk ju pëlqen më saktë nga Italia?
Hipokrizia e futbollit. Njerëz që vijnë tek unë, më rrahin shpatullat e më thonë: “Je më i miri, je i madh, vazhdo kështu”. Sapo të kthejnë krahët më sulmojnë. Më kërkojnë madje edhe një autograf, një foto dhe pastaj ndryshojnë menjëherë. Mua nuk më pëlqen aspak e gjitha kjo. E kanë bërë edhe disa trajnerë.
Pra mes Italisë dhe Anglisë kë preferoni?
Anglinë.
Po ju mendoni se Murinjo u pëlqen italianëve?
U pëlqen interistëve.
Po të tjerëve?
Nuk më intereson për të tjerët.
Nuk ju intereson? Nuk ju vjen keq që të tjerët ju urrejnë?
Unë jam një trajner që mund të jem i urryer, por a e di çfarë?
çfarë?
Ata që më urrejnë, ndoshta më duan në skuadrat e tyre. Gjithsesi kur të ndryshoj do të shkoj në një tjetër kampionat.
Keni thënë gjithnjë që do të shkoni në Spanjë...
Dua të fitoj tri kampionatet më të forta të Europës. Atë anglez e kam bërë, italianin gjithashtu, më mungon vetëm ai spanjoll.
Madridi është vetëm qyteti ku do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve?
Vetëm? Ju duket pak kjo gjë?
Por pyetja nuk ishte ajo....
Unë nuk do ta harroj kurrë emrin e Gelsenkirshen, që është pothuajse i pashqiptueshëm, por sërish mbetet qyteti ku kam fituar Kupën e Kampioneve me Porton, imagjinoni pastaj Madridin. Finalja në “Santiago Bernabeu” është fantastike. Historike.
Po, por pyetja ishte prapë për diçka tjetër.
Cila?
Thonë që Madridi është ndalesa juaj e radhës.
Ajo që shkruajnë dhe thonë të tjerët se kam një këmbë e gjysmë në Madrid, nuk është aspak e vërtetë.
Pra nuk është e vërtetë që do të shkoni në Madrid?
Do të drejtoj skuadrën e Realit të Madridit. Kam drejtuar në Angli, po drejtoj në Itali dhe do të drejtoj edhe në Spanjë.
Sa doni të fitoni?
Shumë. Gjithçka. Kam fituar gjithçka, por dua të bëj akoma. Jam vetëm 47 vjeç dhe kam ende shumë kohë. Të fitosh ka gjithnjë vlerë. Mund të ndodhë edhe që të humbasësh, por kur ke dhënë gjithçka nuk ka vend për keqardhje. Konferenca më e lehtë për mua ishte pas humbjes së Barcelonës në ndeshjet në grupe: ne ishim shumë keq, Barcelona shkëlqyeshëm, fundi i historisë. E merituan fitoren.
E imagjinonit që kur erdhët në Itali do ishit vetëm ju kundër të gjithëve?
Jo, unë kundër të gjithëve, por të gjithë kundër meje. është krejt ndryshe.
E imagjinonit?
Jo. Nuk u pëlqen fakti që unë dua të fitoj, edhe paguhem për ta bërë këtë. Të gjithë kanë një qëllim: ka nga ata që paguhen për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, të tjerë për t’u kualifikuar për Ligën e Kampionëve dhe të tjerë akoma që të kalojnë në Serinë B. Unë paguhem për të fituar.
Ka trajnerë që kanë ndryshuar historinë e futbollit?
Nuk ka trajnerë që kanë ndryshuar historinë. Ka trajnerë që kanë bërë historinë.
Kush janë?
Ata që kanë fituar. është e lehtë t’i gjesh: mjafton të marrësh të gjithë ata që kanë fituar më shumë trofe kombëtare për klube dhe mund të thuash që ata e kanë bërë historinë e këtij sporti.
Nuk mendon se mund të hysh në histori edhe pa fituar?
E pamundur.
Përse?
E kujtoni se kush e ka humbur Botërorin e parë kundër Muhamed Ali?
Jo.
Kjo është.