E Diel, 1 Nëntor 2026

Reaminacioni i Ushtarakut në gjendje skandaloze, ska vende për pacientët

Gjendja e reanimacionit në Spitalin Ushtarak është e rëndë. 18 persona po luftojnë me vdekjen në dy salla të mbushura tej kapacitetit të tyre. Mjekët e Spitalit Ushtarak japin alarmin për mbingarkesë shtretërish në reanimacion. Nuk ka më vende bosh, ku të

sëmurët në situatë kritike të mund të trajtohen me frymëmarrje artificiale.Kjo është një katrahure dhe kështu nuk mund të punohet. Nuk ka më vende të reja dhe me këto standarde ky pavijon nuk është më reanimacion, thotë mjeku Artan Mihali. Reanimacioni i Spitalit Ushtarak në Tiranë është shpresa e fundit për dhjetëra njerëz, viktima kryesisht të aksidenteve dhe ngjarjeve të tjera në të gjithë vendin. Kapaciteti i reanimacionit është vetëm 12 shtretër dhe krevatet shtesë edhe këto të zëna tashmë, janë futur në reanimacion nga vetë mjekët për shkak të nevojës. Ka shumë ditë që gjendja është e tillë dhe nga strukturat drejtuese nuk është marrë asnjë masë, u shpreh Mihali. Pas futjes së kameras së një prej televizioneve në vend në mjediset e spitalit dhe publikimit të kësaj gjendjeje, drejtuesit e spitalit morën masat e menjëhershme por jo për gjetjen e një zgjidhjeje. Drejtori i spitalit u ka komunikuar në mënyrë verbale pushimin nga puna të dy mjekëve roje në këtë pavijon për shkak të lejimit të kameras dhe bërjes publike të këtij problemi. Por jo vetëm në reaminacionin e spitalit Ushtarak gjendja paraqitet e tillë, sipas hulumtimeve të kryera nga gazeta SOT edhe në QSUT, gjendja është e tillë. Sapo futesh në brendësi të spitalit, e të duhet të zbresësh në Urgjencën e Kardiologjisë, syri të zë pacientë që duken sikur do ta marrin mjekimin apo ndihmën e shpejtë mu në mes të korridorit. Barelat e vjetra e serumet e varura në krahët e pacientëve që në shumë raste marrin ndihmën e shpejtë, në një karrige të vjetër të kujtojnë as më shumë e as më pak vitet e pasluftës, a thua se vendi ynë sapo ka mbijetuar nga lufta e egër. Por lufta e vërtetë brenda këtyre dyerve ku mund të futen i madh e i vogël, pacientë apo jo, të afërm apo edhe qytetarë që duan ti bien shkurt për të dalë nga mëhallat famëkeqe të spitalit, nuk janë asgjë përpara faktit se nëse je rëndë e ke pësuar një atak kardiak e mund të rrezikosh jetën nga sekonda në sekondë duke qëndruar për orë të tëra në pritje pa mundur të gjesh një shtrat ku të mjekohesh. Vetë kryeinfermieri i këtij pavijoni tha dje për gazetën SOT se urgjenca por edhe dhomat në pavijonin e kardiologjisë janë të mbipopulluara dhe ka raste kur një pacienti i duhet të presë me orë e ditë të tëra në urgjencë në pritje të një shtrati. Sipas kryeinfermierit në pavijonin e kardiologjisë të spitalit Nënë Tereza, nuk ka asnjë vend të lirë.

Last Updated on E Shtune, 22 Maj 2010 19:34

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›