Fondet e buxhetit, duel i heshtur Berisha-Bode
Përplasja
Ministri mban të bllokuara vendimet e Kryeministrit për investimet
Prej një muaji, pa asnjë shpjegim Ministria e Financave, ose më saktë sekretari i përgjithshëm i saj, mban të bllokuar vendimin për çeljen e fondeve sa u takon investimeve në kuadër të projekteve për zhvillimin e rajoneve, komitet ku kryetar është Kryeministrit i vendit, Berisha. Bëhet fjalë për një fond financimi me vlerë 10 miliardë lekë që prek investimet e mbi 150 projekteve të ndryshme infrastrukturore, të cilat menaxhohen nga njësitë vendore. Vendimi, edhe pse është firmosur nga Kryeministri Berisha, madje dhe nga vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, prej një muaji nuk ka gjetur zbatim, pasi sekretari i përgjithshëm i ministrit, Dorian Teliti, nuk autorizon çeljen e fondeve.
Kjo situatë ka acaruar departamentin e strategjive në Kryeministri, ekspertët e të cilëve janë marrë me hartimin e projekteve, ndërsa pasojat e këtij bllokimi mund të ndihen edhe te pushteti vendor, pasi, duke pasur të sigurt fondet në buxhet, kanë hapur tenderë për vepra të ndryshme, por lekët akoma nuk janë miratuar.
Këto veprime tregojnë më së shumti një duel force mes shefit të qeverisë dhe ministrit kryesor, atë të Financave të vendit, sa i takon liderit se kush i ka çelësat e arkës së buxhetit.
Sakaq, të dhënat tregojnë për një ulje të investimeve në sektorë të ndryshëm publikë. Kriza ka prekur buxhetin dhe kjo ndihet në fondet e pakta që çel Ministria e Financave.
Shpenzimet buxhetore në gjysmën e parë të vitit 2012 rezultuan rreth 177.7 miliardë lekë, duke njohur një rënie me rreth 2.5% në terma vjetorë nominalë. Rënia e shpenzimeve totale është përcaktuar prej tkurrjes në terma vjetorë nominalë të shpenzimeve kapitale, me rreth 27 pwr qind gjatë gjysmës së parë të vitit, duke dhënë një kontribut negativ prej 4.9 pikë përqindjeje në ndryshimin vjetor të shpenzimeve totale. Në të kundërt, gjatë periudhës në fjalë, shpenzimet korrente janë rritur me rreth 1.6% në terma vjetorë, kryesisht në sajë të shpenzimeve më të larta për sigurime shoqërore. Nga ana tjetër, nivelet më të larta nga një vit më parë të shpenzimeve për personelin, interesave mbi borxhin publik, operative, si edhe atyre për ndihmë sociale kanë balancuar efektin negativ të shkaktuar nga shpenzimet për pushtetin lokal e subvencionet mbi totalin e shpenzimeve korrente. Të shprehura në terma të PBB-së, shpenzimet totale për gjashtë muajt e parë të vitit vlerësohen në rreth 27.3 pwr qind, raport ky më i ulëti i regjistruar që prej vitit 2008.
Projektet
Pasojat e këtij bllokimi mund të ndihen edhe te pushteti vendor, pasi, duke pasur të sigurt fondet në buxhet, kanë hapur tenderë për vepra të ndryshme, por lekët akoma nuk janë miratuar
Fondet e buxhetit, duel i heshtur Berisha-Bode burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip