E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Kriza po varfëron shqiptarët

Ard Kola

Raporti 2012

Ulen pagat, nuk shpenzojnë dhe janë më pesimistë. Shifrat dramatike të 6-mujorit

ARD KOLA

Jemi keq në të gjitha drejtimet, por mund të rëndohemi akoma e më shumë në rast se krerët e shtetit dhe ekspertët të mos i kushtojnë shumë kohë politikës, por ekonomisë. Ashtu me qetësi, të dhënat ekonomike të vendit nga viti 2009 e deri më sot po tregojnë se vendi po përjeton pasiguri të mëdha dhe më e keqja është se Banka e Shqipërisë nuk është në gjendje të thotë se deri sa do të zgjasë. Në këto kohë të vështira duket se guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, po bën punën e tij, atë të transparencës me publikun, brenda hapësirave, që kur të vijë e keqja e madhe të ketë nderin e të thotë që shqiptarët u paralajmëruan. Ndryshe nga ministri i Financave, guvernatori del në media dhe shpjegon gjendjen ku jemi, të paktën një herë në muaj, kurse zyrtarët e bankës zhvillojnë takime të shpeshta informale me gazetarët.

Raporti i fundit mbi politikën monetare u publikua dje, duke iu referuar 6-mujorit të parë të vitit 2012. Të dhënat paraqiten tepër negative. Qeveria ka ulur investimet me të paktën 25 për qind, shkëmbimet tregtare janë tkurrur, biznesi nuk po investon aq sa duhet, po ashtu kredia për ekonominë regjistron kuota larg periudhës 2008, të para krizës. Raporti tregon në thelb se shqiptarët po varfërohen, duke u zhytur në pesimizëm të thellë. Kjo panoramë duket edhe te biznesi.

Kursejmë ushqimin

Deri dje, raporte të ndryshme tregonin se shqiptarët po kursejnë të nxitur nga kriza dhe situata pesimiste, shkaktuar nga ngjarjet në rajon, por të dhënat e fundit paraqesin një tendencë të ardhurash gjithnjë e në rënie. Pagat mesatare në privat janë tkurrur me të paktën 4 për qind në pjesën e parë të vitit.

Në raportin e politikës monetare për 6-mujorin e parë 2012, tregon se shqiptarët po e mbajnë dorën jo vetëm te shpenzimet për shërbime, por edhe te mallrat, ku futen ushqimet.

Importi i mallrave për konsum në terma realë, si tregues sasior i konsumit privat në ekonomi, u rrit me 6.9 për qind në tremujorin e parë, pasi ishte rritur me 7.6 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2011. Ngadalësim të konsumit privat dëshmohet edhe nga zvogëlimi i të ardhurave prej Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (-0.3 për qind rënie vjetore reale).

Të dhënat për burimet e financimit të konsumit privat gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 disponohen pjesërisht, thotë banka. Komponenti më i qëndrueshëm i të ardhurës konsumatore, paga, vlerësohet të ketë shënuar rënie në terma realë që nga tremujori i dytë i vitit 2011. Prirja rënëse e të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale sinjalizon për rënie të mëtejshme të pagës edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012. Burimet e tjera të financimit, kredia konsumatore dhe flukset hyrëse të remitancave, kanë vazhduar të mbështesin konsumin edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Rritja e qëndrueshme e depozitave me afat të individëve, si edhe zgjerimi i portofolit të tyre me bono thesari, dëshmon për një sjellje të kujdesshme konsumatore në drejtim të shpenzimeve, është një tjetër vlerësim i BSH-së. Tatimi mbi të ardhurën personale, që u rrit me 0.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012 dhe ra me 4.4 për qind në tremujorin e dytë të tij, dëshmon se pagat në privat sa vijnë dhe ulen. Treguesit më të fundit indirektë për konsumin privat sinjalizojnë ngadalësim të mëtejshëm të tij gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012. Rënia e treguesit të besimit konsumator gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012 është ndikuar në shkallën më të madhe nga rënia e balancës për blerjet e mëdha (balanca shënoi rënie me 5.4 pikë përqindje duke qëndruar rreth 3 pikë përqindje nën mesataren e vet afatgjatë), thuhet në raport.

Ska investime

Cili e mbështet zhvillimin ekonomik të një vendi? Natyrisht privati me investimet direkte dhe shteti me shpenzimet kapitale e të përgjithshmet në mbrojtje të shtresave të ndryshme. Të dy këta motorë aktualisht nuk po japin asgjë. Privati nuk po investon, fakt i dëshmuar nga INSTAT-i me tkurrjen e importeve të makinerive dhe pajisjeve, duke kontribuar negativisht në rritjen ekonomike. Performanca e dobët e investimeve private është ndikuar nga perceptimi i bizneseve për një kërkesë në rënie, normat e ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve (mesatarisht 5 pikë përqindje nën mesataren historike), si dhe standardet ende të shtrënguara të kredidhënies. Importi i makinave dhe pajisjeve, i cili përafron ecurinë e investimeve private në ekonomi, u rrit me 1.5 për qind në terma vjetorë nominalë në tremujorin e parë të vitit 2012. Ky tregues kishte shënuar rritje vjetore 33.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2011. Të dhëna cilësore nga vrojtimet e besimit të bizneseve mbështesin një trend rënës të investimeve private, si dhe prirjen e bizneseve për të kryer investime vetëm në pajisje teknologjike dhe shumë më pak në struktura të reja, thotë banka.

Sikur të mos mjaftojë kriza te biznesi, tashmë qeveria po i jep goditjen finale. Të djegur nga rritja e borxhit, qeveria po kursen në kohë krize, madje duke prekur edhe investimet kapitale në ndërtim rrugësh, shkollash dhe spitalesh. Rënia e shpenzimeve totale është përcaktuar prej tkurrjes në terma vjetorë nominalë të shpenzimeve kapitale, me rreth 27 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit, duke dhënë një kontribut negativ prej 4.9 pikë përqindje në ndryshimin vjetor të shpenzimeve totale.

Keq ekonomia

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik jashtë, veçanërisht në Eurozonë, ndikoi në rënien e vlerës nominale të eksporteve shqiptare në tremujorin e parë. Gjithashtu, pasiguritë për zhvillimet makroekonomike vijuan të kushtëzojnë një sjellje të kujdesshme të sektorit privat në drejtim të kryerjes së konsumit dhe investimeve. Ecuria e ngadaltë e konsumit privat është ndikuar edhe nga rritja e ulët e të ardhurave dhe mungesa e dinamizmit në tregun e punës, shprehen ekspertë të BSH-së. Përballë një kërkese të dobët konsumatore dhe një norme të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve, bizneset kanë ulur investimet e tyre. Nga ana tjetër, sjellja e agjentit fiskal në përputhje me objektivat për deficitin buxhetor do të vazhdojë të kufizojë stimulin fiskal dhe kërkesën e brendshme në afat të shkurtër.

Në këto kushte, rritja e ekonomisë nuk mund të sillte lajme të mira. Ekonomia shqiptare në tremujorin e parë të vitit 2012, për herë të parë që prej vitit 2009, regjistroi një rënie vjetore me rreth 0.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Krahas reduktimit të kërkesës agregate, në rënien ekonomike të këtij tremujori gjen reflektim edhe ndikimi i goditjeve relativisht të mëdha dhe me natyrë të përkohshme të ofertës në prodhimin e sektorëve të veçantë të ekonomisë. Shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese në ekonomi vijon të kushtëzojë rritjen e ulët të pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit, duke përcjellë presione të dobëta inflacioniste.

Situata e tensionuar e ekonomisë europiane, si edhe plogështia e kërkesës së brendshme, janë materializuar në rënie të vlerës nominale të eksporteve dhe ngadalësim të importeve. Hapësira fiskale në drejtim të nxitjes së rritjes ekonomike ka qenë e kufizuar, duke rezultuar në një kontribut në rënie të sektorit publik në rritjen e kërkesës agregate. Nga ana tjetër, konsumatorët dhe bizneset vijuan të shfaqin një sjellje të kujdesshme në drejtim të shpenzimeve dhe të investimeve, janë disa nga faktorët e renditur prej BSH-së.

Mallrat

Importi i mallrave për konsum, si tregues sasior i konsumit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›