Fondet e partive në zgjedhje, transparenca në shtator
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyn për në muajin shtator ngritjen e grupit e auditimit të fondeve të partive politike që kanë përdorur në fushatë elektorale të 28 qershorit. Ky institucion kishte parashikuar që pas zgjedhjeve, me shpalljen e rezultatit përfundimtar të 28 qershorit, të krijonte edhe grupin auditues, por kjo u la për në fillim të muajit shtator. KQZ në bazë të ligjit zgjedhor duhet që brenda 45 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të votimeve, të emërojë një ose më shumë ekspertë kontabël për çdo parti politike që ka përfituar fonde publike të shpenzuara në fushatën elektorale. “Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në 1 milion lekë. Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore, sipas këtij Kodi”, thuhet në pikën 1 dhe 2 të nenit 91 të Kodit. Në pikën tre të kësaj dispozite saktësohet se KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Në fillim të muajit shtator, KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit. Sipas nenit 92 të Kodit, procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi. Ekspertët kontabël pritet të njihen edhe me donacionet që iu janë bërë partive politike nga persona si fonde jopublike, e cila varion nga 100 mijë deri në 1 milion lekë. Partitë politike për herë të parë në këtë Kod Zgjedhor duhet të deklarojnë edhe mënyrën e shpenzimeve të fondeve të përfituara nga ana e shtetit ose nga privatët në formë dhurimi. Mbi të gjitha ato janë të detyruara të japin në mënyrë të detajuar edhe mënyrën e shpenzimit të fondeve të përfituara.
neni 92
Përzgjedhja e auditëve nga KQZ-ja
1. KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor.
2. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit.
3. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast, një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi.
4. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore.