E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa të gomarit...

Edmond Tupja 

Po, sa të gomarit duhet ta kesh, sidomos në Shqipëri, kur ti del në mëngjes për të bërë dy-tri punë të ngutshme. E lehtë për t’u thënë, por oh sa e vështirë për t’u realizuar! Pse? Sepse çdo punë, që të kryhet, të nxjerr dy-tri punë të tjera paraprake dhe secila prej këtyre, jo rrallë, të nxjerr gjithashtu po aq punë paraprake, kështu që të bie, jo rrallë, të kryesh rreth njëzet e shtatë punë që të mbarosh dy-tri punët fillestare. Pale kur ke të bësh me administratën shtetërore: gjykatat, spitalet, ambulancat e lagjeve, makro e minibashkitë, zyrat tatimore, pikat ku merren pensionet, ato ku paguhen faturat e energjisë elektrike, e ujit, e telefonit etj., hipotekat, ministritë e ndoshta edhe më lart, deri në majë të piramidës shtetërore. Prandaj, ndonëse jam me pushime, më qëllon edhe mua, si shumë e shumë bashkatdhetarëve të mi, që ta kem të madh, shumë të madh, sa të gomarit, DURIMIN (dhe jo atë që ndonjë mendje, veçanërisht e fiksuar, mund të pandehë). Një proverb kinez thotë, në mos qofsha i gabuar, që durimi është hapi i parë drejt lumturisë. Kurse ne, shqiptarët, këtë cilësi të vyer ia kemi veshur gomarit. Por vetëm këtë ama! Sa për të tjerat, prit gomar të mbijë bar! Kështu, gomari, ndoshta më filozofi nga të gjitha kafshët e tjera, simbolizon njeriun e trashë nga mendja, hajvanin, budallain, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Evropës; për shembull, ashtu si ne, shqiptarët, e cilësojnë “gomar” një të trashë nga mendja, francezët e quajnë atë âne dhe italianët asino; gjithashtu, “gomarllëkut” (në kuptimin “budallallëk”) të parët i thonë ânerie, kurse të dytët asineria ose asinità. I shkreti gomar sa keq trajtohet jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht! Por kulmi arrin me shprehjen shqipe “t’i hedhësh dikujt trutë e gomarit” në kuptimin “ta manipulosh atë mendërisht”. Çdo njeri normal, sikur të kishte qenë gomar në kuptimin normal të fjalës, pra, edhe një çikë filozof, do të ishte zemëruar me racën njerëzore (homo) për këtë këndvështrim fyes ndaj racës gomarore (asinus). Me siguri që në gjuhën e tyre gomarët, të paktën ata shqiptarë, duhet të përdorin me njëri-tjetrin shprehjen “t’i hedhësh dikujt trutë e njeriut”. Megjithatë, në rastin e homo albanicus-it, manipulimi mendor është më se i qartë: mjafton, për t’u bindur, t’i hedhësh një sy sloganeve të përdorura nga të gjitha partitë gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit legjislative! Mirëpo, edhe këtu, duhet ta kesh të madh, shumë të madh, sa të gomarit, durimin për t’u marrë erë gjithë atyre tufave me premtime shumëngjyrëshe që partitë u dhuronin jo vetëm militantëve të tyre, por edhe mbarë botës! Jo të paktë janë ata që pa dyshim janë dehur nga era në fjalë, por nuk do të vonojë dhe do të bëhen esëll, do të zhgënjehen, qoftë tërësisht, qoftë pjesërisht: vetëm kur mbaron festa, shqiptarëve u vjen vërdallë festja! Ndërkohë gomarët, që nga maja e Olimpit të tyre filozik, do t’i shohin ata të turfullojnë e të tërbohen, një pjesë madje të betohen e të stërbetohen që, pas katër viteve, nuk do të votojnë më për partinë e tyre, madje nuk do të votojnë kurrë më. Dhe, kur pas katër vitesh gjithçka të fillojë nga e para dhe elektoratit shqiptar t’i hidhen sërish trutë e gomarit (me dy këmbë e pa bisht), gomarët me katër këmbë e një bisht do të gajasen heshturazi dhe do të ndihen të lumtur për trutë që u ka falur natyra dhe që homo albanicus-si nuk meriton t’i mbajë në kafkën e tij mjerane.
Sidoqoftë, thuhet se gomarët e mbarë Shqipërisë e të Kosovës, përfshirë edhe ata të trevave shqiptare të Malit të Zi e të Maqedonisë, si edhe ata të Çamërisë, sapo kanë themeluar “Shoqatën Mbarëshqiptare të Gomarëve” për të mbrojtur të drejtat e tyre edhe në fushën e gjuhësisë. Për këtë ata kanë ndër mend t’u drejtojnë një letër të hapur gjuhëtarëve tanë të shquar të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, si edhe redaksive të të gjitha mediave të shkruara, të folura dhe pamore, në mënyrë që të ndreqen më në fund mendësitë dhe shprehjet fyese, poshtëruese dhe diskriminuese ndaj racës gomarore (asinus) që figurojnë nëpër fjalorë dhe përdoren rëndom në të tëra llojet e mediave. Sigurisht që kjo ndërmarrje do të kërkojë kohë, prandaj “Shoqata Mbarëshqiptare e Gomarëve” u kërkon autoriteteve shkencore e mediatike në fjalë mirëkuptim, drejtësi dhe durim, një durim të madh, sa të gomarit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›