Fondet për rrugët e Korçës shkojnë për zonat e përmbytura të Shkodrës
Një investim prej 80 milionë lekësh për zonën këmbësore në Korçë është anuluar me një vendim qeverie. Projekti i zonës këmbësore, një investim i Bankës Botërore është anuluar për t’ia kaluar zonave të prekura nga përmbytja në veri të vendit. Kjo situatë ka sjellë edhe reagimin e bashkisë për faktin se një investim madhor në qytet do të mbetet pezull. Kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, thotë se fondet e caktuara për Korçën nuk duhet t’i kalojnë një tjetër zone pavarësisht nga problemet, dhe sipas tij, zgjidhja për zonat e përmbytura nuk duhet të cenojë investimet në qytete të tjera të mëdha. Kërkesa e qeverisë për të transferuar fonde të Bankës Botërore nga qytetet ku ishin parashikuar investime në projekte infrastrukturore drejt veriut të vendit ka sjellë reagimin e bashkisë për faktin se zona këmbësore është një nga projektet më të mëdha për qytetin i parashikuar për këtë vit. “Kjo kërkesë lë pa zbatuar një nga projektet më të rëndësishme për ndërtimin e zonës këmbësore që ishte planifikuar si projekt për këtë vit. Po bëj një apel publik që të mos cenohet e drejta jonë për të zbatuar një projekt europian të krijimit të zonës këmbësore në qytetin e Korçës. Transferimi i fondeve në Veri nuk mund të bëhet në kurrizin tonë, sepse ne kemi një projekt të përbashkët me Bankën Botërore të cilin do ta fillonim këtë vit”, tha Peleshi. Sipas tij, nuk mund të zgjidhet problemi i një zone në kurriz të qytetarëve të një zone tjetër. “Kërkesën time ja drejtoj si qeverisë ashtu edhe Bankës Botërore që kjo e fundit të mos marrë parasysh vendimin për transferimin e fondeve tona në Veri", apeloi kryebashkiaku i Korçës. Për anulimin e këtij projekti është vënë në dijeni Banka Botërore, ndërkohë që sipas bashkisë priten negociata që ky investim të mos i hiqet qytetit të Korçës. Zona këmbësore është një projekt që kap një vlerë 80 milionë lekë dhe synon ndryshimin e një prej shëtitoreve kryesore të qytetit nga pikëpamja urbanistike dhe modernizimin e saj. Vetëm pak ditë më parë, nga ana e saj, Bashkia e Korçës ka nënshkruar një marrëveshje për marrjen e një kredie bankare për të përballuar shpenzimet për investimet në infrastrukturë, ndërkohë që heqja e fondit të investimit vë para vështirësive pushtetin lokal për një tjetër projekt të parashikuar.
#