Tatimet: 90% e biznesit, deklarata online
Një ditë pas skadimit të afatit ligjor të deklarimit online përmes internetit të detyrimeve tatimore, drejtuesit e Tatim-Taksave kanë paraqitur rezultatin, që ishte pozitiv. Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i Tatimeve, Artur Papajani, ndër të tjera tha se gati 90 për qind e biznesit të madh arriti t’i dërgonte përmes internetit deklaratat tatimore të librave të shitjes. Një ditë më parë gazeta “Shqip” publikoi lajmin e problemeve të hasura në sistem gjatë dorëzimit të deklaratave dhe frikës së biznesit për penalizime për shkak të ditës të afatit. Këtë problem e pranoi dhe vetë Papajani, duke e lidhur me ngarkesën në rrjet. Si rrjedhojë e këtij problemi, vlerësohet se rreth 2 mijë biznese nuk kanë mundur t’i dorëzojnë në kohë detyrimet, duke rrezikuar marrjen e gjobave. “Falënderojmë të gjithë tatimpaguesit, që në zbatim të detyrimit ligjor, me gjithë vështirësitë teknike që kanë hasur si rrjedhojë e kërkesave ndaj zhvillimeve të tregut të teknologjisë së informacionit në të gjithë territorin e Shqipërisë, realizuan përmbushjen e këtij detyrimi, duke realizuar dërgimin në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes”, tha kreu i Tatimeve.
Procedura elektronikeDuke iu referuar udhëzimit numër 2, datë 28 janar dhe vendimit të qeverisë numër 55, datë 3 shkurt, biznesi ishte i detyruar që deklarimet tatimore t’i dërgonte përmes sistemit elektronik në faqen zyrtare të tatimeve. Data 5 prill ishte afati i fundit i dorëzimit në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes, nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, (ose ndryshe, biznesi i madh). Nga rreth 15000 tatimpagues, të cilët sipas legjislacionit tatimor në fuqi, kishin detyrimin për të dorëzuar elektronikisht librat e shitjes dhe blerjes, deri në orën 00:00 të datës 5 prill (kur përfundonte afati ligjor i deklarimit), kanë dorëzuar elektronikisht rreth 13000 tatimpagues. E shprehur në përqindje, rreth 90 për qind e tatimpaguesve të regjistruar për TVSH dhe tatim-fitimin, kanë përmbushur detyrimin ligjor të dorëzimit në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes.
Kalendari dhe detyrimiDorëzimi elektronik i librave të shitjes dhe blerjes, sipas kalendarit të përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Financave, filloi në muajin shkurt (për periudhën tatimore janar 2010) për tatimpaguesit e Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj). “Rezultati i përmbushjes së këtij detyrimeve është një moment historik në jetën e administratës tatimore dhe në marrëdhëniet midis saj dhe tatimpaguesve, duke na sjellë në të njëjtin nivel me administratat tatimore të vendeve të tjera”, deklaroi Papajani.
Me ndryshimet e legjislacionit tatimor, me hyrjen me fuqi të këtyre ndryshimeve, gjatë muajve shkurt dhe mars, janë zhvilluar trajnime në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore, nga një staf i përgatitur trajnerësh të shërbimit ndaj tatimpaguesve, duke trajnuar më shumë se 10000 tatimpagues. Sipas pikës një të VKM-së, datë 3 shkurt, “Deklarimin e detyrueshëm, vetëm nëpërmjet formës elektronike, të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, objekt i këtij vendimi, me të cilat nënkuptohen deklarata tatimore, në kuptim të këtij vendimi, janë formularët: e deklarimit dhe të pagesës së TVSH-së; e deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat nga punësimi; e deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin; dhe e deklarimit dhe të pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Gjithashtu, dokumente tatimore, në kuptim të këtij vendimi, janë librat e blerjes dhe të shitjes.