E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Presidenti dha sinjale alarmi! Vigjilent ndaj klerikëve

Intervista

Dekorimi i krerëve të komuniteteve fetare nga Presidenti i Republikës ka riaktualizuar problemin e mprehtë të raportit të tyre me shqetësimet shoqërore në Shqipëri. Mesazhi i Bamir Topit në këtë drejtim është vlerësuar nga historiani Pëllumb Xhufi, si një qëndrim që merr parasysh disa shqetësime që për të nuk mund të anashkalohen më

Dje, Presidenti i Republikës ka dekoruar katër përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare në vend me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Si e gjykoni këtë akt të kreut të shtetit?

Dua të jem fare i sinqertë: veprimtaria e të katër drejtuesve të nderuar të komuniteteve tona fetare dhe e institucioneve që ata drejtojnë, nuk është krejt e kristaltë dhe e pakritikueshme, sa të meritonte një dekoratë sublime, siç është “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Megjithatë e konsideroj pozitivisht gjestin e Presidentit, i cili deshi të vlerësojë punën e krerëve fetarë në kushte të jashtëzakonshme dhe në një periudhë veçanërisht të vështirë për besimin dhe institucionet e besimit. Mbi të gjitha, vlerësoj së shumti faktin që Presidenti zgjodhi këtë moment solemn për të dhënë disa mesazhe tepër të rëndësishme, ndaj të cilëve duhet të reflektojë e gjithë shoqëria shqiptare e në radhë të parë, politika dhe vetë krerët e komuniteteve fetare.

Si do ta vlerësonit ju mesazhin e fjalës së Presidentit, i cili, në mënyrë të nënkuptuar, ka prekur disa shqetësime që kanë të bëjnë me fenë gjatë këtyre viteve?

Presidenti, me shumë të drejtë, nënvizoi një koncept mbi fenë, që është koncepti modern, i përpunuar në Europë që në kohën e Paqes së Westfalisë, sipas të cilit feja dhe institucionet e saj veprojnë dhe realizohen brenda kuadrit të një shteti, të bazuar në laicizmin dhe që kujdeset njëlloj për të gjithë qytetarët e vet, qofshin të këtij besimi, qofshin të atij besimi apo qofshin të asnjë besimi. Nga këndvështrimi laik i shtetit, harmonia fetare në një vend me besime të ndryshme është një çështje e unitetit kombëtar, e kohezionit social e moral të popullit dhe, akoma më shumë, është një çështje e sigurisë kombëtare. Ndaj e gjej me shumë vend përkujtesën e Presidentit Topi lidhur me rreziqet që mbart çdo shfaqje e ekstremizmit dhe e fundamentalizmit fetar, çdo prirje për t’u larguar nga vlerat dhe traditat qytetare, morale dhe estetike, që kanë karakterizuar besimet fetare në Shqipëri. Mbi të gjitha, e gjej në kohë dhe me shumë vend paralajmërimin apo përkujtesën e Presidentit për çdo largim apo devijim të mundshëm nga ai parim themelor e jetik, që mban në këmbë sistemin dhe që është laicizmi i shtetit dhe i strukturave të tij. Për fat të keq është vënë re që individë me pushtet, në qendër apo në provincë, ndonjëherë “flirtojnë” me këtë apo atë përfaqësues fetar dhe shpeshherë bëjnë edhe lëshime të paprincipta ndaj kërkesave të padrejta e të pamotivuara të klerikëve të veçantë, duke minuar kështu bazat e shtetit laik dhe vetë bazat e harmonisë fetare. “Shkarje” të tilla i bëjnë ndonjëherë edhe qeveritë tona, të cilat, për hir të axhendave të tyre politike, ndonjëherë të pamoralshme, bëhen palë në veprime e qëndrime, që cenojnë interesat e shtetit laik dhe vetë harmoninë fetare mes qytetarëve shqiptarë. Po kujtoj shembullin më të freskët: nismën e qeverisë shqiptare, për të realizuar regjistrimin e ri të popullsisë e të pasurive, ku veç nyjeve të tjera, ka edhe një nyje që ka të bëjë me deklarimin e besimit fetar. Një shtet rigorozisht laik, siç është e duhet të jetë ky yni, nuk përzihet në punët e besimit, aq më shumë nuk përzihet në çështje kaq sensitive, që e ekspozojnë atë ndaj komuniteteve fetare të caktuara. Si mund të jetë aq e papërgjegjshme një qeveri e një vendi laik, saqë të marrë përsipër përgjegjësinë e “caktimit” apo të “certifikimit” të kuotave e përqindjeve të komuniteteve fetare? Përse nuk ia beson qeveria këtë detyrë vetë komuniteteve fetare apo organizatave joqeveritare, siç ndodh në SHBA e në të tjera vende, që kanë probleme të ngjashme?

Sa mendoni ju ndikon ky dekorim në zgjidhjen ose në anashkalimin e disa problemeve që shqetësojnë komunitetet fetare në vend, lidhur edhe me përdorimin e gjuhës shqipe?

Mendoj se problemi i gjuhës në shërbesat fetare, apo edhe ai i përkatësisë etnike të klerit, është zgjidhur nga vetë dialektika historike e marrëdhënieve të shtetit me fenë. Që nga kohët e Reformës (shek. XVI) u afirmua parimi, sipas të cilit gjuha dhe kombësia e klerit duhet të jetë ajo e popullit besimtar. Në Shqipëri, një parim i tillë u realizua me gjak e sakrifica të papërshkrueshme, në radhë të parë të vetë klerikëve tanë. Për fat të keq, sot shohim që institucionet tona fetare, myslimane e të krishtera, janë të mbushura me klerikë apo me “këshilltarë” të huaj, të cilët kanë ndërmarrë një vepër të madhe revizionimi, që i largon këto institucione nga tradita e tyre më e mirë. Jam i bindur, që jo vetëm ne që nuk besojmë, por edhe shumë besimtarë i irriton leximi i teksteve të shenjta në greqishten bizantine apo arabisht. Shumë të tjerë i largohen vendeve të kultit nga prania e pajustifikuar e klerikëve të huaj (pa dashur të heqim gjë nga devocioni dhe integriteti i shumë prej tyre). Sigurisht, as ne nuk duhet të jemi “integralist”. Ne mund ta kuptojmë e ta tolerojmë përdorimin e gjuhës greke në shërbesat fetare në zonën e minoritetit grek, mund ta kuptojmë edhe praninë e përkohshme të një mitropoliti grek në Gjirokastër, por nuk mund ta kuptojmë praninë e përhershme të prelatëve grekë në krye të pothuaj të gjitha eparhive ortodokse, nga Tirana, Berati e Gjirokastra dhe kapjen e Sinodit të Shenjtë nga klerikë të një vendi tjetër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prelatët e shumtë joshqiptarë, që kanë kapur kreun e Konferencës Episkopale të Shqipërisë dhe të urdhrave katolikë, ashtu siç mund të thuhet për tentativat për ta orientuar islamin shqiptar drejt modeleve arabe vahabiste. Presidenti e pa me vend të nënvizojë si të papranueshme përdorimin e fesë për qëllime politike. Duke marrë shkas nga ky paralajmërim i tij, neve na lejohet të shkojmë më thellë e të konsiderojmë si të pakuptueshme dhe të papranueshme, sa përdorimin e fesë nga politika, aq edhe përfshirjen e klerikëve në lojëra politike dhe interferimin e tyre deri edhe në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me shtetet e tjera, gjë që edhe ka ndodhur. Jam i bindur që pas fjalës së Presidentit në ceremoninë e dekorimit të krerëve të komuniteteve fetare, ndonjëri prej tyre do të ketë thënë: Po ky, ç’do që përzihet në punët e fesë! Por, në gjykimin tim, Presidenti bëri shumë mirë që dha disa sinjale alarmi: sepse ai është zyrtari më i lartë i shtetit, shprehësi kushtetues i unitetit të popullit dhe garantuesi i sigurisë kombëtare. Dhe në këtë Shqipërinë tonë, duhet qenë gjithnjë vigjilentë, ndaj politikanëve, por ndonjëherë edhe ndaj klerikëve, të cilët vërtet janë të dërguarit e Zotit, por nuk janë vetë Zoti.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›