ALUZINI, gati 1538 fatura për legalizimin e zonave informale
Rreth 1538 familje që presin të legalizojnë pronat me bono kanë gati faturën dhe ju mbetet vetëm të derdhin detyrimet në bankë për të formalizuar pronën. Agjencia e Legalizimeve për qarkun e Tiranës ka bërë gati 1538 faturat e para për kryeqytetasit. Këtyre aplikantëve ju mbetet vetëm të shlyejnë detyrimin pranë bankave dhe të marrin tapitë në Hipotekë.
Bëhet fjalë për gjithë aplikantët, të cilët kanë plotësuar kërkesën për të bërë legalizimin e ndërtimeve të tyre me bono privatizimi. Ndërkohë që edhe 8 mijë kërkesa për legalizim me bono dhe me para kesh që po shqyrtohen nga ALUIZNI sipas një plani pune të miratuar më parë.
Kreu i ALUZINIT
Kreu i Agjencisë së Legalizimit, urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale për qarkun e Tiranës, Agim Berisha ka sqaruar se me hyrjen në fuqi të ligjit më 12 mars kjo agjenci ka nisur menjëherë nga puna duke iu përgjigjur interesit të madh të qytetarëve. Berisha sqaroi se vetëm për Tiranën priten rreth 8 mijë kërkesa për të marrë faturën e cila do tu japë atyre të drejtë të legalizoj në ndërtimet e tyre me bono privatizimi. Tashmë ku proces ka filluar mjaft intensiv. Dhe ALUIZNI i qarkut të Tiranës por dhe ai për gjithë vendin boton listat e plotë të emrave të atyre personave të cilët kanë të drejtë të bëjnë legalizimin e banesës së tyre dhe për pasojë mund të plotësojnë kërkesën në njësitë përkatëse. Berisha sqaroi më tej se është shumë i madh numri i qytetarëve që duna të bëjnë pagesat e tyre me bono privatizimi. Madje sqaroi ai, janë dhe mbi 90 për qind e qytetarëve të cilët megjithëse kanë bërë pagesën me para në dorë kanë bërë kërkesë për rimbursim në mënyrë që një pjesë ta paguajnë me bono privatizimi.
Gati faturat
1538 dosjet e para të përgatitura nga ALUIZNI i qarkut të Tiranës janë gati dhe nëpërmjet zyrave postare të shkojnë në shtëpinë e çdo qytetari i cili ka bërë kërkesën për të legalizuar ndërtesën e tij. Burime zyrtare nga ALUIZNI bënë të ditur se dosje e plotë përmban kërkesën e bërë nga qytetarët, faturën e llogaritur nga ALUIZNI për tu paguar me bono privatizimi në bazë të përqindjes që aplikuesi ka paracaktuar në kërkesën e tij, por pa kaluar maksimumi, cili është 70 për qind e vlerës që mund të paguhet me bono. Sipas të njëjtave burime mësohet se pjesë e dosjes është gjithashtu dhe një tjetër dokument i cili përcakton detyrimin për pagimin e një takse për ndikimin në infrastrukturë e cila është vetëm 0.5 për qind e çmimit bazë të vendosur nga enti i banesave, rreth 140 lekë si dhe një tjetër faturë e cila pacakton një tarifë fikse për shërbimin prej 4 mijë lekësh. Të gjitha këto dokumente me shkresën zyrtare të AUIZNI-t u mundojnë qytetarëve që të paraqiten në bankën përkatëse për të bërë pagesë.
Ligji
Ligji i ri që ka hyrë në fuqi u jep mundësi qytetarëve që nëse dëshirojnë mund të shmangin pagesën me para në dorë duke aktivizuar bonot. Individët, të cilët kanë kryer pagesën e legalizimit në lekë kanë 3 muaj kohë, për të dorëzuar pranë ALUIZNI-t kërkesën për të përfituar nga pagesa me bono privatizimi. Në të qytetarët duhet të përcaktojnë saktë masën e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi dhe më pas agjencia do të shqyrtojë çdo rast për të bërë rimbursimin. Edhe ata që kanë ende një pjesë të mbetur parcele të palegalizuar, mund ta legalizojnë duke bërë pagesën në bono privatizimi siç parashikon ligji. Ndërkohë që në qershor mbyllet afati për paraqitjen e kërkesave, duke qenë se është lënë në dispozicion periudha 3-mujore. Ndërkohë që pjesa tjetër e qytetarëve që janë ende në proces, nuk do të kenë nevojë ti drejtohen zyrave të ALUIZNI-t me një kërkesë të tillë.
Bien interesat për bonot e thesarit
Bien përsëri normat e interesit të Bonove të Thesarit. Në ankandin e zhvilluar ditën e martë, norma e interesit të Bonove me afat maturimi 12 mujor ra në 8.52%, nga 8.56% që ishte në ankandin e mëparshëm. Edhe ankandi i fundit konfirmoi kështu tendencën e pandërprerë rënëse të interesave të Bonove të Thesarit, tendencë e nisur qysh në fillim të muajit nëntor. Në pesë muajt e fundit, normat e interesit për Bonot 12 mujore kanë rënë me afërsisht një pikë përqindjeje. E njëjta tendencë po shfaqet edhe në Bonot me afate më të shkurtra maturimi. Pak kohë më parë u zhvillua edhe ankandi i radhës për emetimin e Bonove me maturim 3 mujor, që rezultoi me një normë mesatare të ponderuar prej 6.04%, nga 6.13% që ishin në ankandin paraardhës. Interesat e Bonove të Thesarit kanë ndjekur në një masë të madhe uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në fund të muajit tetor, por edhe përmirësimin e ndjeshëm dhe gradual të gjendjes së likuiditetit të bankave. Ulja e interesit të Bonove ul koston e huasë për kredimarrësit në lekë dhe përbën një hallkë të rëndësishme të lirimit të kushteve monetare në tregje.
Rimbursimet për legalizimet me lekë në dorë
Të gjithë personat që kanë kryer legalizimet me lek në dorë mund të paraqesin një kërkesë pranë ALUIZNIT dhe të përfitojnë ribursim nga hyrja e fuqi e ligjit për legalizimet me bono. Mjafton një kërkesë pranë këtij institucioni ku të paracaktohet pjesa e shlyerjes në bono dhe pasi bëhet përllogaritja përfituesi derdh në bankë bonot dhe merr paratë. Duke nisur që nga data 12 mars e këtij viti, afati për dorëzimin e kërkesës është tre muaj, pra deri në qershor. Në këtë kërkesë, qytetari tregon se deri në çmasë do të paguajë tarifën në letra me vlerë. Pagesa do të bëhet nëpërmjet dy formularëve, për ata që e kanë kryer pagesën dhe do të rimbursohen për atë pjesë që do ta paguajë në letra me vlerë dhe një tjetër formular për ata që do të paguajnë për herë të parë. Formularët tërhiqen pranë zyrave të ALUIZNI-t, ku secili qytetar do të shënojë të dhënat përkatëse lidhur me masën e shlyerjes që i takon për parcelën ndërtimore. Çdo muaj përgatitet një mijë deri në dy mijë dosje, ku çdo qytetari i përgatitet dosja individuale. ALUIZNI monitoron gjithë zonën informale dhe më pas bëhen kalimet e pronësisë me vendim qeverie. Lidhet kontrata me qytetarin. Përgatitet fatura e pagesës për ndërtimin dhe parcelën ndërtimore. Qytetari kryen pagesën dhe lidh kontratën me ALUIZNI-n. Më pas, përgatitet dosja dhe kalohet për vendim qeverie. Pas këtij momenti, kryhet hipotekimi për kalimin e pronësisë.
Përqindja sipas zonave
Objektet e ndërtuara brenda vijave të verdha nisur edhe nga vlera më e madhe që ka toka në këto zona, ligjvënësi e ka zvogëluar sipërfaqen që mund të paguhet me letra me vlerë. Nëse ka ndërtuar një objekt brenda vijave të verdha duke zënë një hapësirë deri në 300 metër katror, pronari i saj mund të paguajë deri në 70 për qind të vlerës me bono privatizimi ndërsa pjesën tjetër me para në dorë. Ndërkohë për sipërfaqe mbi 300 metër katror, gjysma e tarifës mund të paguhet me bono privatizimi ndërsa gjysma tjetër me para në dorë bazuar mbi çmimin e tregut. ALUIZNI ka përjashtuar nga pagesa me letra me vlerë tarifat e legalizimit për objektet pa lejë që janë ndërtuar me qëllim social-ekonomik në zona brenda vijës së verdhë. Pronarët kanë kërkuar rritjen e fondit të përvitshëm në buxhetin e shtetit për kompensimin e pronarëve me arsyetimin se nëse vazhdohet me këto ritme për dëmshpërblimin e plotë të tyre do të duheshin shekuj të tërë. Ndërkohë, rritja e sipërfaqes së parcelës që paguhet me letra me vlerë pritet të stimulojë ndërtuesit e objekteve që të shlyejnë tarifën duke mbledhur sa më shumë të ardhura në arkën e shtetit.
Jashtë vijës së verdhë
Deri në 500 m² 70 % me letra me vlerë
Mbi 500 m² Me çmimin e tregut
Brenda vijës së verdhë
Deri në 300 m² 70 % me letra me vlerë
Mbi 300 m² 50 % me letra me vlerë
Ornela Manjani