Fondet publike, KLSh dhe Min. e Financave marrëveshje bashkëpunimi

Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj dhe Ministri i Financave Ridvan Bode
Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ministria e Financave nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi për të koordinuar veprimet e tyre gjatë monitorimit dhe kontrollit të mënyrës së përdorimit të fondeve publike.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi parashikon komunikimin e ndërsjellët të planeve dhe strategjive të auditimit të të dyja institucioneve, dokumentimin e proceseve operacionale dhe sistemeve të enteve të audituara, zhvillimin dhe kryerjen e procedurave të koordinuara të auditimit; si dhe investigimin e përbashkët të rasteve të dyshuara si mashtrim financiar apo korrupsion.
Ministri i Financave Bode theksoi gjatë nënshkrimit se me këtë bashkëpunim mund të ulet kosto e auditimeve dhe të rritet efiçienca e tyre.
Kryetari i KLSH Leskaj nënvizoi kërkesat e standardeve ndërkombëtare të fushës për këtë bashkëpunim mes auditimit të jashtëm dhe të brendshëm dhe u shpreh se pavarësia e institucionit të tij kushtetues me këtë ndërveprim nuk cënohet, përkundrazi, rritet, pse rritet edhe presioni i përbashkët kundër akteve të mashtrimit financiar dhe korrupsionit. /E.L/