Topalli në Slloveni: Kërkoj mbështetje për statusin

Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. Kryetarja e Kuvendit ka marrë këtë garanci nga homologu i saj Gregor Virant në ditën e parë të vizitës së saj në Slloveni.
Sllovenia sipas kryetares Topalli është një ndër vendet e rëndësishme të Bashkimit Evropian, e cila gjatë gjithë procesit ka qenë në mbështetje të Shqipërisë.
Kryetarja ka kujtuar qëndrimin e tyre për heqjen e vizave, ka qenë i jashtëzakonshëm, një impenjim total për të bërë që shqiptarët të lëvizin pa viza.
Kryetarja e Kuvendit tha se po i kërkon në këtë vizitë kolegut të saj të Parlamentit slloven, por edhe të autoriteteve të tjera të larta të shtetit për të mbështetur Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Homologu Virant u shpreh optimist për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti për Shqipërinë.
"Ne gjithmonë e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim fort Shqipërinë në perspektivën e saj Evropiane. Shpresojmë se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat sa më shpejt të jetë e mundur. Urojmë më të mirën për procesin e reformave në vend dhe jemi absolutisht të sigurt, se perspektiva e Shqipërisë do të jetë në Bashkimin Europian" u shpreh z. Virant.