Fondi Monetar Ndërkombëtar mbetet partneri më serioz i qeverisë shqiptare.

Ministria e Financave në reagim të deklaratës së sotme të nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Erjon Brace, kërkon t’i bëjë të ditur opinionit publik shqiptar se shpifja, trillimi dhe xhelozia janë baza e vetme e deklaratës së përfaqësuesit të opozitës. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave kanë përmbyllur një nga raundet më të suksesshme të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar, negociata që konkluduan rishikimin tejet të suksesshëm të raundit të fundit të marrëveshjes PRGF-EFF dhe konsultimet mbi projekt buxhetin e vitit 2009. Ky projekt buxhet në ndryshim nga ato që thuhen nga zyrtari i PS –së është projekt buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, është buxheti që akomodon dhe jep zgjidhjen për të gjitha problemet me të cilat ndeshet vendi, është projekt buxheti që realizon të gjitha premtimet e qeverisë për mandatin e saj dhe që me anë të kontigjencave të larta, krijon marzh të lartë sigurie për çdo të papritur që mund të ketë ekonomia shqiptare nga kriza botërore financiare. Zyrtarët e FMN –së deklaruan se Shqipëria do të ketë rritjen absolutisht më të lartë të PBB-së në rajon dhe më gjerë, dhe asnjë inat, shpifje apo trillim i ardhur nga politika e re e kryetarit Rama nuk mund ta errësojë sadopak këtë realitet. Gjithashtu Ministria e Financave hedh poshtë me neveri shpifjet sipas të cilave FMN po përzihet nga Shqipëria në vigjilje të zgjedhjeve me qëllim manipulimin e financave të shtetit dhe deklaron se Fondi Monetar Ndërkombëtar është dhe do mbetet një nga partnerët më seriozë të qeverisë shqiptare jo vetëm sot por edhe në të ardhmen. ...