E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Ilir Bano, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së komenton Progres-Raportin e KE-së

Qeveria ka rikthyer besimin dhe ka ngushtuar distancën midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së” “Kryesore është që në këto tre vite ka ndryshuar e po ndryshon nga dita në ditë besimi të aftësitë e qeverisjes tonë për të ngushtuar distancën midis Shqipërisë dhe vendeve të zhvilluara. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne nuk jemi më në toplistën e vendeve ku shteti është kapur nga krimi e korrupsioni, ku reformat kanë ngecur e për të cilët integrimi evropian është një ëndërr e largët. Duke pohuar këto të vërteta të dukshme e të pakundërshtueshme, ne jemi njëkohësisht realist dhe e dimë mirë rrugën që ende kemi për të bërë” Deputeti i Partisë Demokratike, nënkryetari i këtij grupi parlamentar Ilir Bano, komenton Progres-Raportin e KE-së, për Shqipërinë. Në një intervistë për gazetën “55”, ai i sheh realiste deklarimet e këtij Progres-Raporti. Me realizëm ai komenton edhe rekomandimet, ndërsa nuk vonon të theksojë faktin se rruga e reformave të suksesshme do të zgjasë Si e vlerësoni Progres-Raportin e KE-së për Shqipërinë? Ky raport tregon se Shqipëria ka bërë hapa të qëndrueshëm drejt plotësimit të standardeve për integrimin në Bashkimin Evropian, çka është konfirmuar së fundmi edhe nga një sërë organizmash të tjerë ndërkombëtare. Qartë dhe pa ekuivoke, që në fillim të pjesës që trajton ecurinë e vendit tonë, thuhet se Shqipëria ka bërë progres në drejtim të demokracisë dhe të zbatimit të ligjit. Më tej vlerësohen arritjet në luftën kundër korrupsionit, në lirinë e shprehjes, në konsolidimin e së drejtës së pronës, në rritjen e shpejtë ekonomike, në përafrimin e legjislacionit tonë me atë evropian, etj. Të gjitha këto e më gjerë janë trajtuar edhe në Kuvend e në media, prandaj nuk ia vlen të zgjatem në hollësi... A shihni rekomandime në këtë Progres-raport, dhe si i lexoni ato? Natyrisht, në Progres Raport theksohen edhe drejtimet që strukturat e shtetit shqiptar duhet të kenë në fokusin e tyre për të ardhmen, që nga përafrimi i standardeve të arrijmë gradualisht në njësimin e tyre. Kryesore është që në këto tre vite ka ndryshuar e po ndryshon nga dita në ditë besimi të aftësitë e qeverisjes tonë për të ngushtuar distancën midis Shqipërisë dhe vendeve të zhvilluara. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne nuk jemi më në toplistën e vendeve ku shteti është kapur nga krimi e korrupsioni, ku reformat kanë ngecur e për të cilët integrimi evropian është një ëndërr e largët. Duke pohuar këto të vërteta të dukshme e të pakundërshtueshme, ne jemi njëkohësisht realist dhe e dimë mirë rrugën që ende kemi për të bërë. Sipas jush, cila është fusha më e dukshme ku ende duhet ët vazhdojë kjo rrugë? Le të marrim si shembull korrupsionin. Me gjithë goditjen që ka marrë këto tre vite, megjithëse vetëm në mbledhjen e të ardhurave çdo vit shkojnë në buxhetin e shtetit rreth 1 miliard dollarë më shumë se para vitit 2005, shuma kolosale që grabiteshin nga qeveritë pararendëse socialiste, me gjithë ndryshimin rrënjësor në fushën e administrimit të shpenzimeve korrent dhe kapitale, etj., përsëri ne jemi të vetëdijshëm se ka ende punë për të arritur në nivelin e kërkuar. Dhe ky perceptim është gjithashtu një ndryshim i madh midis nesh dhe ish-shumicës së djeshme. Ata, ndonëse të zhytur në zhvatjen e pasurisë së shqiptarëve, asnjëherë nuk e pranuan as ekzistencën e dukurisë, se iu mungonte tërësisht vullneti për ndryshim të gjendjes. Përveç kësaj edhe tani, në interpretimin që i bëjnë këtij raporti ata e kanë të pamundur të jenë realiste, por vazhdojnë me sofizma e mashtrime. Opozita merr fraza të këtij raporti jashtë kontekstit ose objektiva që i vihen institucioneve shqiptare për të ardhmen dhe deformon vlerësimin real pozitiv për kuadrin e zhvillimit të vendit. Kjo nuk i shërben as vendit, por edhe opozitës në kuptimin më të ngushtë. Politika e mashtrimit dhe e shpifjes, që ata kanë adoptuar si aktivitet të opozitës dhe jo vetëm në këtë rast, është sa dritëshkurtër, edhe e pasuksesshme për atë vetë. Zhvillimi dhe progresi i vendit megjithatë do të vazhdoje me ritme edhe më të kënaqshme. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›