Fondi i OPEC vlerëson reformat e qeverisë për rritjen e investimeve

“Jemi të befasuar nga zhvillimi ekonomik, Shqipëria klimë të favorshme për bizneset”
Ekonomia shqiptare po rritet dita ditës me ritme befasuese, i këtij mendimi është Drejtor i Përgjithshëm i fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar Suleiman J. Al-Herbish. Gjatë një interviste të dhënë për Televizionin Klan, ai vuri në dukje mundësitë e shumta që ofron vendi ynë për investime dhe nga ana tjetër politikën që po ndjek qeveria për të mbështetur fuqishëm investitorët vendas dhe të huaj.
“Jemi të befasuar nga zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Në këtë vend kemi gjetur një klimë të favorshme për investimet. Besoj se kjo përshtypje është edhe nga ana e një numri të madh biznesmenësh me të cilët kemi biseduar gjatë konferencës për investimet që po mbahet në Tiranë”.
Fondi i OPEC ka 16 vite që asiston Shqipërinë me fonde që shkojnë në rreth 60 milionë euro. Drejtori i këtij institucioni pohon se bashkëpunimi me Shqipërinë do të vazhdojë edhe më tej.
“Shqipëria është një nga partnerët tanë që nga viti 1993. Në total kemi dhënë rreth 60 milionë euro. Kemi kompletuar tashmë 6 projekte në fusha të ndryshme në Shqipëri, kemi mbështetur sektorë të tillë si shëndetësia, infrastruktura rrugore, edukimi. Bashkëpunojmë si me sektorin privat dhe atë shtetëror. Po studiojmë mundësinë për nisjen shumë shpejt edhe të 3 projekteve të tjera”, tha ai.
Fondi OPEC është një institucion global i krijuar në vitin 1976 nga vendet e Organizatës Eksportuese të naftës. Shqipëria është një prej 120 vendeve në zhvillim që mbështet kjo agjenci nëpërmjet financimit të projekteve që tentojnë përmirësimin e kushteve social-ekonomike.
Ndërkaq, fondi i OPEC ka akorduar në Durrës fonde për ndërtimin e spitalit.
Drejtori i Përgjithshëm i OPEC Al-Harbish, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahija, inspektuan dje përfundimin e fazës së dytë të punimeve në kompleksin spitalor të qytetit të Durrësit, investim që kap vlerën e 7 milionë eurove.
I kënaqur me ecurinë e punimeve, Al Harbish, pohoi se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare do të vijojë edhe më tej, duke premtuar ndërtimin e pavijonit të pediatrisë.
...