Kreu i qeverisë paralajmëron zbatimin e ligjit për spekullantët që paraqiten si pronarë të paligjshëm të tokave publike, në qendër të kryeqytetit

“Trualli në qendër të Tiranës, tokë shtetërore - të ardhurat nga shitja, fond për ish pronarët”
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje gjatë mbledhjes së qeverisë publikimin e gjithë dokumenteve, të cilat provojnë në mënyrë të detajuar, se toka që ndodhet mes Rrugës së Durrësit me atë të Kavajës përfshirë dhe Dhomën e Tregtisë është publike. Kryeministri ngarkoi për këtë ministrat Sokol Olldashi e Dritan Prifti duke theksuar se falsifikatorët e mbrojtësit e tyre do të marrin përgjigje ligjore.
Kryeministri paralajmëroi dhe shitjen e kësaj toke bazuar në atë çfarë parashikon ligji në rastet e shitjes së pronës publike. Të gjitha paratë do të shkojnë në fondin e kompensimit të ish-pronarëve.
“Qendra e Tiranës në çdo centimetër të saj ishte vetëm tokë publike me dokumentet më të qarta. Zotërinj ministra dua tu rikujtoj se ndërtesa e Ministrisë së Kulturës sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve është ndërtuar në vitin 1932 nga lartmadhëria e tij Mbreti Zogu i I-rë, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me kodin civil. Zoti Ministër i Punëve Publike duhet tua japësh fotot e albumit të gjitha mediave. Më sipër është një barakë e ndërtuar nga fundi i viteve 1800, një kazermë ushtarake turke. Me të gjitha dokumentet, ajo është një dhomë tregtie, më vonë spital austro-hungarez e pastaj gjimnaz. Dhe tani na del se qenka pronë e asaj apo kësaj familje. Falsifikatorët do të marrin përgjigjen që meritojnë, po kështu dhe ata që mbrojnë falsifikimin. Ajo ndërtesë është mbi 100 vjeçare. Më sipër janë varrezat e Karapicëve dhe xhamia e Karapicëve. Ka dokumente për këtë. Lartmadhëria e tij Zogu i I-rë ndërtoi sheshin dhe hoqi të gjitha varrezat familjare ose shtëpiake që ishin brenda qytetit. I bëri të gjitha ato me shpronësim të plotë. Edhe xhaminë e rrafshoi për të ndërtuar sheshin, por e kompensoi. Këtu nuk janë në lojë shuma të vogla, por të paktën 110 milion euro”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu referuar çështjes së pronave dhe problemeve të panumërta që kanë si pasojë e abuzimeve me dokumentacionin, kryeministri paralajmëroi se do t’i jepet fund abuzimeve me dokumentacionet, të cilat krijojnë pronarë të paligjshëm, në toka publike. Berisha tha se vitin që vjen dhe në vazhdim do të ndërmerret regjistrimi më i gjerë, që është bërë deri më sot, i qytetarëve dhe pronave kudo që ata ndodhen.
Duke e vlerësuar këtë ndërmarrje, si një arritje të madhe, kryeministri tha se në këtë mënyrë do të krijohet fondi përfundimtar dixhital i pronësisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria nuk do të mbledhë për buxhetin e vet as edhe një qindarkë të vetme, por të gjitha do t’i vendosë në mënyrën më transparente dhe më të ndershme në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve.
“Mund të bëhet edhe një ligj i veçantë për shitjen e tyre me ankand dhe tua kthejmë pronarëve. Mund të ketë edhe ide të tjera, por ne do t’i shesim ato me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet, por i gjithë ky fond prej 112 milion euro gradualisht me kalimin e tij do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve”, tha Berisha.
Kryeministri shtoi se do të bëhen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në ligje apo vendime të caktuara, për mbarëvajtjen e procesit të kompensimit.
“Ka një problem, ka një ligj të vitit 1994, ku qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave, për qëllime të caktuara. Ai vendim është shumë i dobishëm sepse ka pasur si qëllim që të mbrojë dhe të mos lejojë shitjen e pronave pa u kompensuar pronari, po aty ne mund të ndërhyjmë dhe të fusim kompensimin e pronarëve dhe krijimin e fondeve për ta, sepse aty është e përcaktuar se kur këshilli i ministrave mund të marrë vendim për të shitur tokën publike. Ndaj dhe do të bashkërendoni të gjithë veprimtarinë. Do të përdoren në mënyrën më transparente, më të ndershme dhe çdo gjë në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve”, tha më tej në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë Berisha.
...