E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi i ekselencës, Berisha: Të përfitojnë dhe studentë nga Kosova e Maqedonia

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha tha sot, gjatë shpërndarjes së diplomave për studentët më të mirë, se "brenda vitit 2013 përfituesit e fondit të ekslenecës do të kapin shifrën 300. Rritja e numrit të studentëve ekselentë duhet të jetë parësore”.

Duke theksuar se këtë vit 63 kandidatë kanë përfituar nga fondi i ekselencës, kreu i qeverisë tha që objektiv për vitin 2013 do të rritja e cilësisë në arsimit si dhe shtimi i përfituesve të fondit të ekselencës me studentë shqiptare dhe nga jashtë vendit.

Gjithashtu Kryeministri kërkoi që në këtë fond të përfshihen të gjithë studentët që aplikojnë dhe fitojnë në 15 universitetet më të mira të planetit, pavarësisht numrit të tyre.
"Duhet ta shndërrojmë fondin e Ekselencës dhe "Brain Gain" në 2 mekanizma të fuqishme të konsolidimit të softit perëndimor të kombit shqiptar. Duhet të bëjmë gjithçka që nga ky fond të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, nga Maqedonia, nga Diaspora, të përfitojnë shqiptarët kudo që ndodhen", theksoi Kryeministri Berisha gjatë dhënies së diplomave për studentët e fondit të Ekselencës. 

Kryeministri garantoi se "i vetmi fond që është pa limit është ky fond, sa të jetë kjo qeveri". "Ne do të mbështesim çdo vajzë dhe djalë që aplikon në 15 universitetet e para të botës pavarësisht nga numri i atyre që fitojnë”, u shpreh Berisha.
Prandaj, vijoi Kryeministri, "duhet të gjejmë një mekanizëm që të inkurajojmë të gjitha ekselencat, nga maturat, në vitet e para dhe të gjitha vitet në vazhdim, që me guxim dhe kurajo të aplikojnë në këto universitete".

Sipas tij, "kjo është një çështje shumë e madhe, e cila ka të bëjë me themelin e zhvillimit tonë. Shqipëria vend i zhvilluar, do të mund të jetë vetëm Shqipëria e bazuar në dije. Ekonomia shqiptare, ekonomi e zhvilluar, do mund të jetë, vetëm ekonomi e bazuar në dije”, u shpreh Berisha.
"Ne sëbashku kemi bërë një transformim epokal dhe unë jam i vetëdijshëm për barrën e rëndë që ju përballoni në universitetet e vendit”, tha Kryeministri, duke iu drejtuar pedagogëve.
"Në vitin 2004-2005 ky vend kishte 12 studentë për 1000 banorë. Këtë vit Shqipëria nga 40 studentë për 1000 banorë, që është mesatarja e Bashkimit Evropian, ka 49 studentë për 1000 banorë. Kjo është një arritje historike, epokale e jona. Ambicjen tonë e realizuam dhe vazhdojmë", tha Kryeministri.

Duke shprehur kënaqësinë për ecurinë e këtij projekti, Kryeministri kërkoi nga dekanët, rektorët, pedagogët, zyrtarët e ministrisë, “që të bëjnë gjithçka për të shtuar numrin e atyre që ne përcjellim çdo vit për doktoratura në universitetet më të mira".
"Të mos lëmë asnjë nga degët pa i përfshirë në fondin e Ekselencës. Të mos jetë burokracia një pengesë", u shpreh Kryeministri Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›