E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, Berisha: Sipas Kushtetutës, të jetë në lartësinë e duhur

TIRANE - Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012, kryeministri Sali Berisha deklaroi se ky është viti jubilar i 100-vjetorit të pavarësisë dhe qeveria do të bëjë gjithçka për ta kthyer në vitin e merituar të Shqipërisë.

Shefi i qeverisë i kushtoi vëmendje të veçantë zgjedhjes së presidentit të ri dhe bashkëpunimit me opozitën. Kryeministri theksoi se kryetari i ri i shtetit do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, duke hedhur poshtë çdo propozim për zgjidhjen e presidentit nga populli.

“Ky është viti i zgjedhjes se presidentit. Garantoj se do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Çdo përpjekje për të imponuar dëshira suplementare në raport me Kushtetutën do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerët. Të bëjmë përpjekje për t’i dhënë vendit një president në lartësinë e detyrave, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, me integritet të plotë.”- deklaroi kryeministri Berisha.

Duke garantuar opozitën për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur, Berisha theksoi se pret votimin e ligjeve në Kuvend, ashtu siç e parashikon edhe pakti i nënshkruar.
“Politika e pengut dështoi, një vend i lirë me besim tek liria, ligjet dhe Kushtetuta nuk mund të merret peng kurrë. Qëndrojmë të hapur për një bashkëpunim të sinqertë në të mirë të vendit. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen siç është marrëveshja.”- vijoi më tej shefi i qeverisë.

Ndër të tjera, kryeministri nënvizoi angazhimin e qeverisë, për t’i bërë shqiptarët të ndihen krenarë për vendin e tyre.

“Ky vit duhet të jetë viti i themelit të 100-viteve që vijnë, i vizionit të Shqipërisë. Duhet të jetë një vit në të cilin qytetarët duhet të ndihen më krenarë dhe më të vlerësuar se kurrë në historinë e tyre, krenarë në ato që kanë realizuar ata vetë. Ta shndërrojmë këtë vit në vitin e vizionit dhe të një qëllimi të ri për shqiptarët dhe Shqipërinë.”- u shpreh Berisha.

Duke përmendur arritjet e vitit që lamë pas, Kryeministri Berisha u shpreh i bindur se viti 2012 do të jetë në një histori suksesi.
"Të ardhurat tatimore e doganore në 31 dhjetor 2011 ishin 295 miliardë lekë, pra 400 milionë dollarë më shumë se në 2009. Stadi i zhvillimit i kombit shqiptar është i rëndësishëm. Shqipëria nuk u prek nga kriza ekonomike botërore"- deklaroi kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha në mbledhje qeverie

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›