E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi për veriun dhe IBM presin marrëveshjen midis kryeministrave

Fondi për veriun dhe zbatimi i marrëveshjes doganore nuk do të fillojnë të funksionojnë përderisa nuk do të ketë një marrëveshje në Bruksel.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës që kanë marrë pjesë në takimin e fundit në Bruksel në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) i kanë thënë Radio Kosovës se zbatimi më i plotë i kësaj marrëveshje po pret një rezultat të dialogut në mes dy kryeministrave.

Takimi i grupit punues për Menaxhimin e Integruar të Kufijve ka dal të jetë pa rezultate sa i përket doganave në veri. Gjithë planifikimi i mëparshëm për marrëveshjen doganore dhe fondin e veriut duket se do të marrin nuanca të reja pas një marrëveshje që mund të arrihet në Bruksel në fillim të prillit.

Një nga anëtarët ekipit kosovar që kryesohej nga Edita Tahiri i ka thënë Radio Kosovës se gjërat në praktikë mund të lëvizin pas një marrëveshje të mundshme mes kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës .

Sipas të njëjtit nuk do të mund të themelohet fondi i veriut dhe as të aplikohen taksat e rregullta doganore pa u definuar çështja e rolit dhe kompetencave të asosacionit të komunave serbe.

Zyrtarisht askush nga autoritetet vendore nuk ka shpjeguar çështjen e marrëveshjes për doganat .

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Doganave, Bajram Rexha ka thënë se në dy takimet që ai ka marrë pjesë së fundi në Bruksel nuk është diskutuar kjo çështje.

“Kjo çështje nuk është diskutuar dhe nuk është folur për ndonjë afat. Tash janë çështje edhe të Thesarit, aplikimi i fondit ose format e realizmit për inkasim”, i ka thënë Rexha Radio Kosovës.

Gjatë bisedimeve të janarit Serbia dhe Kosova kishin gjetur një zgjidhje të përkohshme për çështjen e doganave që përfshinte derdhjen e taksave të mbledhura në veri në një fond të veçantë që menaxhohet nga serbët e veriut, institucionet kosovare nën mbikëqyrjen e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë.

Kjo marrëveshje që sipas ligjit për doganat nuk nënkupton që Kosova të mbetet një zonë unike doganore duket se do të ndryshoj sërish./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›