Komunës së Skenderajt i teprojnë një milion e gjysmë euro

Komiteti i Politikës dhe Financave i KK të Skenderajt ka mbajtur mbledhjen e radhës. Ndërsa ka miratuar shpenzimet e buxhetit për 2012, prej 10, 257,775.90 eurosh, ose 98 për qind.
Por ata kritikuan shpenzimet e larta, arsyetuan përgjysmimin e të hyrave vetjake, ndërkohë që s’u tha asnjë fjalë për borxhet e bartura në vitin 2013, prej mbi 1.5 milionësh.
Shahin Tahiri ka thënë se shpenzimet në total janë rritur 3 për qind, ndërsa si rritjet më të mëdha ai përmendi shpenzimet për udhëtime jashtë vendit për të cilat tha se nga 5.200 euro (2011) janë rritur në 17.000 (2012). “Mandej, shpenzimet për pajisje në vlerë më pak se 1.000 euro janë ngritur për rreth 60 për qind, sa edhe furnizimet për ushqim e pije, derivatet për gjeneratorë janë më të mëdha 83 për qind, me gjithë faktin se ka pasur më pak reduktime se një vit më herët, por që edhe shpenzimet e energjisë janë rritur për 24 për qind”, ka numëruar Tahiri.
Ndërkaq kolegu i tij nga KPF-ja, Sylë Dervishi, ka qenë më modest në vërejtjet e tij, duke thënë se shpenzimet kanë mundur t’ishin të paktën 10 për qind më të vogla.
E nënkryetari i Komunës, Fadil Nura, duke arsyetuar shpenzimet jashtë vendit ka thënë se ato janë rritur për shkak se pos kryetarit jashtë vendit kanë udhëtuar edhe 5 zyrtarë, ndërsa shpenzimet për ushqim e pije i ka arsyetuar me ndarjen e dhuratave për shërbyesit civilë për Vitin e Ri.
As ekzekutivi, as anëtarët e KPF-së nuk e thanë asnjë fjalë për borxhet e bartura të Komunës në vitin 2013, në vlerë prej mbi 1.5 milionë eurosh. Askush nuk ka pyetur as për faktin se si është zvogëluar borxhi 61 për qind, kur vetëm një vit më herët borxhet e Komunës ishin 3.819 milionë.
Ky raport iu rekomandua KK-së, njëzëri sikur edhe 3 propozimet tjera të cilat ishin në rend të ditës së mbledhjes. Një sipërfaqe prej 7. 60 arësh, në sheshin “Adem Jashari” ish- aset i IMN Përparimi”, u rekomandua të shpallet zonë me interes publik, edhe pse pati dilema se a është në harmoni me ligjin.
U rekomandua edhe caktimi i lokacionit për Stacionin e autobusëve (në hapësirën ku aktualisht është tregu i gjelbër) pasi Skenderaj është e vetmja komunë në Kosovë, stacioni i autobusëve të së cilës ishte privatizuar.
KK-së iu rekomandua që të marrë vendimin që realizimi i projektit të këtij stacioni të bëhet me ankand publik, sikur që u rekomandua që një qytetari të pastrehë t’i jepen 5 mijë euro për ndërtimin e shtëpisë./Indeksonline/