Terminali i autobusëve të juglindjes, qytetarët shprehen të kënaqur, por largësia mbetet problem

Terminali i ri i autobusëve të juglindjes është tashmë funksional në zonën e Lundrës. Terminali, i cili ndodhet pranë Unazës së Madhe dhe autostradës Tiranë-Elbasan është ndërtuar në një hapësirë prej 14 mijë metra katrorë dhe ka në dispozicion 65 vende për mjetet.
Gjithashtu në ambientet e terminalit ndodhet një stacion për shërbimin taksi dhe të linjave të transportit urban, të cilët transportojnë qytetarët drejt destinacioneve të tyre. Qytetarët shprehen të kënaqur për terminalin e ri, por mbetet problem largësia me qendrën.
“Këtu është ambienti i pastër. Atje ishim jashtë në shi, në dëborë”
“E bukur me kushte me të mira dhe me oraret jemi të kënaqur”
“Mirë më duket, por është larg nga qendra”, thanë disa qytetarë.
Ndërkohë që edhe vetë drejtuesit e mjeteve të transportit shprehen se terminali ofron kushte të favorshme, por largësia me qendrën i bën të humbasin pasagjerë.
“Oraret janë sipas grafikut, janë të sakta. Terminali është thuajse perfekt, por spekulojnë makina që marrin pasagjerët që nga qendra dhe ikin”, tha një drejtues i transportit.
Në terminalin ka mjedise të hapura, me holle, salla pritje për pasagjerët, biletari, ambiente çlodhëse për qytetarët dhe shërbime të tjera.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/