Opozita bllokon votimin në Kuvend, mazhoranca humbet shumicën
Opozita i është kthyer politikës së vjetër bllokuese të Kuvendit. Nuk bëhet fjalë kësaj here për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash dhe për të cilët ajo kërkon si shkëmbim reformën parlamentare dhe atë zgjedhore, por për një ligj që mund të miratohet edhe me shumicë të thjeshtë. Pra, bëhet fjalë për projektligjin “Për shërbimin veterinar”, i cili dje është bllokuar pa mundur të votohet në tërësi, për shkak se opozita është tërhequr nga votimi në momentin e fundit, duke bërë kështu që mazhoranca e djathtë të humbasë shumicën e duhur të zhvillimit të seancës dhe të miratimit të tij. Kështu, pasi votuan kundër për ligjin “Për mbetjet e ngurta”, opozita ka kuptuar se në sallë e djathta kishte vetëm 68 vota, pra të mjaftueshme për të vijuar e vetme votimin, ndaj ka vendosur që të mos marrë pjesë më në të, megjithëse qëndroi prezente në sallë. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ai që ka evidentuar këtë moment dhe i ka kërkuar kryetares së Kuvendit që të ndërpresë votimin deri sa mazhoranca të arrinte numrat e duhur. Ndaj ai i ka urdhëruar deputetët e tij që të heqin kartat e prezencës nga aparaturat e votimit elektronik, megjithëse për këtë një pjesë e deputetëve kanë shfaqur hapur pakënaqësitë e tyre. Pavarësisht këtij veprimi, kryetarja e Kuvendit ka vijuar të votojë nismën në fjalë nen për nen, por pas konsultimeve me juristët ka vendosur ta ndërpresë votimin në tërësi të tij, për të mos krijuar mundësinë e rrëzimit të projektligjit për shkak të mos arritjes së kuorumit të duhur të votave. Për këtë qëllim ajo ka ndërprerë dhe për disa minuta seancën, ku ka tentuar t’i mbushë mendjen opozitës që të marrë pjesë në votim, si dhe nga ana tjetër të thërrasë deputetët e djathtë që mungonin në sallë. Pas rifillimit të seancës, kryetarja Topalli ka deklaruar shtyrjen e miratimit të ligjit në tërësi për seancën tjetër.