Forbes: Sa keq që nuk e klonojmë dot Berishën të sillte taksën e sheshtë në SHBA
Të paktën dy njerëz në botë mendojnë se Sali Berisha ia ka dalë me sukses me taksën e sheshtë. I pari është Sahit Muja, një tropojan delirant, që shkruan nëpër forume dhe i dyti është Steve Forbes, një amerikan delirant, që ka në pronësi revistën e njohur. Ky i dyti, sa herë Berisha shkon në SHBA, e nxjerr në revistë për të treguar se suksesi që ka shënuar ai me taksën e sheshtë duhet të kopjohet nga amerikanët. Forbes është një mbrojtës i zjarrtë i taksës së sheshtë. Por për ters amerikanët nuk po e dëgjojnë për ta aplikuar. Aq i lidhur është Forbes me këtë taksë, sa po të kërkosh për emrin e tij, më përpara të shfaqet fjala flat tax. Por të paktën dikush e dëgjon Forbes dhe ai është kryeministri shqiptar. Në një editorial të Forbes, publikuar një vit më parë, ai thotë se Shqipëria është ekonomia më vibrante në Europë. Varfëria në SHBA po rritet me shpejtësi, kurse në Shqipëri po bie në mënyrë dramatike, shkruan Forbes, që thekson se ndërsa Obama nuk po punon siç duhet me ligjet për kontratat e të drejtat e pronës, Shqipëria po shkon krejt në kah të kundërt. Tani se si është puna e kontratave dhe pronave në Shqipëri, këtë mos ta përmendim fare. Shqipëria po forcon gjyqësorin dhe qeveria po qartëson ligjet për të drejtën e pronës, shkruan Forbes në editorialin e tij me titullin Një mi që ulërin si luan. Amerikani thotë se kjo i dedikohet aplikimit të taksës së sheshtë nga qeveria.
Forbes thotë se babai i kësaj mrekullie ekonomike quhet Sali Berisha. Sa keq që shkenca nuk ka ecur aq shumë sa të krijonte mundësinë që të klononim Sali Berishën dhe ta zëvendësonim me të gjithë zyrtarët ekonomikë në qeverinë tonë, shkruan Forbes.