E Diel, 1 Nëntor 2026

Forca bindëse e romanit



Për të pajisur një roman me forcë bindëse, duhet që historia e tij të rrëfehet në mënyrë të tillë, që ajo të shfrytëzojë çdo përvojë vetjake, të mishëruar në subjekt a te personazhet: njëkohësisht, rrëfenja t’i përçojë lexuesit iluzionin e mëvetësisë ndaj botës reale, ku ai banon. Sa më i pavarur e i vetëmjaftueshëm të na duket një roman, dhe sa më shumë të na krijojë përshtypjen se gjithçka që ndodh aty vjen si rrjedhojë e mekanizmave të brendshëm të historisë dhe aspak prej imponimit arbitrar të një vullneti të jashtëm, aq më e fortë është forca bindëse e tij.

Kur një roman na jep përshtypjen e vetëmjaftueshmërisë, e të qenit i çliruar prej jetës së vërtetë, e të ngërthyerit në vetvete të gjithçkaje që i kërkohet për të ekzistuar, atëherë ai ka mundur të arrijë aftësinë më të epërme për të na bindur, duke ua marrë mendjen lexuesve dhe duke i bërë ata ta besojnë atë që u rrëfehet. Romanet e mira, ato të mëdhatë, në të vërtetë duken sikur nuk thonë gjë; përkundrazi, falë forcës së tyre bindëse, ato na bëjnë t’i jetojmë dhe të marrim pjesë në to.

Vetëm romanet e këqija janë ato që ushqejnë tjetërsimin që Brecht-i dëshironte të përjetohej nga spektatorët e tij, për të nxjerrë mësimet politike që ai synonte të përçonte me dramat e tij. Romanet e këqija, të cilave u mungon forca bindëse, ose që kanë vetëm një grimë prej saj, nuk na bindin se gënjeshtra që po na tregojnë është e vërtetë; “gënjeshtra” del para syve tanë ashtu siç është: një krijim, një sajim arbitrar, i pajetë, që lëviz ngathët e rëndë si kukullat në teatrin e kukullave.

Mario Vargas LLOSA

Mik i dashur, ke të drejtë. Letrat e mia të para me hipotezat e vakëta rreth zanatit letrar dhe pikënisjes së temave të shkrimtarëve, për të mos folur pastaj për alegoritë zoologjike – tenja, catoblepas, ishin tejet abstrakte, ndërsa hamendësimet rreth tyre, fatkeqësisht, të paverifikueshme. Kjo do të thotë se ka ardhur çasti të merremi me çështje më pak subjektive, me çështje që janë të rrënjosura më konkretisht në praktikën letrare. Atëherë, le të flasim rreth formës, e cila sado paradoksale të duket, është veçoria më konkrete e romanit, sepse është pikërisht ajo që i jep romanit trajtë e brendi.
Por, përpara se të ngremë velat dhe të nisemi për lundrim në ujëra joshëse për ata që, si unë e ti, e dashurojnë dhe e ushtrojnë zanatin e rrëfimtarit, ia vlen të përcaktojmë atë që tashmë ti e di më së miri, ndonëse për shumicën e lexuesve nuk është shumë e qartë: ndarja e formës nga brendia (apo temës dhe stilit nga struktura e rrëfimit) është artificiale, e pranueshme vetëm kur e shpjegojmë apo analizojmë; kjo gjë, në të vërtetë, nuk ndodh kurrë, pasi historia që rrëfen një roman është e pandarë prej mënyrës si tregohet ajo. Kjo mënyrë është ajo që përcakton nëse historia është e besueshme ose jo, prekëse ose qesharake, komike ose dramatike. Mund të thuhet, natyrisht, se “Mobi-Dik” është historia e një kapedani detesh, i marrosur pas një balene të bardhë, të cilën e ndjek nëpër të gjithë oqeanet e botës dhe se “Don Kishoti” rrëfen aventurat dhe ngatërresat e një kalorësi gjysmë të marrë, i cili rreket të riprodhojë në pllajat e Mançës bëmat e heronjve të letërsisë kalorësiake. Por gjithkush, që i ka lexuar këto romane, a nuk do të dallonte në përshkrimim e këtyre fabulave gjithësitë, pafundësisht të pasura e të holla të Melville-it dhe Cervantes-it? Për të shpjeguar mekanizmat që sjellin në jetë një histori, ndarja e brendisë nga forma pranohet, por vetëm me kusht që të bëhet e qartë se kjo nuk ndodh kurrë natyrshëm, të paktën jo te romanet e mira. Nga ana tjetër, mund të thuhet se kjo gjë ndodh, por ama, në romanet e këqija, e kjo është edhe arsyeja përse quhen të këqija, ndërsa në romanet e mira ajo që rrëfehet dhe mënyra si rrëfehet janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Këto romane janë të mira sepse, në sajë të efektivitetit të formave, kanë një forcë të jashtëzakonshme bindëse.

* * *
Në rast se para se të lexoje librin “Metamorfozat, do të të thonin se ai bën fjalë për shndërrimin e një punonjësi të humbur zyre në një kacabu të pështirë, me siguri do të kishe gogësitur dhe do kishe thënë me vete se nuk kishe pse të lexoje një histori të tillë qesharake. Por, meqenëse e ke lexuar këtë histori, të cilën Kafka e rrëfen në mënyrë aq të magjishme, e “beson” me gjithë shpirt mjerimin e tmerrshëm të Gregor Zamzës: njëjtësohesh me të, vuan me të dhe i njëjti dëshpërim, që shkatërron të ngratin personazh, të kaplon edhe ty, derisa me vdekjen e tij rikthehet jeta e mëparshme e rëndomtë (përpara se të trazohej prej aventurës fatkeqe). Dhe ti e beson historinë e Gregor Zamzës, sepse Kafka ishte i aftë të gjente mënyrën e rrëfimit të saj – me anë të fjalëve, heshtjes, zbulimeve, hollësirave, me organizimin e informacionit dhe rrëfimin e rrjedhshëm – që rrëzojnë të gjitha muret mbrojtëse të lexuesit dhe kapërcejnë të gjitha rezervat mendore që ai mund të ketë, kur përballet me një rrëfenjë të tillë.
Për të pajisur një roman me forcë bindëse, duhet që historia e tij të rrëfehet në mënyrë të tillë që ajo të shfrytëzojë çdo përvojë vetjake, të mishëruar në subjekt apo te personazhet: njëkohësisht, rrëfenja duhet t’i përçojë lexuesit iluzionin e mëvetësisë ndaj botës reale, ku ai banon. Sa më i pavarur dhe i vetëmjaftueshëm të na duket një roman, dhe sa më shumë të na krijojë përshtypjen se gjithçka që ndodh aty vjen si rrjedhojë e mekanizmave të brendshëm të historisë dhe aspak prej imponimit arbitrar të një vullneti të jashtëm, aq më e fortë është forca bindëse e tij. Kur një roman na jep përshtypjen e vetëmjaftueshmërisë, e të qenit i çliruar prej jetës së vërtetë, e të ngërthyerit në vetvete të gjithçkaje që i kërkohet për të ekzistuar, atëherë ai ka mundur të arrijë aftësinë më të epërme për të na bindur, duke ua marrë mendjen lexuesve dhe duke i bërë ata ta besojnë atë që u rrëfehet. Romanet e mira, ato të mëdhatë, në të vërtetë duken sikur nuk thonë gjë; përkundrazi, falë forcës së tyre bindëse, ato na bëjnë t’i jetojmë dhe të marrim pjesë në to.
Me siguri e njeh teorinë e famshme të efektit tjetërsues të Bertolt Brecht-it. Ai besonte se, për të pasur sukses në të shkruarit e letërsisë epike dhe të teatrit didaktik të propozuar prej tij, ishte i rëndësishëm krijimi i një metode për vënien në skenë të dramave - ajo të pasqyrohej në lëvizjet apo fjalitë e aktorëve e, madje, edhe në ndërtimin e skenave – metodë që gradualisht do të shkatërronte “iluzionin” dhe do t’u kujtonte spektatorëve se ajo që ata shihnin nuk ishte jeta e vërtetë, por teatër, fabrikim, shafqje, nga e cila gjithsesi duheshin nxjerrë përfundime e mësime nxitëse për të vepruar dhe reformuar. Nuk e di se çfarë mendon për Brecht-in. Unë besoj se ai ka qenë shkrimtar i madh që, ndonëse shpesh pengohej nga qëllimet e tij propagandistike dhe ideologjike, dramat i ka të shkëlqyera e, fatmirësisht, shumë më bindëse se teorizimet e tij.

* * *
Në përpjekjet e tij për të qenë bindës, romani synon të arrijë pikërisht efektin e kundërt: të zvogëlojë largësinë që ndan letërsinë nga realiteti dhe, pasi ta ketë kapërcyer atë kufi, ta bëjë lexuesin të përjetojë gënjeshtrën e letërsisë sikur të qe e vërteta më e amshuar, ndërsa iluzionet si përshkrimet më të vijueshme dhe bindëse të realitetit. Ky është rrengu që na punojnë romanet e mëdha: na bindin se bota është ashtu siç e përshkruajnë ato, sikur letërsia të mos qe ajo që është në të vërtetë, pikturë e një bote të hallakatur e të rindërtuar, për të kënaqur thirrjen e brendshme zotvrasëse për të ribërë realitetin, atë thirrje që vë në lëvizje profesinonin e romancierit, pavarësisht nëse ai e di këtë apo jo. Vetëm romanet e këqija janë ato që ushqejnë tjetërsimin që Brecht-i dëshironte të përjetohej nga spektatorët e tij, për të nxjerrë mësimet politike që ai synonte të përçonte me dramat e tij. Romanet e këqija, të cilave u mungon forca bindëse, ose që kanë vetëm një grimë prej saj, nuk na bindin se gënjeshtra që po na tregojnë është e vërtetë; “gënjeshtra” del para syve tanë ashtu siç është: një krijim, një sajim arbitrar, i pajetë, që lëviz ngathët e rëndë, si kukullat e një mjeshtri mediokër teatri kukullash, fijet e të cialve, të vëna në lëvizje prej krijuesit të tyre, janë krejtësisht të dukshme dhe i bëjnë ato t’u përngjajnë karikaturave të qenieve të gjalla. Bëmat apo vuajtjet e këtyre karikaturave kanë shumë pak të ngjarë të na prekin: në fund të fundit, edhe ato vetë nuk përjetojnë asgjë. Nuk janë asgjë më shumë se hije të robëruara, jetë të huazuara në duart e një mjeshtri të gjithëpushtetshëm.
Natyrisht, autonomia e letërsisë nuk ekziston me të vërtetë – edhe ajo është krijim i mendjes. Kjo do të thotë se letërsia është autonome vetëm në kuptimin figurativ. Kjo është edhe arsyeja përse kam qenë disi i kujdesshëm, kur i referohem dhe kur flas për “iluzionin e autonomisë”, për “përshtypjen e vetëmjaftueshmërisë, e të qenit i çliruar prej jetës së vërtetë.” Këto romane shkruhen prej dikujt. Ky fakt, pra, që ato nuk janë produkt i një krijimi spontan, i bën ato ta varura, e lidh secilin prej tyre me një fije umbilikale me pjesën tjetër të botës.
Por ajo që i lidh romanet me jetën e vërtetë, nuk është vetëm pasja e një autori; në rast se të rrëfyerit e historisë së një romani nuk e pasqyron botën ashtu siç jetohet nga lexuesit, romani do të ishte diçka e largët dhe memece, një sajesë që na lë jashtë saj: ai nuk do të kishte kurrë forcë bindëse, nuk do t’i bënte kurrë për vete lexuesit, nuk do t’i joshte dhe bindte ata për vërtetësinë e vet dhe nuk do t’i bënte të jetonin atë që rrëfehet, sikur të ishte përjetimi i vetë atyre.
Këtu qëndron edhe mëdyshësia e çuditshme e letërsisë: ajo duhet të synojë të jetë e pavarur, e vetëdijshme se skllavëria e saj ndaj realitetit është e pashmangshme, të sugjerojë përmes teknikave të sofistikuara një autonomi dhe vetëmjaftueshmëri po aq mashtruese, sa edhe meloditë e një opere, të cilat janë të ndara nga veglat apo grykët që i prodhojnë ato.
Këto mrekulli arrihen në sajë të formës – kur ajo funksionon. Në terma praktikë, jemi në prani të një tërësie të pandashme, të përbërë nga dy komponentë njëlloj të rëndësishëm që, edhe pse gjithnjë të lidhur mes tyre, mund të ndahen për qëllime analize e shpjegimi: stili dhe renditja. Stili, natyrisht u referohet fjalëve, mënyrës së të shkruarit të një historie; renditja ka të bëjë me organizimin e elementeve të historisë. Për ta thjeshtuar edhe më, renditja lidhet me boshtet kryesore të të gjitha ndërtimeve romaneske: hapësirën dhe kohën e rrëfimit.
Për të mos e zgjatur më shumë këtë letër, do t’i lë për herën tjetër disa mendime që kam për stilin, i cili përbën gjuhën e letërsisë dhe për mekanizmin e forcës bindëse, prej së cilës varet jeta (ose vdekja) e të gjitha romaneve. Miqësisht.

Përktheu Engjëllushe Shqarri

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›