S’jam kuleta e jetës tënde
(Leonard Cohen, ky realist i pandreqshëm)
Leonard Cohen-i, poet, romancier dhe kompozitor kandaz, u lind në Montreal të Quebec-ut më 1934. Është bir i një familje të pasur nga Westmount-i. I ati, me profesion inxhinier, vdiq kur Leonardi ishte nëntë vjeç.
Cohen-i ndoqi studimet në universitetet McGill dhe Columbia. Star-i i ardhshëm i muzikës u fut për herë të parë në botën e saj kur, gjatë viteve të studimit në McGill, krijoi trion country-estern të pagëzuar nga Buckskin Boys.
Në vitet ’60, Leonard Cohen-i u vu përkrah Bob Dylan-it dhe Allen Ginsberg-ut, ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të Beat Generation.
“Le të krahasojmë mitologjitë”, libri itij i parë poetik, u botua më 1956. Pastaj, për afro tri dekada, botoi tetë libra me poezi, disa nga të cilët janë: “Arka djegëse e Tokës”, “Parazitët e Parajsës”, “Fuqia e skllevërve” dhe “Libri i mëshirës”. Cohen-i është gjithashtu autor i dy romaneve, disa librave me ese dhe dhjetë albumeve muzikore, ku veç autorësisë së vargjeve, ka firmosur edhe muzikën, aranxhimin dhe interpretimin vokal e instrumental. Përmendim: “”Veshje të reja për zakone të vjetra” (1974), “Vdekja e jaranit të zonjës” (1977), “Jam yti” (1988), dhe “E ardhmja” (1992), i cili, ashtu si në vitet ’60 e ’70, e solli edhe një herë në majat e sukseseve botërore. Nuk mund të harrohen këngë të tilla, si “Suzzane”, “Pardesyja e famshme blu”, “Motër me dhembshurinë”, “Ndillmë gjer në humnerë të dashurisë”, “Merre valsin”, “Jam yti”, “Kulla e këngës”, “E ardhmja”, dhe sa e sa të tjera të njohura edhe për amatorin shqiptar të muzikës pop. Gjithë ky kontribut në fushën e letërsisë dhe të muzikës moderne, ka bërë që Leonard Cohen-i të jetë nga artistët më popullorë e më me ndikim në Kanada, SHBA dhe Europë.
Edhe pse i quajtur poet i të vetmuarëve, i të dashuruarëve, i të harruarëve, i prostitutave, apo i së ardhmes së trishtuar, ai në thelb është një realist i pandreqshëm. “E kam parë të ardhmen, vogëlushe, ësht masakër e tëra, thertore e vërtetë.” (1992) Kurse Cohen-i e quan veten “gomar plak që shikon qartë” dhe që krahas “gomerëve” të tjerë, si Ginsberg, Johny Mitchel dhe Jac Kerouac, “kërkon të qartësojë botën”.
Fjala e Cohen-it nuk është vetëm një klithmë dëshpërimi, por edhe një klithmë rivolte. Ai ka frymëmarrj e Walt Whitman-it. Për të asnjë fjalë nuk është tabu.
Aktualisht, Leonard Cohen-i është futur në një manastir “për të kaluar pjesën e jetës që i ka mbetur”. Në fakt, thonë se murgjërit në manastir mbyllin sytë përpara parregullsive të tij, por është pikërisht kjo tallazitje e dhimbshme e pulsimeve të tij kontradiktore që e mban gjallë shpirtërisht dhe artistikisht.
“Jam njeri i dobët, delikat, - thotë për veten, - prandaj kam nevojë për një disiplinë të fortë, në të kundërt, zhytem në kaos.”
Autobusi
Isha udhëtari i fundit i asaj dite,
u gjenda i vetëm në autobus,
i kënaqur, po shpenzonin tërë ato para
të më shpinin gjer në Avenjunë e Tetë.
Shofer! Brita, sonte jemi unë e ti,
ta lëmë pas këtë qytet gjigand,
t’ia mbathim drejt një tjetri, më të vogël,
të prerë për shpirtin tonë.
Ngaje drejt pishinave të plazhit Miami,
ti në ndenjësen tënde, unë ca të tjera më pas,
veç në qytetet raciste do të ndërrojmë vendet
për të treguar sa mirë sillen me ty në Veri.
Ngaje, mos gjejmë
ndonjë fshat të vogël peshkatarësh
në Floridan e panjohur,
e bash buzë detit ta parkojmë
autobusin e madh metalik, të bojatisur,
të vetmuar, targat e New-Yorkut
të nxjerrim në pah.
Nuk ke pse më do
Nuk ke pse më do
ngaqë
je si të gjitha gratë
që përherë më kanë munguar
U linda për të rendur pas teje
çdo natë
dhe prapë jam
orteku me burra që të dashurojnë
Të takoj në tryezë
ta marr grushtin mes duarve të mia
në taksi nusesh
zgjohem fillikat
gishtat e mi te mungesa jote
në Bujtinën e Virtytit.
I shkrova tërë këto këngë për ty
ndeza qirinj të kuq e të zinj
në trajtën e një burri dhe një gruaje
u martova me tymin
e dy piramidave me nallane druri
u luta për ty
u luta të më duash
u luta të mos më duash.
Paçka se bota…
Unë po vdes
se ti s’e dhe jetën për mua
paçka se bota
prapë të dashuron
Shkruaj ngaqë e di
se puthjet e tua
lindën të verbëra
te këngët që të përkasin ty
S’dua të jem
kuleta e jetës tënde
dua të jem robi i ngujuar
në mendimet e tua
si qyteti i New-Yorkut
kur ti ende s’je zgjauar.
Elegji
Mos kërko për të
Në rrëketë e majëmaleve të thiktë:
Janë të ftohta dhe për perënditë;
Mos i këqyr lumenjtë e zemëruar për
Të gjetur gjurmë të trupit të tij qumështor
Mos shpreso t’i shohësh gjakun në zall
Se drejt ngrohtësisë së oqeanit të kripur
Po zbret përmes shkëmbinjve
Me ujëra të kthjellta, të përmbajtura
Ku peshqit e bukur bredharakë
I puthin trupin nga dëbora mavijosur
Dhe në qefinin e tij fërgëllues
Ngrenë strehët e tyre të fshehta.
Ngjarja e madhe
Do të ndodhë shumë shpejt. Ngjarja
e madhe, ajo do t’i japë fund tmerrit.
Ajo do t’i japë fund dhimbjes.
Të martën tjetër, kur të perëndojë dielli,
do të luajë Sonatën e Hënës sëprapthi.
Kjo do ta çendë pëlhurën e çmendurisë
njerëzore, zhytur në vuajtje qysh prej
200 milionë vjetësh.
ǒnatë e hatashme ka për të qenë.
ǒpsherëtimë lehtësuese lëshojnë
gushkuqët e mplakur,
sërish u ndrin e kuqja,
bilbilat pensionistë
shkundin bishtat e pluhurosur
dhe shpallin madhështinë e krijimit.
Përktheu Ilir Sofroni
18 Gusht 2008