E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemër, pusho



Lumo SKËNDO

Lumo Skëndo, alias Mithat Frashëri (1880-1949), u takon atyre personaliteteve të botës shqiptare që, me veprën e tyre të gjithanshme, dhanë një ndihmesë të paharrueshme. Ky intelektual i spikatur, ndër të tjera, bëri emër edhe si shkrimtar e publicist, studiues e punëtor i palodhur i kulturës. Prandaj injorimi i figurës dhei veprës së tij për gjysmë shekulli përftoi zbrazëti në rrjedhat e studimeve tona.
Lumo Skëndo u shfaq atëherë, kur po ndriste plejada e Faik Konicës, Fan S. Nolit, Gjergj Fishtës e të tjerë. Ishte ky brez i ri letrarësh e veprimtarësh atdhetarë që edhe artin, edhe dituritë i vuri në shërbim të kauzës së atdheut, duke synuar gjithashtu një emancipim të jetës shpirtërore dhe modernizim të ndërgjegjes kombëtare..

Zemër, pusho

Pusho, zemër, mos u qa! Mos më thuaj vuajtjet e tua, mos qa dhimbjet dhe hidhërimet!
Rri dhe duro. Hiq në pushim çdo të keqe.
Pse të qahesh? Kur e ke druajtur vuajtjen, kur je hequr prej hidhërimit? A e ke ndjekur kurrë fatin e bardhë, a e ke dashur kurrë gazin dhe zbavitjen?
Të kan’ardhur shumë herë pranë të mirat. Jetën munt që ta bëjnë t’ëmbël dhe të qetë si një burim t’ëmbël, si një vijë të kthjelltë.
Po, jo! Qetësisë, gazit dhe fatit, u ke rënë me këmbë. Ke kërkuar gjithnjë të paqenën, të paditurën. Ata që ke pasur pranë i ke shtytur, u je mërguar. Kurdoherë ke kërkuar një gjë më tutje; ke ndjekur atë të paqenën, të padukurën.
Se ashtu që ylli është bërë për të çkëlqyer, dielli për të ndritur, trëndafili për erë, zogu për këngë, zjarri që të djegë, edhe ti, o zemër, ke lindur për të vuajtur.

Mot’i ri

Ikë, ikë. Qofsh’ i nëmur ti që vjen të më urosh motin e ri.
Një mot akoma! Edhe me qeshje në buzë, me urime vjen të më thuash se m’u pakësua një mot, më sthua për shumë vjet.
Dymbëdhjetë hëna! Si dje më duket ay që shkoi, pastaj dhe ay më parë, edhe tjatri akoma.
Lumi që rrjedh lëshon zallin, delja që shkon lë gjurmën, flaka që digjet lë hinë. Po ti, o kohë, ç’na le? A po këtë hi mi kokët tënë?
Qysh pra, gjithë vuajtjet e mëmës sime, gjithë shpresat e saja, shpresat e mija, vuajtjet e mija, gjithë këto kështu do të shuhen?
Vargu i vdekjes po mbushet, kur imi çdo mot po afron me të këputur. Edhe s’munt ta ndaloj këtë lumë, s’munt ta mbaj këtë jetë!
Edhe ti me ironi, me qeshje në buzë, vjen të më urosh. Ikë, ikë këtej, se s’dua urime unë, jam për rëkim.

Afërdita e Milo-s

Fidia më s’pat prehje. Gjumi më s’i çlodhi sytë, ngrënjes më nuk i gjeti shije. Një ethe çdo ditë i diqte dejtë.
Përpara shkëmbit të mermerit si shkumbë i bardhë Fidia po punon dhe po mejtohet. Musklet e tij po i xhonglohenë nën çekanin e rëndë, një djersë ethesh po i kullon nga ballët, një zjarr po i ndriton sytë.
Edhe më s’pat prehje. Çdo ditë nga shëkmbi po dilte një formë e re. Punoi, punoi, akoma, me zjarrin e shenjtë. Kërkonte bukurinë, gjithnjë të ëndërruar, kurrë të parë.
Kur u mbarua vepra, Fidia e shikoi me syt’e nxehtë, me ata sy që s’ishin lodhur kurrë. E shikoi akoma, edhe një herë, dhe i mbylli sytë, se guri i ftohtë j’u duk i gjallë, me një shpirt, me një frymë që s’i kish pandehur.
I lumtur Fidia, m’i lumtur se Hyji! Se mendja jote polli bukurinë e pa vdekur, gruan, gjithnjë të dëshiruarë, kurrë të gjetur.
Sidoqoftë edhe s’dihet mirë në Afërdita e Milo-s është e Fidias apo jo.

Po e sheh? Drita venitet

Po e sheh? Drita venitet, mjegulla trashet, një hi, një nap’e zezë po mbulon shtëpinë, po më hyn brenda n’odët.
E sheh, mik, këta të mugët të përziçmë? Ky më mbush shpirtin me angusë, më ep dëshirë të qaj e të këlthas.
Ah, këta t’errët! Më duket sikur është hapur varr’i shekëllavet dhe po del jashtë gjithë zi e jetës, një zi e jetës, një zi që vjen nga funt’i dheut, ku janë mbledhur gjithë të vuarat, gjithë të qartat e një jete së gjatë.
Ky hi, ky tym më hyn në shpirt, më duket sikur humba gjithë shpresat, gjithë gazet. Drita, duke ikur u fryn dhe i shoi, na la në kët’errësirë.
Po e sheh? Tani më s’duket fare gjësendi! A jemi në varr, apo mbi dhet? A jemi një i gjallë në mes të vdekurvet, apo një i vdekur në mes të gjallëvet?
Folmë, mik, se dua të dëgjoj zë njeriu, dua ta ndjej veten të gjallë; folmë, a do të mbajë shumë ky zi? Kjo natë a ka të sosur, apo jemi në atë natë pa mëngjes?

10 vjesht’e II

Eja, motër

Eja, motër, të dalim në kopsht se erdhë kohët e mira. Nuk e sheh që marsi na pru ditët e bukura? A po sheh se qysh qielli duket m’i ëmblë, deti m’i vakur dhe ata malet atje larg. A i she se qysh kanë një ngjyrë më të dashur dhe duken më të afërt?
Eja, motër, se qershitë janë plot lule. I mban mend këto lule, kur i tërë kopshti mvishej me të bardhë? Shkuan dhjetë vjet q’ahere! E mban mend, kur hipnje në drurët dhe qeshnje me mua kur s’të gjenja dot? Se ishe dhe ti e bardhë si dëbora veshur dhe nuk shquanje nga lulet.
Eja, motër, të shohim qershitë. Vërtet këta më s’janë ata drurë; ata u thanë dhe humbën. Po lulet janë gjithnjë ato lule!

Eren-Qoj, 5 mars 1912

MOZAIK Faqe 20 Janë dy autorë, kurse Kafka ka dy tituj.

Franz KAFKA
KALI I BARDHË

Për herë të parë kali i bardhë u shfaq një pasdite vjeshte në një rrugë të madhe, por jo me shumë gjallëri, në qytetin A. Ai u shfaq para një shtëpie, në oborrin e së cilës një firmë shpërndarëse kishte magazinat e saj dhe, meqë shpesh duhej larguar një kalë prej andej, si rrjedhim, kali i bardhë nuk tërhoqi vëmendjen e askujt në mënyrë të veçantë. Ai nuk i përkiste kuajve të firmës shpërndarëse. Një punëtor, i cili po shtrëngonte fort me litar një deng me mallra para portës, e vuri re kalin, pa rrotull dhe në oborr se mos po vinte karrocieri. Por nuk erdhi askush, kali ngriti këmbët e para dhe sapo ia shkeli me forcë, në trotuar dolën shkëndija nga kalldrëmi, ai u gjend fare pranë rënies; por e mblodhi veten dhe eci trokthi, as shpejt, as ngadalë në këtë orë të muzgut, kur rruga ishte thuajse tërësisht bosh. Punëtori mallkoi sipas mendimit të tij karrocierin moskokëçarës, thirri disa emra në oborr, dolën disa njerëz jashtë, por qëndruan aty, sepse e njohën që ishte kali i një të huaji, megjithatë pak të çuditur ndenjën pranë njëri-tjetrit te porta. Vetëm mbas pak kohe, dy nga dy vrapuan një copë rrugë mbas kalit, por kur nuk arritën ta shohin më, u kthyen shpejt mbrapsht.
Ndërkaq, pa u ndaluar, kali kishte arritur rrugët e jashtme të qytetit. Dukej se i përshtatej më mirë jeta e rrugëve... Hapi i tij i ngadalshëm nuk mund të trembte askënd, ai nuk u largua kurrë nga rruga e përcaktuar dhe, mbasi duhej të ndalej për shkak të një rruge të tërthortë nga po vinte një qerre, atëherë ai u ndal; po ta kishte drejtuar edhe karrocieri më i kujdesshëm, nuk do të kishte vepruar më saktë. Megjithatë, kjo ishte diçka që binte në sy, aty-këtu disa njerëz u ndalën dhe e panë duke qeshur, pastaj nga një makinë që transportonte birrë e që po kalonte andej, një karrocier e qëlloi për shaka me kamxhik, kali u tremb, por nuk i përshpejtoi hapat.
Dhe pikërisht këtë rast e kishte vëzhguar një polic, ai shkoi në drejtim të kalit, që në çastin e fundit ende kërkoi të merrte një drejtim tjetër, dhe si e kapi te frerët ( me gjithë trupin e tij jo shumë të fortë, i kishin vënë frerë ashtu si një kali transporti), i tha shumë miqësisht: “Ndal! Për ku po vrapon kështu?” Për një kohë të gjatë, ai e mbajti kalin nga frerët, sepse mendonte që pronari do të vinte shpejt mbas kafshës së ikur.
Ka një arsye, por ajo është mjaft e dobët, gjaku pikon i hollë, tepër larg nga zemra. Unë kam akoma skena të bukura në kokë dhe i ndërpres ato. Dje m’u shfaq për herë të parë kali i bardhë, para se të më zinte gjumi dhe unë pata përshtypjen sikur ai, së pari, kishte mësyrë me kokën e kthyer te muri im, pastaj sikur kapërceu mbi mua dhe, më në fund, m’u duket sikur kishte kërcyer nga poshtë shtratit tim dhe ishte zhdukur tutje. (Ditari, 1912-24)

ASGJËJA GJËMUESE

Po ta shohësh problemin nga jashtë, është diçka e tmerrshme që, i rritur por i ri, të vdesësh ose madje të bësh vetëvrasje. Në tërë çoroditjen, që do të kishte së brendshmi arsye për një synim të mëtejshëm për të vdekur, i pashpresë ose me të vetmen shpresë që kjo dalje në jetë, brenda llogarisë së madhe, do të kundrohet si diçka që nuk ka ndodhur.
Në një gjendje të tillë isha tani.
Të vdesësh nuk do të thoshte tjetër, veçse t’i flijoje asgjësë asgjënë, por kjo për ndjenjën do të ishte e pamundur, sepse si është e mundur të flijohesh vetëm si një asgjë me vetëdijen e një asgjëje, dhe madje jo vetëm një asgjëje boshe, por një asgjëje gjëmuese, kotësia e së cilës ndodhet vetëm në pakonceptueshmërinë e saj. (Ditari, 1912-24)

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›