Felps barazon Shpicin me shtatë medalje ari
Majkëll Felps me fitimin e garës 100 metra në stilin flutur, amerikani përmbushi një tjetër objektiv të madh të tij në Lojërat Olimpike, duke fituar medaljen e shtatë të artë të tij “Pekin 2008” dhe të 13-të në total, përfshirë edhe “Athinë 2004”. Perveçse është sportisti me më shumë medalje i të gjithë kohërave në Lojërat Olimpike Moderne, Felps, barazoi edhe patriotin e tij, amerikanin Mark Shpic, i cili kishte fituar shtatë medalje të artë në “Munih 1972”. Shfaqja ishte shumë argëtuese në “Kubin e ujit”, pasi kur duheshin edhe vetëm 15 metra të përfundonte gara Felps notoi si një tren i shpejtësisë së lartë, duke i rrëmbyer medaljen kampionit të Europës, serbit Milorad Cavic (argjend), me vetëm 1 të qindtat e sekondës. Medaljen e bronzit e fitoi australiani Endrju Lautershtajn. Mark Shpic e përgëzoi menjëherë 23-vjeçarin Felps: “Të kam parë në Athinë dhe e dija që do t’ia dilje. Bravo Majkëll”. Reagimi i Felps: “Sinqerisht mendoja se e humba atë garë dhe tani që e kam fituar jam shumë i lumtur”.
18 Gusht 2008