Forca e qytetërimeve qëndron tek familja – leksioni që na vjen nga rrëfimi i shkrimtarit Obama
I nderuar Z. Kryeminister!
I nderuar Z. Mark Obama
Të nderuar të pranishëm!
Si botues dhe shkrimtar, ndjehem krenar që prezantoj sot librin “Nga Nairobi në Shenzen...”, shkruar nga Mark Okoth Obama Ndesanxho, një rrëfim autobiografik, i cili kalon përjetimet personale dhe shfaq para nesh tema të nxehta me të cilat përballet shoqëria sot. Një libër i shkruar me dashuri për guximin, që duhet ta ketë secili prej nesh, për të prekur ndryshimin që kërkon.
Dhe pse ky është libri i parë i Markut, si njeri i letrave, unë kam gjetur aty, një rrëfimtar të jashtëzakonshëm, dhe një njeri kultura e të cilit të befason.
Vazhdoj të jem i mahnitur me Kinën e përshkruar prej tij. Marku na rrëfen në këtë roman Kinën e dikurshme dhe atë të sotmen, forcën e një qytetërimi, i cili vazhdon të besojë vetëm në një fuqi, dhe ajo është FAMILJA.
Ky roman nuk është vetëm rrugëtimi i një njeriu drejt identitetit të tij, por edhe rrugëtimi i një shteti, i një epoke të tërë në kërkim të vetvetes.
Është lufta shekullore e një race për t’u pranuar nga tjetra. Është një himn për Afrikën, për njerëzit e këtij vendi, për të gjithë ata që kanë vuajtur ndër vite për shkak të ngjyrës.
Libri përcjell një mesazh të vërtetë, siç është ëndrra e popujve për një komunikim të barabartë, suksesin që mund të vijë nga kontributi i disa popujve për njerëzimin.
Mark Ndesanxho, është i biri i një akademiku kenian të shkëlqyer, por me një jetë të trazuar si çdo njeri i madh. Është i biri i një ëndërrimtari, që luftoi për të përmbysur paragjykimet mbi racën e tij, i biri i një studenti të shkëlqyer të Havardit, i një pasionanti të madh të jetës.
Të nderuar pjesëmarrës! Jam i lumtur që ky libër i thellë emocional, tashmë mund të lexohet në gjuhën shqipe, si pjesë e kolanës së botimeve “55”, nën një përkthim të mrekullueshëm e plot dritë gjuhësore.