E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Shën Naumit, e panjohur nga shqiptarët

26-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Për çrrënjosjen e falsifikimeve komuniste

Me rrëzimin e komunizmit enverist në vendin tonë, na mbeti një e keqe që gjallon edhe sot, si askund në vendet e diktaturave homologe në Europën Lindore. Nuk mjaftoi enverizmi, që e katandisi popullin në një varfëri ekstreme talonash dhe në një pasiguri jetike të shkatërrimit familjar për një fjalë goje të kryefamiljarit, apo thjesht për hakmarrje politike sipas klauzolave arbitrare të luftës së klasave. Mendësia e përçartur e mashtrimeve të gjithmbarshme krijoi, gjithashtu, „të vërteta“ të shumta që ishin thjesht mashtrime. Këto mbetën edhe pas shembjes së diktaturës, në një sistem të ri që duhej të ishte pastrues i të gjitha interpretimeve të shtrembra të historisë. Për diktaturën që lamë pas, të gjitha shëmtitë e saj iu ngarkuan kundërshtarëve politikë, që u quajtën armiq, për të përligjur më lehtësisht të gjithë atë masakër që u bë edhe ndaj formacioneve që luftuan okupatorët, por që nuk iu atashuan nacionalçlirimtares. Le të merremi në këtë shkrim vetëm me mashtrimin historiografik. Në përgjithësi nxënësit e shkollave të të gjitha instancave kanë përshtypjen, por edhe bindjen, se Zogu ia shiti Jugosllavisë Shën Naumin.  Diktatori e përsëriste orë e çast, kur ishte tema dhe jashtë saj, këtë slogan të sajuar nga ai, me ndihmën e “historianëve” të tij. Në të gjithë librat e shkollës dhe në të gjithë propagandën indoktrinuese të kohës, kjo pjesë e historisë shërbente për ta paraqitur regjimin e Zogut si antikombëtar.  Në “Historinë e Shqipërisë” përmendet fjala “shpërblim” që Zogu paska pasur si detyrim ndaj Jugosllavisë, si një akt tradhtie kombëtare.  Duket se E. Hoxha donte të shfajësonte regjimin dhe personin e tij në marrëdhënie me vasalitetin ndaj Jugosllavisë së Titos. Por justifikimi i tij kishte gjetur një shteg të volitshëm për t’u bërë si i vërtetë me anë të mashtrimit për atë që mund të quhet si “çështja” e Shën Naumit. A e dinë shqiptarët se akti i tradhtisë ndaj Shën Naumit u bë nga Enveri, në Kongresin e Permetit? Le të shohim aktet zyrtare, që i janë fshehur popullit.
***
Opozita e Nolit e kishte marrë pushtetin me armë. Por nuk është e vërtetë që Zogun e risollën në pushtet jugosllavët. Zogun e sollën në pushtet gabimet e qeverisë Noli: administrimi i dobët dhe anarkia gjatë atij gjashtëmujori qeverisës të Fan Nolit, mosnjohja ndërkombëtare e qeverisë së tij dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me B. Sovjetik, e alarmuan botën perëndimore. Noli nuk u njoh nga ndërkombëtarët dhe nuk pati asnjë ndihmë. Madje qeverisja e tij u quajt pushtet revolucionar. Një historian i huaj (B-J-Fisher) thotë se Noli la një përshtypje të keqe edhe kur iku, me marrjen e arkës së shtetit me 40 mijë stërlina. Zogu, në këto rrethana, e pati Jugosllavinë vetëm si një vendkalim për në Shqipëri, si një urë kalimi përmes mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene. Dhe brenda ditës mori Peshkopinë. Ai nuk gjeti asnjë rezistencë për të mbërritur në Tiranë, më 24 dhjetor 1924. “Lejekalimin” ai e kishte nga faktori ndërkombëtar dhe as që bëhet fjalë për ndonjë detyrim ndaj kryeministrit Pashiç, i cili e përshëndeti në kalimin e ngutshëm të kufirit jugosllavo-shqiptar, me fjalët: “Lamtumirë miku im i tanishëm dhe armiku im i nesërm!”. Këtu po flasim për anën e errët të një personaliteti të jashtëzakonshëm, siç ka qenë F. Noli. Kjo figurë madhështore e kombit tonë, si politikan,  ka rënë në gabime në mirëbesim, veçanërisht në verbërinë ndaj Stalinit. Së fundi, edhe Noli është lajthitur si shumë njerëz të tjerë të mëdhenj: Si Romen Rolani, si Elsa Triolé, si Frederik Zholió Kyri dhe Maria, si Heminguej, si Zhan-Pol Sartri dhe Bovuari, si Lanzhveni e si shumë të tjerë, që besuan në iluzionet e tyre. në një shoqëri “të barabartë”. Ata që rrojtën sa të kthjelloheshin (Zh.-P. Sartri etj.) bënë mea culpa. Të tjerët e mbaruan jetën me një idolatrí të rreme. Të flasësh për Nolin tonë si politikan, është e lehtë të keqkuptohesh nga një numër i madh njerëzish që e adhurojnë, - si edhe né të tjerët, - por jo si politikan. Prandaj do të ngjeshim një mendim të shprehur gjerësisht të Konicës, ndonëse është një përsëritje jona, - të na falin lexuesit. “Ndryshimi midis Fan Nolit dhe meje – shprehet Konica, - është që unë e di se jemi të mundur paq, kurse shoku im, Noli,  s’ka haber që hëngrëm dru (...) E çuam vendin në një fazë kritike dhe e  vetmja mënyrë për të shpëtuar shtetin është një pajtim i ndershëm i të mundurve me Múndësin. Zogu ka fituar besimin e popullit, si edhe besimin e Fuqive të mëdha”. E kam thënë edhe më parë se  Noli qé një erudit i madh, një letrar gjenial, një përkthyes i shkëlqyer, që do të mbetej i pavdekshëm – siç thotë Faiku, - edhe vetëm me veprën e tij madhore, Autoqefalinë.
Le të kalojmë, tani, në galop, nga Konferenca e Ambasadorëve e fuqive të mëdha e Londrës (1913) kur gjysma e Shqipërisë mbeti jashtë kufijve të saj, -por n gjsmën tonë mbeti Shën Naumi-, por në vitet 1912-’25 manastiri i Shën Naumit nuk u administrua dot. Le të kalojmë , më tej,  te Konferenca e Paqes, pas Luftës I Botërore, kur kërcënimi i një copëtimi të ri pllakosi në vendin tonë, por kjo gjëmë u pengua nga Presidenti Vilson. Kalojmë më 17. 12. 1920, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, Asambleja e së cilës shpalli sovranitetin e Shqipërisë me kufijtë e 1913-s. Vijmë te marsi i 1922-shit, kur Mehdi Frashëri, me një përkushtim të qartë, në krye të delegacionit shqiptar, do të përfaqësonte interesat shqiptare në përcaktimin përfundimtar të kufirit. Kalojmë edhe tri vite më pas (korrik 1925) kur do të caktohej kufiri me bisedime për shkëmbim territoresh, një praktikë e njohur në atë kohë. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura (16 korrik ’25) të parlamentit tonë, më 16 korrik ’25 vazhdojnë bisedimet edhe më 17 korrik, në mbledhjen që mban numrin rendor 28. Këtu lexohet raporti i komisionit të Jashtëm, i kryesuar nga Eshref Frashëri. Propozimi i Raportit: Manastiri i Shën Naumit (me asnjë shqiptar), të këmbehej me fshatin Peshkopi ( me banim shqiptarësh), plus edhe me luginën e sipërme të Çërravës. Në këtë mënyrë Shqipëria merrte 4 herë më shumë territore nga Jugosllavia, që cedonte Manastirin e Shën Naumit, me një sipërfaqe pak më të madhe se një stadium. Përfitonim nga që Jugosllavia kishte në këtë manastir varrin e Shën Naumit, i prejardhur nga ekspansioni bullgar i sh. X në kohën e mbretit Simeon të Bullgarisë. Shkurt, ky vend i vogël buzë liqenit të Ohrit, ishte një vend pelegrinazhi me vlerë për Jugosllavinë. Pati kundërshtime në të dy dhomat e parlamentit, por së fundi u kuptua interesi shqiptar, sepse qeverisë shqipotare i jepesj edhe Vermoshi bashkë me një tokë nga Libovica në Lumbrajë. Më 18 korrik 1928, në mbledhjen nr. 29, me 42 pro, 9 kundër dhe 1 abstenim u mor vendimi në parlament dhe më 14 tetor 1925 vendimi i të dy dhomave të parlamentit shqiptar qé unanim. Sepse Shqipëria fitoi një sipërfaqe prej 22 km², si edhe dy liqene të vegjël, për një sipërfaqe të vogël siç ishte manastiri i Shën Naumit. Në saje të këtij këmbimi rruga Pogradec-Korçë, që ishte bri kufirit, tanimë u largua shumë nga kufiri. Kjo është e vërteta mbi Shën Naumin. Të dhëna dokumentare më të imta mund të shihen në librin e kujtimeve të Mehdi Frashërit (botim 2003), në librin e Teki Selenicës, në atë të Gazmend Bakiut dhe në “Bisedimet e Asamblesë Kushtetuese për çështjen e Shën Naumit dhe të Vermoshit” të autorëve Bajram Xchafa dhe Hasan Bello, ribotuar në vitin 2006. Pra, hidhen poshtë përfundimisht përrallat me shitje, me dhurim e me falsifikime të tjera nga Enveri dhe nga pseudo-historianët e tij! Në të vërtetë Enver Hoxha mund të përfitonte nga Kongresi i Përmetit (14.05.1944), në vendimin e tij se “nuk do të njihej asnjë marrëveshje ekonomike dhe politike  që Zogu kishte bërë me të huajt”. Ky vendim e çonte posedimin e Shën Naumit në vitin 1913, kur Shën Naumi iu la Shqipërisë! Për hir të marrëdhënieve të ngushta të asaj kohe me Jugosllavinë e Titos, në mbështetje të vendimeve të Përmetit, Enveri s’kishte përse e dorëzonte Shën Naumin. Zelli titist i asaj kohe e bëri vasalin Enver dhurues të Shën Naumit! Konkluzion: Sikundër E.H.-a e shiti Shën Naumin dhe këtë veprim antishqiptar (sikur ishte i vetmi!) ia ngarkoi  Zogut I, ashtu edhe neokomunistët e E. Ramës janë provokatorët e mësymjes revolucionare të pallatit kryeministror dhe viktimat e këtij akti të paligjshëm ia ngarkoi rivalit të tij për bashkinë, Lulzim Bashës. Kjo kërkon  një shtjellim të gjatë, por ne po mjaftohemi vetëm me disa pyetje: Ç’do të thotë Rama me atë thënien e tij, më 20 janar, se situata mund të dalë jashtë kontrollit? Përse nuk ka pasur paralajmërime të kësaj natyre, në  demonstratat e mëparshme? Për 90 minuta gardhi i policëve apo gardistëve ka qenë i goditur me hunj, me mjete të forta të shkulura nga kalldremet etj. Gjendja vështirësohej minutë pas minuti. Së fundi u zbërthye edhe porta e hekurt e kangjellave të kryeministrisë. Ç’mbeti? Porta e drunjtë! Përse nuk e mbylli me kaq mësymjen e rrezikshme Edvin Rama? Do të mjaftonte një celular! A e ka përgënjeshtruar Rama, thënien e shebekut të tij, S. Ngjela, se ia vlente marrja e pushtetit edhe me 13.000 viktima? Po të mos akuzohej padrejtësisht L. Basha gjatë fushatës elektorale të 8 majit, ai do të mund të merrte edhe disa mijëra vota më shumë. Mos ishte ky zbërthimi i  “situatës jashtë kontrollit”, në kuptimin se dëshirohej QË TË ISHTE një situatë e tillë? Këtyre pyetjeve Edvini nuk mund t’u jepet dot përgjigjen me “të fala Sandrit!”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›