E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcat RENEA zhvillojnë një stërvitje të përbashkët me homologët francezë në Vlorë


Rreth 80 forca të Repartit Special RENEA u përfshinë sot në një stërvitje të përbashkët me struktura homologe franceze që synonte përsosjen e veprimeve në kushtet e një sulmi të mundshëm terrorist, në një mjet lundrues që shërben për transportin e udhëtarëve.


Operacioni stërvitor u zhvillua në portin e Vlorës për rreth 50 minuta dhe është pjesë e një bashkëpunimi ndërmjet dy policive homologe. Ai vjen pas një trajnimi të zhvilluar nga specialistë francezë për ndërhyrjet e çaktivizimit të lëndëve eksplozive nën ujë.  Forcat pjesëmarrëse, në një situatë të stimualuar, ndërhynë në një prej trageteve të ankoruara në kalatë duke e çliruar atë nga një grup “terroristësh” që e kishin marrë peng. Veprimet stërvitore u mbështetën dhe nga dy helikopterë të policisë shqiptare, ndërkohë që një grup zhytësish polumbarë realizuan çaktivizimin e një sasie lënde eksplozive, e vendosur në pjesën nënujore të trupit të tragetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi si dhe përfaqësues të Ambasadës së Francës në Tiranë ndoqën nga afër veprimet e forcave RENEA dhe atyre franceze. Në përfundim të stërvitjes drejtori Prençi falenderoi forcat RENEA për nivelin e lartë profesional të manifestuar, ndërkohë që vlerësoi bashkëpunimin me homologët francezë. Nga ana e tij, zoti Emmanuel Bourel, këshilltar i parë i Ambasadës së Francës në Tiranë, vlerësoi këtë bashkëpunim si edhe prezantimin e mirë të forcave speciale shqiptare, të cilat i janë përgjigjur me mjetet dhe burimet e duhura këtij operacioni. Ai garantoi vazhdimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›