E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë/ Kandidati i PD në Qarkun e Tiranës, Vath Tabaku, shpjegon pse më 28 qershor rimandatohet Partia Demokratike

“Rama në zgjedhje, i dështuari më i madh, program i PS fasadë, falsitet dhe lojë fjalësh”


Vath Tabaku vjen nga bota akademike, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Dekan i fakultetit të Shkencave Pyjore dhe hyn në garën elektorale si kandidat për deputet në qarkun e Tiranës. Nën siglën e Partisë Demokratike Tabaku shprehet i sigurt se pas 28 qershorit nuk do të mbizotërojë alternativë tjetër qeverisë veçse asaj që po qeveris aktualisht.


Në një intervistë për gazetën “55”, kandidati Vath Tabaku rendit të gjitha arsyet nëpërmjet një analize shumë racionale, se pse elektorati do të votojë idealet e Partisë Demokratike, për të qeverisur vendin, për katër vitet e ardhshme dhe për të realizuar premtimin madhor, ndërtimin e Shqipërisë Evropiane. Kandidati i selisë blu për qarkun e Tiranës, komenton edhe platformën e prezantuar nga Rama, duke deklaruar se kryesocialisti hyn në këto zgjedhje për të humbur, pasi partia që ai drejton, nuk ka qoftë edhe një program modest.



Jeni në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ç’përbën për ju të kandidoni në këto zgjedhje nën siglën e partisë më të madhe në vend?


Natyrisht si kandidat i Partisë Demokratike e mbështes kërkesën time ndaj elektoratit, për të provuar votën e tyre për partinë më të madhe në vend, duke u bazuar në radhë të parë në arritjet e qeverisë në këto katër vite që po mbyllen dhe në programin e PD-së, për katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje me një objektiv shumë të qartë, për t’i fituar ato dhe për të qeverisur Shqipërinë edhe për katër vitet në vijim. Partia Demokratike ka një program shumë të qartë që i përgjigjet interesave dhe ambicieve të shqiptarëve. Edhe gjatë fushatës sime, kjo ka qenë shtylla kryesore, me të cilat unë u kam kërkuar votat elektoratit të komunave të ndryshme, ku jam prezantuar si kandidat për deputet.



Si do t’i vlerësonit katër vitet e mandatit të parë të qeverisë “Berisha”? Cilat mendoni se janë disa nga pikat kyçe, të realizimit të reformave, që votuesit duhet t’i vlerësojnë dhe pse jo të ribesojë Partinë Demokratike?


Arritjet e qeverisë “Berisha” janë të shumta, do të thoja, madhështore. Nuk do të ishte në gjendje asnjë forcë tjetër politike të arrinte rezultate të tilla. Pikat kryesore janë anëtarësimi në NATO, që është cilësuar si ndryshimi më i madh historik, pas shpalljes së pavarësisë më 1912. Anëtarësimi në NATO është qoftë me rëndësi në aspektin ushtarak, por unë gjithmonë kam nënvizuar ose jam fokusuar tek aspekti ekonomik. Anëtarësimi në NATO u mundësua në bazë të plotësimit të disa standardeve. Pra, Evropa nuk do të na kishte pranuar anëtare të NATO-s, nëse nuk do të ishin arritur këto standarde, pra standardet në aspektin ekonomik. Ana ushtarake është diçka tjetër, por ana ekonomike është përcaktuese për sukseset e vendit. Janë standarde të cilat, për të na anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duhen thelluar edhe më tej edhe mundësitë janë evidente. Kontribut të jashtëzakonshëm qeveria “Berisha” ka dhënë në pavarësinë e Kosovës. Nuk do të kishte qenë e mundur pavarësia e Kosovës, nëse do të mungonte kontributi i madh i kreut të qeverisë shqiptare Berisha, ministrit të Jashtëm Basha, kryeparlamentares Topalli, në të gjitha axhendat ndërkombëtare e kanë vënë theksin tek pavarësia e Kosovës, rëndësinë politike të pavarësisë së saj e cila bëri të mundur shpalljen e Kosovës si shtet të pavarur. Kjo është një arritje e madhe. Është një arritje e madhe sepse ne jemi një komb dhe më ketë pavarësi u mundësua në një farë mase bashkimi de facto e Shqipërisë me Kosovën. Arritje tjetër madhore është ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Jo vetëm unë, por edhe qarqet e ndryshme mediatike e kanë konsideruar si veprën e shekullit. Në katër vitet e fundit të qeverisjes socialiste, është mbledhur taksa “Majko”, për ndërtimin e rrugës. Elektorati është dëshmitar, edhe në takimet që kam zhvilluar me ta ua kam theksuar, se me lekët që u mblodhën, asnjë gur nuk u vu për këtë rrugë. Taksa “Majko” me një fond goxha të madh, prej më shumë se 300 milionë euro, u shpërdorua dhe nuk u bë asgjë. Kjo është një vepër shumë e madhe, do ta cilësoja si vepra që lidh mushkëritë e kombit shqiptar, Tiranën dhe Prishtinën, dhe përveç efekteve apo impaktit kjo rrugë ka një tagër shumë të madh ekonomik. Edhe para votuesve e kam theksuar, se këto janë vepra të rëndësisë kombëtare, por në disa zona realisht mendojnë se çfarë është bërë në fshatin e tyre, realisht jam mundur të shpjegoj vazhdimisht se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës ka impakte shumë të rëndësishme për çdo komunë, për çdo fshat dhe për çdo banor. Me përfundimin e rrugës do të ketë një zgjerim të tregut. Zonat e ndryshme të Shqipërisë do të kenë mundësinë të eksportojnë produktet e tyre drejt Kosovës dhe ndoshta edhe më gjerë, drejt vendeve të tjera të rajonit. Shto faktin që është një rrugë me kosto të lartë, pasi ka kushtuar afro 1 miliard euro, në katër vitet që vijnë na bën shumë optimist në realizimin e atyre premtimeve dhe programit që kryeministri ka prezantuar. Këto 1 miliard euro që u mundësuan për ndërtimin e kësaj rruge, do të disafishohen për ndërtimin e veprave të tjera gjatë qeverisjes së ardhshme. Ndërtimi i veprave të tilla fuqizojnë buxhetin e shtetit dhe ngrenë nivelin e jetesës në vend. Gjatë kësaj qeverisjeje, infrastruktura rrugore ka qenë ndër prioritetet kryesore. Rrugët janë ndërtuar në çdo cep të Shqipërisë, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Të gjitha këto arritje ne na bëjnë shumë optimistë për fitoren më 28 qershor. Duke qenë punonjës i arsimit, pasi jam pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore, unë gjithmonë i kam mëshuar faktit të shumë reformave që janë bërë edhe në arsim. Pavarësisht se bëj fushatë elektorale në periferi të Tiranës, në komunat, megjithatë janë komuna arsimdashëse, pra kanë nxjerrë intelektualë, inxhinierë, kuadro shumë të nderuar dhe kjo tregon për vlerat që ka arsimi në këto zona. Këto reforma që janë bërë në arsimin e lartë, kuptohet që janë arritje shumë të rëndësishme të PD-së. Reformat janë bërë qoftë në arsimin 8-vjeçar, kalimin në arsim nëntë vjeçar, është standard evropian siç e ka e gjithë Evropa. Në programin e PD-së, theksohet se çdo fëmijë që do të mbarojë klasën e 9-të do t’i mundësohet edhe arsimi i mesëm, pra gradualisht ne do të kalojmë në shkollë të mesme masive, siç është tani shkolla nëntë vjeçare. Po ashtu reforma në arsimin e lartë. Implementimi i procesit të Bolonjës është një arritje e mundësuar dhe e realizuar nga qeverisja e PD-së. Arritje e madhe që bën optimist dhe garanton në fitoren e 28 qershorit është natyrisht edhe dyfishimi pagave dhe pensioneve. Kjo është një arritje që nuk kontestohet dot nga asnjë qytetar i këtij vendi. Unë gjithmonë kam shtuar para elektoratit se kryeministri Berisha çdo premtim që ka dhënë të gjitha i ka realizuar me përpikëri, madje edhe në sloganin tim kam theksuar se “Berisha është malësor dhe malësorët vërtet e mbajnë fjalën”. Përsa u takon investimeve të huaja, Shqipëria, në qarqet evropiane dhe rajonale është cilësuar si lider për investimet e huaja në rajon. Çdo investitor nëpërmjet nismës së qeverisë “Shqipëria 1 euro”, ka gjetur në Shqipëri një klimë të përshtatshme për të investuar. Kjo ka bërë që Shqipëria të përmirësojë standardin e nivelit të jetesës. Ndoshta është kjo arsyeja që Shqipëria për vitin 2008 ishte vendi me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë dhe sipas të gjitha gjasave dhe parashikimeve të ekonomistëve, edhe në vitin 2009 do të jetë vendi me rritjen më të lartë ekonomike. Lidhur me nivelin e jetesës, ku unë gjithmonë i kam mëshuar këtij fakti edhe në takimet elektorale sipas klasifikimeve ndërkombëtare Shqipëria është pozicionuar e 77-a në botë, duke lënë pas 127 vende të tjera. Ky fakt është shumë kuptimplotë se në Shqipëri është përmirësuar standardi i jetesës. Dhe fakti tjetër që një pjesë e vendeve të 127-ës, janë të komunitetit evropian, si psh. Rumania apo Bullgaria, të cilat nuk kanë aspak nivel ekonomik më të lartë se Shqipëria, përkundrazi më të ulët. Progresi i Shqipërisë është i shumanshëm. Vendi ynë është bërë më atraktiv. Gjatë qeverisjes socialiste në vitin 2004 Shqipërinë e vizituan vetëm 300 mijë turistë, ndërsa vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga një numër rekord turistësh, plot 2.7 milionë të huaj. Pra, Shqipëria është në fokusin e njerëzve nga e gjithë bota, në sajë të imazhit pozitiv që po demonstron. Shqipëria tashmë është një vend i sigurt, nuk mund të ketë raste të tjera të humbjes së turistëve si në rastin e Thethit, disa vite më parë, kur qeveriste Partia Socialiste.



PD premton për katër vitet e ardhshme thellim të reformave, shumëfishim të investimeve, rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve, liberalizimin e vizave dhe konkludimi, integrimi i Shqipërisë në BE. Sipas jush, mbi ç’baza jepen këto garanci?


Në filozofinë elektorale të Partisë Demokratike, prioriteti më madhor për katër vitet e ardhshme është Shqipëria Evropiane. Ky është slogan kryesor dhe natyrisht që i gjithë populli e beson këtë slogan, pasi që në themelimin e saj Partia Demokratike premtoi ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe me anëtarësimin në NATO është realizuar një pjesë e këtij premtimi dhe me siguri të plotë deri në vitin 2013 ne do të jemi plotësisht të gatshëm, me të gjitha standardet që të pranohemi në BE. Shqipëria Evropiane, ky është vokacioni ynë. Vokacion, siç tha edhe kryeministri, e ka origjinën që në themelimin e Partisë Demokratike. Vokacion që ka bashkuar të gjitha zemrat demokrate dhe u bë realitet me pranimin në NATO. Ne jemi në një tren që po udhëton drejt Evropës dhe me anëtarësimin në NATO, kemi kaluar kufirin e parë drejt BE. Në katër vitet e ardhshme, ne udhëtojmë drejt Brukselit. Ju me të drejtë theksuat se në programin e saj, PD, premton thellim të reformave dhe unë mund të shtoj se parlamenti, presidenca, sistemi gjyqësor, shëndetësia do t’i nënshtrohen reformave edhe më te thella dhe do të mundësojnë realizimin e premtimeve dhe zbatimin e të gjithë programit të PD. Lufta kundër korrupsionit gjithashtu nuk do të njohë kufij. U shpëtuan nga kthetrat e korrupsionit plot 4.2 miliard USD të cilat u kthyen në investime publike dhe rritje pagash e pensionesh. Reformat do të vazhdojnë dhe do të jenë tërësisht të realizueshme edhe gjatë mandatit të dytë. Reforma në arsim nuk do të ndalet. Reforma në rroga dhe pensione është zotimi solemn i kryeministrit Berisha, për katër vitet e ardhshme. Do të barazohen pensionet e fshatit me ato të qytetit. Ky është premtimi më i mirë që ne mund t’u bëjmë banorëve të zonave rurale. Rrogat po ashtu do të njohin rritje të reja katër vitet e ardhshme. Vitin e parë të mandatit të ardhshëm qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë në mbarë hapësirën e Bashkimit Evropian dhe për realizimin e këtij synimi qeveria shqiptare është drejt plotësimit të standardeve. Lufta kundër varfërisë mbetet po ashtu një tjetër prioritet për mandatin e ardhshëm. Nëpërmjet hapjes së 160 mijë vendeve të reja të punës dhe realizimit të nismës që të mos ketë qytetarë në vend me nën 2 USD në ditë, do t’i bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët të ndjehen të gatshëm për anëtarësimin në familjen e madhe evropiane. Këto janë premtime që na bëjnë të ndjehemi krenarë t’ua përcjellim qytetarëve gjatë takimeve elektorale. Programi ynë elektoral përmbledh çështje konkrete dhe tërësisht të realizueshme, pavarësisht nga propaganda famëkeqe e së majtës.



Partia Socialiste nga ana tjetër ka aktivizuar fushatën e saj me shpifje, trillime dhe me mohim të vazhdueshëm të progresit të Shqipërisë. Në këndvështrimin tuaj, cili pritet të jetë impakti i kësaj politike avangarde të Edi Ramës?


Është e vërtetë që Partia Socialiste në tërësi dhe Edi Rama e njëherazi edhe LSI kanë ingranuar prej kohësh fushatën e shpifjeve dhe trillimeve. Në radhë të parë unë do të përmendja sloganet e tyre. Jo vetëm që janë të pakuptueshme për elektoratin, por më duken edhe të dyshimta. Slogani p.sh, apo kënga e Edi Ramës “Çohu”. Nuk e di se çfarë nënkupton ai me këtë, ndoshta është mësuar me rebelime komuniste dhe po i bën thirrje elektoratit të çohet. Apo edhe slogani i LSI, “Koha për Veprim”, e cila sikundër e para, përsëri është e pakuptimtë, përpara sloganit madhështor të Partisë Demokratike, që jo vetëm nga fjalët, por edhe nga ngjyrat rrezaton optimizëm tek elektorati. E gjithë propaganda e së majtës është një propagandë për të cenuar imazhin e PD. Më kujtohet dita e inaugurimit të hapjes së tunelit, ku kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, me paturpësinë më të madhe, në vend që të ngrinte lart ditën e shënuar të lidhjes së kombit, përmendte paratë e shpenzuara në të. Kjo është shpifje, një xhelozi e tmerrshme, që përpara arritjeve të Partisë Demokratike, u shkon për shtat fjala e urtë popullore, që kërkojnë të mbulojnë “diellin me shoshë”.



Rama ka deklaruar se ka një program prej 1001 faqesh, ndërkohë asnjëherë s’ka bërë publike asgjë…?!


Asnjëherë nuk e ka bërë të ditur se nuk ka asgjë. Këtë kur e deklaron ish-kryetari i Partisë Socialiste, që tha se ishte një dosje me një mijë faqe, por që nuk kishte asgjë brenda, ne nuk mund të themi më shumë, përderisa injorimin më të madh i’a ka dhënë ish kryetari. E deklaroi publikisht se është një dosje me një mijë faqe, por nuk ka asgjë brenda. I gjithë programi i Edi Ramës është fallso, lojë fjalësh siç edhe e ka zakon. Ashtu siç mbulon me fasada ndërtesat e vjetra në Tiranë me piktura të Pikasos ashtu do edhe të mbulojë mangësitë problemet që ka programi i partisë së tij, me fjalë të bukura, por të pavlera.



Me afrimin e datës së zgjedhjeve, duket se po shfaqen incidentet e para. Mendoni se ngjarje të tilla janë të frustruara politikisht?


Që nga dita e parë kur unë kam dalë në takime me qytetarët, kam kërkuar një fushatë të ndershme dhe pa incidente, të cilat dëmtojnë shumë opinionin e Shqipërisë. Duhet të dimë se gjatë fushata elektorale Evropa na monitoron me përpikërinë më të madhe. Çdo lëvizje e gabuar, çdo incident na ul shumë pikë. Incidenti i Durrësit ishte shumë i rëndë. Asnjë njeri nuk dëshiron jo vetëm ta përjetojë por as ta dëgjojë. Porosia e kryeministrit kanë qenë që të gjithë të qëndrojmë larg incidenteve. Shqipëria nuk është më ajo e disa viteve më parë, por është Shqipëria e NATO-s dhe që synon të jetë shumë shpejt e BE. Incidente si ato të vendeve të lindjes, si p.sh; në Iran nuk janë aspak të denja për vend që aspiron drejt standardeve evropiane. Nuk do të doja kurrsesi se këto ngjarje janë të frustruara politikisht, por gjithsesi sloganet e Ramës, mund të ndikojnë militantë të papërgjegjshëm, për të shprehur agresivitetin në zgjedhje. Duhet ti tregojmë botës se jemi një komb i denjë dhe i qytetëruar për t’u pranuar në BE. Unë dua të bëj edhe një fakt publik. Dy ditë më parë nga rruga nacionale deri në qendër të Pezës kanë hequr të gjithë flamujt e PD-së dhe disa flamuj kombëtarë nga kryetari i Komunës Enver Dorëzi, nënkryetari Reshit Cullari, shoferi Harun Bulku, nëpunësi i komunës Ylli Karaj, polici i komunës Sali Bilali. Ky është një incident shumë i shëmtuar sepse në bazë të Kodit, komuna duhet të caktojë vendet për materialet elektoralë të partive. Jo vetëm që nuk e bëri, por ka hequr simbolet përfshi këtu edhe flamurin kombëtar. Kjo është bërë në mënyrë tërësisht demonstrative para kryetarit të PD-së së zonës Pëllumb Merepeza. Kjo ka ndodhur pikërisht në ditën kur në Durrës u përgjak një nga mbështetësit e PD-së, duke u përpjekur që të gjenerojnë një incident të ngjashëm edhe në Pezë. Ka qenë urtësia dhe kultura e kryetarit të PD-së Merepeza, që ka mënjanuar një incident të rëndë.



Mesazhi juaj, pse votuesit duhet të votojnë Partinë Demokratike? Cilat janë objektivat e mandatit të ardhshëm?


I bëj thirrje elektoratit të komunave Kashar, Vaqarr, Pezë dhe Ndroq dhe njëherazi të gjithë votuesve të Shqipërisë, të votojnë Partinë Demokratike, sepse është forca politike që në programin e saj objektiv më madhor ka Shqipërinë Evropiane. Është forca politike që do të vazhdojë ndërtimin e rrugëve në çdo fshat të Shqipërisë. Është forca politike që do të luftojë vazhdimisht korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo qelizë të tij. Partia Demokratike, është e gatshme të bëjë një reformë të thellë në të gjitha institucionet e vendit. Është forca politike që i garanton shqiptarëve ujë dhe drita 24 orë. Është forca politike që do të vazhdojë reformën në sektorin e arsimit. Është forca politike që do të reformojë pagat dhe pensionet. Është forca politike që do të dyfishojë buxhetin për shkollimin dhe trajnimin e të rinjve. Është forca politike që do të trefishojë investimet në fshatin shqiptar nga 1.6 miliard USD në 5 miliard USD. Është forca politike që do të shndërrojë Shqipërinë në superfuqi energjetike në Ballkan. Është forca politike që do t’u mundësojë shqiptarëve deri në fund të 2010-ës lëvizjen e lirë në mbarë Evropën. Dhe së fundi është e vetmja forcë politike që do të përgatisë Shqipërinë “nuse” , për ta anëtarësuar në 2013-ën në BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›