Forcat e Armatosura, përfundon stërvitja "Biza 2012"

Në Poligonin Kombëtar në Bizë është zhvilluar sot ceremonia e përfundimit me sukses të plotë të stërvitjes "Biza 2012". Qëllimi i kësaj stërvitje ishte përgatitja, kompaktësimi dhe certifikimi i nënreparteve të Forcave të Armatosura të deklaruara në "NATO Pool of Forces" (trupa në gatishmëri operacionale për NATO-n).
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Viktor Bërdo, si dhe gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura.
Pas pritjes me truproje nderi që iu bë ministrit Imami dhe gjeneralmajor Gjunkshit, komandanti i Batalionit II Këmbësorisë, nënkolonel Ardian Bali, mbajti një brifing nëpërmjet të cilit të pranishmit u njohën me skenarin e stërvitjes, qëllimin dhe objektivin e saj, forcat pjesëmarrëse, mbështetjen e procesit të vlerësimit për njësitë e deklaruara në grupimin "NATO Pool of Forces".
Gjatë brifingut u dha një panoramë e shkurtër për fazat e matricës së planëzimit dhe të realizimit të stërvitjes fushore, përgatitja e së cilës ka nisur që nga muaji maj i këtij viti me konferenca planëzuese, përnjohje e hartim dokumentacioni, deri në finalizimin e programit të stërvitjes.
Më tej, të pranishmit kanë ndjekur nga afër një seri demonstrimesh stërvitore të kryera nga trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje. Kështu nga trupat e Batalionit Komando të Forcave Tokësore u demonstruan operacione për pengim-vonimin; trupat e Batalionit Xhenier të Brigadës së Mbështetjes Rajonale demonstruan operacione humanitare për shuarjen e zjarreve dhe evitimin e pasojave në raste tërmetesh; nga efektivi i togës së EOD-së u kryen veprime për tregimin e pajisjeve dhe asgjësimin e municioneve të paplasura; po kështu një togë e policisë ushtarake demonstroi veprimet në pikë kontrolli dhe rrugëkalime; u realizuan operacione për evakuim shëndetësor; qitje me baterinë e mortajave 120 mm etj.
Pas përfundimit të demonstrimit, trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje të rreshtuara u përshëndetën nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami. "Duke ju falenderuar për këtë performancë të shkëlqyer që pamë këtu sot,- është shprehur z. Imami, - përtej kësaj, së pari dua tju falenderoj për të gjithë angazhimin tuaj në këtë stërvitje të madhe, e cila përbën ngjarjen më të rëndësishme për forcat tona gjatë këtij viti. Kjo stërvitje, kjo arritje, ky certifikim, ka vijuar më tej ministri Imami, është një bazë e mirë pune, e cila ka nisur që me objektivat e vitit 2010 për përgatitjen dhe certifikimin e grup-batalionit.
"E filluam me kompaktësimin e njësive më të vogla si kompania dhe kaluam këtu në përdorimin e Poligonit të Bizës, i cili nuk ishte përdorur prej vitesh për arsye të mungesës së kushteve. Ne menjëherë krijuam kushtet për të kryer këtë stërvitje që realizuat dhe që keni arritur të kompaktësoni një formacion fillestar, i cili më pas do të jetë grup-batalioni i FA Shqiptare, forcë e gatshme operacionale për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Përgatitja e këtij grup-batalioni është objektivi më i lartë, më afatëgjatë dhe më i vështirë i Forcave tona të Aramtosura, por ne nuk mund të presim derisa të na krijohen të gjitha kushtet për të vijuar më tej. Duhet të jemi ne ata që i krijojnë këto kushte dhe në radhë të parë janë burimet njerëzore, është ushtari ynë, nënoficeri ynë, oficeri ynë, të cilët, ashtu sikurse dëshmohet në misionet e shkëlqyera që FA tona bëjnë në operacionin ISAF, ky kapacitet mund të zhvillohet edhe më tej", ka theksuar ministri i Mbrojtjes.
Më tej ministri Imami ka shprehur mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të procesit stërvitor në FA me qëllim që ky nivel dhe kjo arritje të shërbejë si një bazë e fuqishme për të bërë të mundur që vitin tjetër të bëhet certifikimi i grup-batalionit. "Viti për ju nuk është vit kalendarik, siç është, bie fjala, për një financier, - i është drejtuar ai trupave ushtarake, - por për ju është një vit stërvitor dhe këtë stërvitje ju do ta vazhdoni deri në certifikimin e plotë vitin tjetër".
Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi në fjalën e tij e ka vlerësuar këtë ditë si një moment historik për FA Shqiptare, sepse pas një pune disa vjeçare me përkushtim dhe profesionalizëm të reparteve dhe nënreparteve të Forcës Tokësore, Brigadës së Mbështetjes Rajonale, Brigadës Llogjistike, Policisë Ushtarake, Forcave Ajrore etj, FA i shtohet një grupim "Pool of Forces", si aset në dispozicion të Aleancës. Duke folur për stërvitjen fushore "Biza 2012", gjeneralmajor Gjunkshi ka theksuar se, ajo është një tjetër risi e FA dhe falë profesionalizmit tuaj u kurorëzua me sukses.
"Biza, si kurrë më parë nuk ka qënë kaq e frekuentuar nga uniformat dhe strukturat ushtarake, të cilat janë përfshirë në një cikël trajnimi të mirëplanifikuar e gjithëvjetor. Asnjëherë më parë kontigjentet tona nuk kanë qënë shfaqur me këto përmasa pjesëmarrëse, mbi 800 ushtarakë, me këto skenare të integruar, me këtë dinamizëm dhe kohë-zgjatje. Unë shpreh vlerësimet më të mira që ju të rinjtë e të rejat ushtarakë, ju nënoficerë, oficerë dhe gjeneralë demonstruat atë që është në thelb të cilësisë së FA", është shprehur gjeneralmajor Gjunkshi.
Stërvitja "Biza 2012" ka filluar që me datë 25 gusht 2012 dhe u kurorëzua sot, duke realizuar me sukses të plotë objektivat e saj për përgatitjen, kompaktësimin dhe afirmimin e nënreparteve të Forcave tona të Armatosura të deklaruara në "NATO Pool of Forces". Stërvitja "Biza 2012" vlerësohet si stërvitja më e madhe për FA gjatë vitit 2012. Në këtë stërvitje morën pjesë rreth 870 trupa dhe 98 mjete të ndryshme transporti, nga të cilat mbi 700 ishin efektivë të Forcave Tokësore, ndërsa pjesa tjetër ishin trupa të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, Brigadës Logjistike, Policisë Ushtarake, ASNI etj. Vlerësimi dhe certifikimi i këtyre nënreparteve është bërë në dy faza nga një ekip vëzhguesish të NATO-s.
Gjatë fazës së parë është bërë inspektimi dhe vlerësimi në kazermë, ndërsa në fazën e dytë është bërë vlerësimi dhe testimi në terren, në Poligonin Kombëtar në Bizë. Ky poligon është përzgjedhur posaçërisht për këtë stërvitje sepse ofron sfidat e domosdoshme tëmotit dhe të terrenit për zhvillimin e një stërvitje të këtij lloji. Duhet theksuar se gjatë ditëve të zhvillimit të stërvitjes, trupat pjesëmarrëse manifestuan disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në kryerjen e detyrave të përcaktuar në programin e stërvitjes, duke arritur të gjitha nivelet dhe standardet e kërkuara nga NATO.
Ndërkaq, duhet nënvizuar se gjatë ditëve të stërvitjes intensive trupat ushtarake janë aktivizuar dhe kanë marrë pjesë edhe në një sërë operacionesh për emergjencat civile, duke i ardhur në ndihmë autoriteteve lokale për fikjen e zjarreve të rënë në pyjet e Parkut Kombëtar "Dajti", në malet e Bizës, në kodrat e Babrusë etj, çka ishte një tregues tjetër i nivelit të gatishmërisë dhe përgatitjes së lartë të këtyre njësive të Forcave të Armatosura.