Forcat e Gaddafit afër Bengazit
Forcat besnike të liderit të Libisë, Muammar Gaddafi, janë afër bazës së kryengritësve në qytetin Bengazi, në pjesën lindore të vendit.
Televizioni shtetëror raportoi se forcat qeveritare e kanë marrë kontrollin ndaj vendit Ajdabiyah, ndërsa së shpejti do të lëvizin drejtë Bengazit.
Gaddafi i ka dënuar kryengritësit duke i cilësuar si qenë, hipokritë dhe tradhtarë, gjatë një fjalimi në kryeqytetin Tripoli.
Në Kombet e Bashkuara po qarkullon propozim rezoluta për autorizimin e një zone të ndalim fluturimeve mbi Libinë.
Por, ministrat e jashtëm të grupit G-8, në takimin e tyre në Paris, kanë dështuar të pajtohen për të kërkuar që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, t’i mbrojë qytetet e Libisë nga bombardimet.
Muamar Gaddafi ka dënuar mbështetësit e planit për zonën e ndalim-fluturimit mbi vendin e tij dhe u kërkoi libianëve të marrin armët dhe të përgatiten për përballjen me një pushtim të fuqive perëndimore.
Duke iu adresuar mbështetësve të zgjedhur, Gaddafi i quajti kryengritësit “minj”dhe dënoi shtetet perëndimore. “Ata duan naftën libiane”, theksoi ai.
“Të sulmojnë Libinë?”, pyeti ai. “Ne do të jemi ata që do ju sulmojmë juve”, kërcënoi Gaddafi.