Forcat paqeruajtëse “Eagle 4”, nisen drejt Afganistanit

Një tjetër mision i forcave paqeruajtëse “Eagle 4″ është nisur sot në Afganistan. Ceremonia e përcjelljes të kontingjentit paqeruajtës është zhvilluar në Aeroportin Kombëtar “Nënë Tereza”, ndërsa në ceremoni kanë qënë të pranishëm Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, drejtori i përgjithshëm i policisë Hysni Burgaj dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu, si dhe shumë personalitete të tjera.
Ministri Imami, duke vlerësuar kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon, e ka quajtur këtë një moment të rëndësishëm reflektimi dhe respekti për të gjitha ato misione që e kanë kryer këtë detyrë më herët.
“Shqipëria është e vendosur për të kontribuar për sigurinë dhe paqen në botë dhe ne jemi te bindur se ju do te perfaqesoni me dinjitet flamurin tone” tha Imami.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i policisë Burgaj ka falenderuar efektivët dhe familjarët që i kanë mbështetur në këtë detyrë të vështirë.
“Jemi të bindur se ju do të jepni ndihmë e mbështetje në realizimin e përgjegjësive, do të transmetoni ciësitë dhe vlerat më të mira të policisë sone dhe kombit shqiptar, Rrugë të mbarë dhe suksese në punën tuaj të rëndësishme”- theksoi Burgaj.