E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytja e anijes në Durrës, vijojnë kërkimet për kapitenin

Kanë nisur sërish sot kërkimet për gjetjen e kapitetit të anijes "Edirne" u mbyt dje në detin Adriatik, 6 milje larg Portit të Durrësit. Anijet e marinës shqiptare kanë nisur kërkimet mëngjesin e sotëm për gjetjen e kapitenit të anijes Khayam Mamadoll 54 vjeç nga Azerbajxhani i cili rezulton i zhdukur që pas mbytjes në anijes.
 

Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e djeshme në Porto Romano ku një anije çisternë ka marrë flakë dhe vetëm 60 minuta më pas është mbytur. Anija çisternë "Edirne" me flamur të Sierra Leones, me 15 anëtarë në bord është mbytur 6 milje larg Portit të Durrësit ndërsa ekuipazhi i saj përbëhej nga shtetas gjeorgjanë, ukrainas dhe nga Azerbaxhani.
 

Si pasojë e mbytjes së anijes kanë humbur jetën dy prej pjesëtarëve të ekuipazhit, rezulton i zhdukur kapiteni i anijes, ndërsa 12 pjesëtarët e tjerë janë evakuuar.  Dymbëdhjetë pjesëtarët e shpëtuar të ekuipazhit të anijes "Edirne" ndodhen në spitalin rajonal të Durrësit ku po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dëshmive të tyre kapiteni i cili deri në këto moment rezulton i zhdukur nuk ka pranuar të zbresë nga anija me varkat e shpëtimit deri në momentin e fundit kur ka ndodhur edhe mbytja.

Anija çisternë ka shkarkuar 3 ditë më parë një ngarkesë prej 3500 tonë karburant dhe ishte duke u larguar nga vendi ynë kur papritur ka marrë flakë si pasojë e një shpërthimi brenda saj dhe më pas është fundosur e tëra.
 

Dyshohet se shkak për fundojen e anijes është bërë shpërthimi i gazit brenda anijes çisternë në momentin kur pjesëtarë të ekuipazhit ishin duke pastruar tankerat, të cilat shërbejnë për të mbajtur karburantin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›