Rama-Motta: Bashkëpunim kundër trafikut Shqipëri-Leçe
Prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka vlerësuar bashkëpunimin me prokurorinë e drejtorisë antimafia të Leçes, në luftën kundër trafiqeve, kryesisht të narkotikëve. Në një konferencë të përbashkët me Prokurorin e Drejtorisë Rajonale Antimafia të Leçes, Cataldo Motta, kryeprokurorja Rama ka theksuar se kontakti i vazhdueshëm me prokurorët e Guardia di Fiananzës ka çuar edhe në reduktimin e trafikut të lëndëve narkotike.
“Leçe dhe Shqipëria janë shumë afër është e lehtë të kalosh kufirin. Janë bërë progrese dhe është kufizuar trafiku, por ai ngelet ende problem. Ndaj edhe lufta duhet të zhvillohet mes autoriteteve të ligjit të shumë vendeve”- theksoi Ina Rama.
Edhe Prokurori i Drejtësisë Antimafia i Leçes, Motta e ka cilësuar si të rëndësishëm bashkëpunim me vendin tonë në luftën kundër trafiqeve, kryesisht të narkotikëve ndërsa ka vlerësuar punën e bërë dhe mbështetjen e dhënë nga Shqipëria në këtë drejtim.
“Kam 40 vjet që e bëj këtë punë dhe nuk kam parë asnjëherë këtë nivel të lartë si e kemi tani me Shqipërinë, merita nuk është e imja por e prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë”- tha Catalto Motta.
Ai ka kujtuar operacionin e një viti më parë, në kuadër të të cilit u ekzekutuan disa urdhër arreste në Itali e Shqipëri. “Niveli i luftës ndaj trafikut narkotik është shumë i lartë dhe duket edhe në Itali ndihma që na jep Shqipëria. Po punojmë shumë mirë në dy vendet, mbi bazën e informacioneve që marrim nga gjyqësori shqiptar. Nëse nuk do arrinim këtë nivel bashkëpunimi gjërat do kishin shkuar më keq dhe trafikantët do të kishin fituar” shtoi Motta.
I pyetur në lidhje me rrugët e trafikut të narkotikëve, Prokurori i Drejtësisë Antimafia i Leçes, Motta ka theksuar se këto rrugë tashmë kanë ndryshuar. Rrugët e trafikut të narkotikëve kanë ndryshuar. Në fillim të viteve 90 lënda narkotike bëhej nga emigrantët të cilët e tranportonin atë me çanta, por u mbyll ky lloj trafiku pasi në Shqipëri u anuluan mjetet e lundrimit për imbarkime të vogla dhe nga përgjimet kemi vënë re që ka pasur vështirësi për gjetjen e mjeteve për trafikimin e narkotikëve” ka shtuar Motta.