“Forcat politike të kontrollojnë deklaratat, Shqipëria duhet të vijojë rrugëtimin evropian”

Franko Fratini, ministri i Jashtëm i Italisë
“Palëve politike që marrin pjesë në garën elektorale i rekomandojmë maturi në deklaratat dhe në veprimet që instrumentojnë”. Kjo është deklarata e kryediplomatit italian, Franco Frattini, i cili ka përcjellë një reagim zyrtar mbi zgjedhjet administrative shqiptare dhe zhvillimet pas tyre. Ministri i Jashtëm, Fratini, në prononcimin e tij të posaçëm thotë se qeveria italiane ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, duke marre pjese në mënyrë aktive në misionin monitorues ndërkombëtar.
Ai konstaton se ngjarjet e këtyre ditëve ne te cilat jemi dëshmitarë na çojnë të shpresojmë se organet shtetërore përgjegjëse për kryerjen e duhur të procesit zgjedhor te zhvillojnë detyrën e tyre me efikasitet dhe paanshmëri.
Ndaj Fratini thotë më tej se, “palëve politike që marrin pjesë në garën elektorale i rekomandojmë maturi në deklaratat dhe në veprimet. Duhet që të gjithë të angazhohen me qëllim që siguria e publikut në territorin shqiptar të jetë e respektuar dhe e garantuar”. Në vijim, ai deklaroi se, Italia gjithmonë ka mbështetur procesin politik demokratik që ka çuar Shqipërinë për të ndërmarrë rrugën e vet të integrimit evropian, ndërsa pak dite me pare festuam përvjetorin e dytë të hyrjes së Tiranës në NATO.
Ministri i Jashtëm Fratini duke mbyllur deklaratën e tij, shpreson që “në interes të vetë vendit, Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Europës, duke treguar përgjegjësi dhe të pjekuri politike”.