Brukseli: KQZ të lihet të ushtrojë kompetencat e tij

Presidenti Barroso shtyn vizitën për shkak të situatës postzgjedhore, por zëdhënësja e tij si dhe zëdhënësja e komisionarit Fyle bënë thirrje për respektimin e procesit ligjor dhe lejimin e KQZ-së që të ushtrojë kompetencat që i lejon kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor
Bashkimi Evropian i apelon forcave politike në Shqipëri që të lejojnë institucionin, i cili administron Zgjedhjet (KQZ-në), të ushtrojë kompetencat e saj zbatimin e ligjit elektoral. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, është shprehur dje se procesi i administrimit të zgjedhjeve po kryhet sipas ligjeve të shtetit shqiptar dhe se palët politike duhet të tregojnë vetëpërmbajtje.
Zëdhënësja Natasha Butler përsëriti dhe njëherë se KQZ është institucioni përkatës që garanton transparencën e procesit elektoral dhe si e tillë duhet lejuar të kryejë punën që i ngarkon ligji. “Ky institucion, ka një rol kyç për të garantuar transparencën e procesit elektoral ndaj mendoj se duhet të lemë KQZ-në që të kryejë rolin e tij, sepse duhet të përmbushë mandatin e vet. Është shumë e rëndësishme për procesin zgjedhor që KQZ të përfundojë punën sa më shpejt të jetë e mundur. KQZ ka një rol qendror për respektimin e të gjitha rregullave dhe kryerjen e transparencës së procesit zgjedhor. Duhet që të lemë KQZ-në, që të kryejë funksionin e tij, është e rëndësishme që procesi të kryhet dhe më pas të shohim rezultatet”, u shpreh Natasha Butler, zëdhënësja e komisionarit Stefan Fule.
Barroso: Në Shqipëri, në një moment tjetër
Presidenti i Komisionit Europian anulon vizitën e parashikuar për nesër në Tiranë. Barroso do të shoqërohej nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.
E ndërsa ata vazhdojnë turin ballkanik, zëdhënësja e Komisionit Europian, Hansen deklaroi se shkak për shtyrjen e vizitës është tensioni i krijuar në vend për numërimin e votave.
Sipas saj, takimet nuk do ishin produktive në këtë situatë. “Presidenti Barroso vendosi të shtyjë vizitën e tij në Shqipëri, të parashikuar për 20 Maj. Qëllimi i këtij udhëtimi, siç është shpjeguar edhe gjatë këtyre ditëve, ishte për të disktuar perspektivën e Shqipërisë, si dhe rrugën e duhur drejt integrimit, veçanërisht zbatimin e 12 kritereve kyçe të paraqitura nga Komisioni në raportin e progresit të vitit 2010. Por, tensionet që burojnë nga vazhdimi i numërimit të votave do t’i dëmtonin pa dyshim bisedat e presidentit Barroso me udhëheqësit politikë të vendit, gjendje e cila sipas nesh nuk do të çonte në takime produktive. Ky është konteksti prej të cilit buron shtyrja e udhëtimit dhe besoj që keni parë dhe deklaratën e zëvendëspresidentes Ashton. Ndërkohë, pjesa tjetër e udhëtimit do të vazhdojë sipas kalendarit”, tha zëdhënësja Pia Ahrenkilde Hansen.