“Policia do zbatojë ligjin në garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve”

Ministri Bujar Nishani, viziton policët që ruajnë KQZ-në
Pas përfundimit të protestës së përfaqësuesve të Partisë Socialiste jashtë ambienteve të KQZ-së, ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka shkuar atje të vizitojë policët që për orë të tëra qëndruan në krye të detyrës, duke zmbrapsur protestuesit e irrituar.
Ministri Nishani ka qëndruar jashtë ambienteve të KQZ-së dhe ka qenë i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Ndërkohë më herët, në ditën e dytë të protestës së simpatizantëve të Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, siguroi se ligji do të respektohet në çdo aspekt të tij, por në të njëjtën kohë duke ruajtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve. “Sot Shqipëria ka të gjitha institucionet e saj të konsoliduara në zbatim të ligjit të cilat kanë të gjitha aftësitë profesionale dhe logjistike për të përmbushur misionet e tyre në rastin e garantimit të rendit dhe qetësisë publike dhe mbi të gjitha të sigurisë, jo vetëm të institucioneve që janë shumë të rëndësishme, por të çdo qytetari të thjeshtë kudo që ai është”, tha Nishani.
Kreu i Ministrisë së Brendshme tha se Shqipëria i ka të gjitha institucionet funksionale për ta zbatuar ligjin ndërsa shtoi se Policia e Shtetit do të siguroje zbatimin e tij në protestën para ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Policia e shtetit ashtu siç ka vepruar deri më sot do vazhdojë të përmbushë mision e saj, do vazhdojë të përmbushë detyrën e saj përballë ligjit, por mbi të gjitha përballë asaj që qytetarët, taksapaguesit shqiptarë kërkojnë dhe e ngarkojnë policinë e shtetit për të garantuar rendin, qetësinë publike, jetën dhe sigurinë e tyre”, tha Nishani.
Deklaratat e Nishanit erdhën pas projektit të organizuar nga PAMECA, ambasada Britanike dhe ministria e Arsimit për emancipimin e qytetarëve dhe fëmijëve mbi rregullat e qarkullimit rrugor.