E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe presidenti Bamir Topi, hedh votën për kryebashkiak në kutinë e gabuar

20-05-2011 / Gazeta 55

Pamjet filmike të shkëputura nga ABC NEËS, faktojnë se kreu i shtetit gabimisht ose i keq orientuar nga komisioneri pranë kutive të votimit, lëshon votën për kryetarin e bashkisë, në kutinë e kreut të njësisë bashkiake

Mes zgjedhësve të kryeqytetit që votuan në mënyrë të rregullt në fletën e votimit të miratuar, nga KQZ, por e hedhur aksidentalisht në kuti tjetër, është edhe ajo e presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kryetar bashkie.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej dy ditësh po numëron të gjitha ato fletë të rregullta votimi, të kontestuara për shkak të gjetjes së tyre jo në kutinë e caktuar. Mes këtyre qytetarëve, vota e të cilëve rrezikonte të mos numërohej për një gabim aksidental, e që në disa raste nuk përjashtohet të ketë qenë dhe i orientuar është si i barabarte mes të barabartëve dhe presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Kreu i shtetit, kësaj here edhe i paorientuar nga personi i caktuar pranë katër kutive të votimit për të ndihmuar zgjedhësit, ka hedhur votën e tij me shirit të verdhë për kryetar të bashkisë së Tiranës, në kutinë për kreun e njësisë bashkiake, lehtësisht e verifikueshme kjo nga pamjet e transmetuara ‘live’ ditën e zgjedhjeve nga qendra e votimit në shkollën 9-vjeçare “Servet Maçi” në njësinë bashkiake nr. 9. A do të ndihej keq numri 1 i shtetit nëse vota e tij nuk do të numërohej, sepse aksidentalisht e hodhi në një kuti tjetër? Nëse, siç forca kryesore në opozitë ka kërkuar me insistim mos-numërimin e këtyre votave, për shkak se nuk donin të rrezikonin avantazhin minimal prej 10 votash të kryebashkiakut aktual Edi Rama, fatin e votës së shumë zgjedhësve shqiptar do ta kishte dhe ajo e zotit Topi.
Akti normativ, i refuzuar nga opozita po i miratuar nga mazhoranca, në linjën e saj  ka theksuar që nga dita e zgjedhjeve se çdo votë e hedhur duhet të numërohet. Ky akt  i ka hapur kështu dritën jeshile numërimit të votave të rregullta të kontestuara vetëm se gjatë numërimit nuk gjenden në kutinë e duhur, dhe kur gabon presidenti i Republikës, kush përjashton mundësinë e përsëritjes së këtyre gabimeve njerëzore edhe nga zgjedhës të tjerë që kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese të votës, në një gare që në memorien e qytetarëve të Tiranës do të mbetet historike, e pashlyeshme.
Përfundimisht, këto fletë të izoluara në zarfe të mbyllura, tashme po numërohen, ndër të cilat edhe vota e presidentit Topi, hedhur në njësinë bashkiake nr. 9 për të mbetur dhe ky një numërim historik i çdo vote të rregullt të qytetarëve të Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›