“Pse ka frikë Edi Rama, nga numërimi i çdo vote?”

PD, Jorida Tabaku
Jorida Tabaku, kandidate e parë e Këshillit Bashkiak të Tiranës, i ka bërë thirrje dje kandidatit socialist për bashkinë e Tiranës, Edi Ramës që të respektojë vullnetin e qytetarëve si dhe të lerë pas interesat e tij personale. Përmes një komunikimi me mediat, Tabaku i përcolli një mesazh kandidatit socialist Edi Rama.
“Është bërë e qartë sot nga veprimet e Edi Ramës se nëse të gjitha votat numërohen sipas një procesi të ligjshëm, ai do të kërkojë revoltë. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se nëse të gjitha votat numërohen sipas një procesi të ligjshëm ai nuk fiton”, kështu është shprehur Tabaku gjatë kësaj deklarate për mediat drejtuar kandidatit socialist Ramës.
Ajo ka theksuar më tej se është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës, se duke bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ai në mënyrë të dëshpëruar kërkon të anashkalojë procesin e ligjshëm për përfitimet e tij personale. Pse ka Edi Rama frikë nga numërimi i çdo vote?
Ndër të tjera, Tabaku nënvizoi se me veprimet e tij Rama kërkon të mbysë zërat e qytetarëve pasi nuk i pëlqeu ajo që ato thanë.
“Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se ai është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm e vetëm për të ruajtur karrigen. Është bërë e qartë se të gjithë qytetarët janë të lodhur nga veprimet e Edi Ramës dhe janë të gatshëm të shkojnë përtej luftërave politike”, u shpreh në përfundim të kësaj deklarate , kandidatja e parë e këshillit Bashkiak të Tiranës, Tabaku.