Forcimi i dollarit shton barrën e borxhit publik
Leku shqiptar është nënçmuar me 20 për qind ndaj dollarit amerikan që nga fillimi i këtij viti, një fenomen ky që varet nga tregu ndërkombëtar, por që mund të rëndojë më tej barrën e borxhit te financat publike të vendit. Dollari kushtonte vetëm 95 lekë në janar të këtij viti, ndërsa gjatë ditëve të fundit kushton më shumë se 112 lekë. Në të njëjtën kohë, leku ka fituar vetëm 1 për qind në kuotimin e vet ndaj euros.
Shqipëria ka rreth 1.7 miliardë dollarë borxhe të tërhequra në këtë monedhë nga institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore. Këto borxhe janë të barabarta me afërsisht 15 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por forcimi i dollarit kundrejt lekut shton matematikisht peshën e këtij borxhi mbi ekonominë shqiptare, pasi të ardhurat e qeverisë janë në lekë, ndërsa interesat dhe principali i këtyre borxheve shlyhen në dollarë amerikanë. Forcimi i dollarit me 20 për qind bën që në fund të vitit, barra e borxhit publik mbi ekonominë të rritet me një shumë të barabartë prej 1-2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. I njëjti fenomen ndodhi vitin e kaluar, kur borxhi publik u rrit nga 54.8 për qind e PBB-së në 59.7 për qind. Një pjesë e rritjes nuk qe si pasojë e marrjes së borxheve të reja nga qeveria, por si pasojë e zhvlerësimit të lekut kundrejt euros. Pavarësisht se kush qe shkaku i rritjes, financat publike janë ato që do ta paguajnë koston shtesë. Borxhi publik shqiptar mund të rritet nga 60 për qind që qe në fillim të vitit në 63-65 për qind në fund të vitit si pasojë e kombinimit të nënçmimit të lekut dhe huamarrjes së re nga qeveria. Institucionet financiare ndërkombëtare vlerësojnë se borxhi publik në masën 40 për qind të PBB-së është në nivelin më të mirë të mundshëm. Kur shkon në 50 për qind, bëhet shqetësues, ndërsa mbi 60 për qind konsiderohet i rrezikshëm. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria do të përballet me krizë së shpejti, por është e sigurt se sa më shumë shtohet borxhi, aq më shumë shtohet probabiliteti i krizës.
#