E Diel, 1 Nëntor 2026

Piramida e dy kosovarëve, ngrijnë 300 mijë euro

Bllokohen llogaritë e të arrestuarve Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli

Nga hetimet për skemën piramidale për të cilën u arrestuan dy shtetas nga Kosova, janë identifikuar disa llogari bankare që arrijnë në vlerën 300 mijë euro. Këto llogari janë ngrirë, ndërkohë që po punohet në bashkëpunim edhe me tri shtete të tjera për të dokumentuar tërësisht këtë veprimtari kriminale dhe për të goditur gjithë grupin. Në Tiranë kjo qendër është shpërndarë, megjithëse disa prej aktivistëve të tyre vazhdojnë veprimtarinë në mënyrë sporadike në Maqedoni.

Grupi i punës bëri të ditur se hetimet për dy firmat, me qendër në Maqedoni, vijojnë dhe në të ardhmen do të ketë arrestime të reja. Gjatë hetimeve ka qenë i vështirë identifikimi i llogarive bankare të përdorura prej tyre, por në bashkëpunim me Ministrinë e Financës ato llogari janë identifikuar dhe tashmë janë “ngrirë” për shkak të hetimeve që po kryhen ndaj dy të arrestuarve nga Kosova, konkretisht Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli. Sipas të dhënave, skema piramidale e ngritur nga dy shtetasit kosovarë dhe nga një i tretë shqiptar i shpallur në kërkim, do të hetohet nga të paktën katër shtete. Drejtësia shqiptare ka finalizuar operacionin “Rruga pa sukses”, duke vënë në pranga Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin, ndërsa Maqedonia dhe Kosova pritet të fillojnë hetimet pas bashkërendimit të informacioneve me njësinë antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme. Në shtetin e Qipros është dërguar një letërporosi për të marrë informacione rreth kompanive të regjistruara në këtë vend.

Megjithatë, tashmë është mësuar nga të dhënat e mbledhura prej grupit hetimor se aktiviteti është ndërprerë përkohësisht, ndërkohë që paguesve pranë këtyre dy firmave nuk u janë dhënë paratë. Një pjesë e tyre vazhdojnë takimet dhe “trajnimet” në Maqedoni, ndërkohë që pjesa tjetër është “divorcuar” nga grupi, duke quajtur të humbura paratë e investuara. Krahas dy personave të arrestuar, policia dhe prokuroria po bashkëpunojnë për vënien para përgjegjësisë ligjore të disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se e organizonin këtë skemë mashtrimi në Shqipëri. Në kërkim është shpallur një i tretë, ndërsa mund të hetohen në gjendje të lirë edhe dhjetëra persona që kanë “mashtruar” shokët e kolegët, duke u premtuar të derdhnin 2290 euro për t’u pasuruar pa punuar. Organizatorët e këtij grupi kanë mashtruar rreth 420 qytetarë shqiptarë, duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit.

Policia e Tiranës tha në fillim të majit, kur kreu arrestimet, se Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Këtë aktivitet të paligjshëm, këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, me seli në Shkup, Maqedoni. Prokuroria urdhëroi arrestimin e Kyçykut dhe Haxhiollit para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Agjentë të policisë i vëzhgonin prej disa muajsh të dyshuarit me të gjitha metodat speciale të hetimit. “Rruga kah suksesit” quhej libri që merrnin në përdorim anëtarët e kësaj skeme piramidale, ndërkohë që operacioni u cilësua “Rruga pa sukses”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›