E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i euros nëpërmjet dobësimit të saj

19-07-2012 / Nga Ilirian Dahri

“Italia dhe Spanja kanë kryer hapa të rëndësishëm sidomos në rregullimin e llogarive dhe të reformave ekonomike” - ka deklaruar nga Washingtoni krye ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Olivier Blanchard. Në fakt, pasi kanë siguruar tashmë  bankat të cilat po shkonin drejt falimentimit, në Spanjë kanë filluar të angazhohen edhe më shumë pas (katër) reformave që ka kryer në shtatë muaj kryeministri konservator Mariano Rajoy. Sidoqotë sipas parashikimeve të kryera nga Fondi Monetar Ndërkombëtar përgjatë vitit 2012, ekonomia spanjolle do të jetë në recesion ndërsa në vitin 2013 do të ketë një ulje me 0,6% të Gdp. Natyrisht parashikimet e qeverisë spanjolle kanë qenë tërësisht të ndryshme. Sipas ekspertëve të Fondit monetar ndërkombëtar, Spanja do të ketë si pikën e saj më kritike fundin e vitit tjetër dhe fill pas saj do të duken shenjat e rritjes ekonomike. Sidoqoftë masat e marra nga qeveria spanjolle do të kenë një impakt negativ në bilancin publik. Sipas Fondit monetar ndërkombëtar, pa manovrën që kap shifrën e 65 miliardë eurove, të deklaruara nga qeveria spanjolle që prej javës së shkuar, borxhi spanjoll do të mbetet në 8% të Gdp, për vitin 2012, për të zbritur në 6,1% në vitin 2013, dhe kjo do të shkonte sipas programeve që janë caktuar tashmë me Brukselin. Sidoqoftë në mbledhjen e Eurogrupit që do të zhvillohet të enjten me siguri do të flitet e diskutohet për planin e shpëtimit të bankave spanjolle. Nga ana tjetër duhet të mbyllet të paktën faza më e mprehtë e krizës të sistemit financiar spanjoll dhe 100 miliardë eurot e garantuara nga Bashkimi Europian do të lejonin Madridin që të rikapitalizonte arkat e kursimit që ndodhen më në vështirësi duke filluar që nga Bankia. Flitet ndërkaq se Rajoy edhe pse ka një mbështetje në Parlament ka kërkuar që Spanja të jetë e monitoruar. Në fakt Brukseli do të jetë i kujdesshëm jo vetëm me reformat e bankave por do të kërkojë nga Madridi respektimin e marrëveshjeve për borxhin të cilat kanë qenë të rishikuara  këtë vit plot dy herë. «Ka një lidhje të ngushtë mes ekuilibrave makroekonomikë, ato të financës publike dhe të sektorit financiar», këtë do të firmosë Spanja në memorandumin  me 16 vendet e tjera të zonës euro. Ndërkaq në marrëveshje me rekomandimet që ndodhen në procedurën për borxhin e lartë, Spanja angazhohet të rregullojë situatën e tanishme të defiçitit brenda vitit 2014, dhe autoritetet spanjolle të angazhohen për të realizuar reformat strukturore të nisura tashmë sidomos në tregun e punës dhe në liberalizimet. Ndërkaq duhen zgjidhje të shpejta jo vetëm për Spanjën por edhe për vendet e tjera europiane që ndodhen në vështirësi. Nuk ka më kohë, kanë lënë të kuptohet investitorët. Pritet një angazhim më i madh nga vendet europiane sepse edhe ministrat e ekonomisë ndoshta nuk do të arrijnë të gjejnë një marrëveshje. Ka shtete si Finlanda të cilat kërkojnë garanci dhe kjo mund të sjellë shkatërrimin e sistemit të ndihmave. Madje shtete si Gjermania mund të humbasin statusin e kreditorit të privilegjuar. Mes shumë rrugëve dhe ideve për daljen nga kriza po mendohet që motori kryesor i zhvlerësimit të euros është pikërisht politika monetare ekspansive që tregu do të ndihmonte  dhe do të mbështeste. Zhvlerësimi do të ndihmonte eksportet, duke rritur në të njëjtën kohë vlerën e aseteve të bankave. «Vetëm një euro më e dobët mund të shpëtojë euron» - shpjegon eksperti David Voo. Pra një zhvlerësim sidomos përkundrejt dollarit. Ndoshta Banka Qëndrore Europiane mund të shfrytëzonte edhe këtë hapësirë. Duke luajtur me këmbimin që gjithsesi për një bankë qëndrore është një lojë shumë e rrezikshme. Ndoshta një zhvlerësim i euros mund të nxisë investitorët e jashtëm të Bashkimit Europian për të kërkuar një rendiment më të madh për të kompensuar rënien e euros. Sidoqoftë Banka Qëndrore Europiane mund të menaxhojë politikën monetare duke lejuar pastaj që tregjet të bëjnë pjesën tjetër. Sidoqoftë duhet ndërhyrë shpejt sepse disa prej vendeve të Bashkimit Europian ndodhen me të vërtetë në një situatë të vështirë. “Ndodhemi përgjatë një rrugëtimi lufte” – ka deklaruar presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. Në të njëjtën kohë ka lot dhe gjak që peshon mbi familjet dhe firmat italiane. Ndërkaq nga Ministri Grili vjen një mesazh: “Jemi duke bërë të gjithë atë që mundemi për të përballuar situatën emergjente. Nuk ka vend tjetër, në Europë që në tetë muaj të ketë kryer kaq mirë manovrat dhe reformat strukturore. Por problemet e vërteta nuk janë këtu, por tek Europa”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›