Rama, me qëndrimin ndaj “imunitetit”, dëshmohet si avokat i korrupsionit
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha përsëriti dje apelin ndaj kreut të PS-së, duke i kujtuar 6 gushtin si afatin përfundimtar të shprehjes së vullnetit “pro” kufizimit të imunitetit për zyrtarët e lartë. Vota “kundër” do të thotë përpjekje për të mbajtur peng integrimin dhe një politikë kundër aspiratës së shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha i drejtoi dje një tjetër apel Edi Ramës, që të reflektojë deri në datën 6 gusht dhe të votojë draftin e mazhorancës për heqjen e imunitetit. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri ftoi opozitën dhe z. Rama të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive që duhet të ketë çdo drejtues në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit, pasi mos-votimi i këtij ligji është në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vendi. “Shfrytëzoj rastin të ftoj opozitën, të ftoj zotin Rama të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive që duhet të ketë çdo drejtues në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit për të votuar një ligj që u hartua nga ekspertët më të mirë të doktrinës së imunitetit, qoftë për parlamentin dhe qeverinë, qoftë dhe për drejtësinë.
Unë mendoj se për një drejtues nuk mund të ketë kurrë një pengesë që të mos votojë një akt të tillë me të cilin ai u thotë qytetarëve se ne do të jemi si ju, ne do të kemi të barabarta para ligjit. Aq më tepër kur një nismë e tillë në parlamentin shqiptar është që nga 2003 dhe kjo duhet të theksoj se në çdo rast cilado që ka qenë ajo është mbështetur nga PD, dikur në opozitë dhe më pas në pushtet dhe mbështetet tani nga kjo maxhorancë. Në çdo rast për fat të keq është kundërshtuar nga Partia Socialiste.
Por unë mendoj se është një mijë herë më mirë të dëgjosh zërin e një qytetari të papunë që sot nuk e di se çfarë do tu japë fëmijëve të tij se korrupsioni ua merr atyre kafshatën nga goja; të dëgjosh më mirë një nënë që ka humbur bashkëshortin dhe rrit dy fëmijë jetim sepse korrupsioni pengon që fëmijët e saj të kenë një trajtim më dinjitoz dhe më të mirë. Unë mendoj se është më mirë të dëgjosh zërin e atij pensionisti që qan pa lot, çdo ditë sepse ka dhimbje në përballimin e jetës së përditshme me pensionin që merr dhe kjo sepse korrupsioni dhe imuniteti e pengojnë që të marrë më shumë. Unë nuk mund të gjej kurrë një motiv për të penguar heqjen e tij. I bëj thirrje dhe njëherë zotit Rama ta mendoje dhe ta rimendojë më mirë këtë gjë se kjo që bën është tmerrësisht e rëndë dhe në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vendi. Unë uroj që data 6 ta frymëzojë, uroj që të mendojë për të gjithë ata qytetarë që sot janë të papunë dhe që me heqjen e imuniteteve, me një shoqëri më transparente nxitet më shumë punësimi në tërësi, nxitet më shumë dhe shoqëria bëhet më e drejtë, të drejtat e e njeriut bëhen më të garantuara”- u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë tha se opozita po mban peng imunitetin për interesa të një grupi miliarderësh në Partinë Socialiste. “Në qoftë se ka një gjë që s’mund të ketë asnjë lloj kushti, është zhveshja pa kushte ndaj imunitetit. Asgjë nuk qëndron në analizën e tij. A nuk patën ata një prokurori, e cila botonte çdo ditë gjithçka nga dosjet për të ndihmuar ata? Kjo e pengoi për të hequr imunitetin? Jo nuk e pengoi. Janë interesa të ngushta të një grupi, absolutisht ato të grupit të miliarderëve, i cili dikton gjithçka në atë parti. Ato janë gati të lëshojnë pallate të tëra, por të mos lëshojnë imunitetin, por këtu është detyra e drejtuesit, i cili merr për bazë në çdo rast interesat e qytetarëve. Nuk kam asgjë personale me asnjërin prej tyre, por fakti që e marrin peng imunitetin e vendit përbën një problem shumë serioz. Megjithatë unë uroj që deri në datën 6 të arrihet të studiohen më me vëmendje ato ligje. Nuk shkon kjo që të thuash, këtu është Evropa, këtu kam Xhafën unë. Dakord e ke Xhafën dhe ai është jurist, por edhe ne kemi juristët tanë, nuk u ndryshua asgjë, i prumë siç i sollën. Edhe Xhafa dhe të gjithë juristët e parlamentit kanë një detyrë ti mbështesin ato”- tha më tej ai.