E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i shtetit të Kosovës ndihmon të gjithë shqiptarët

Në Gllogjan të Deçanit është mbajtur manifestimi qendror i “Epopesë së Dukagjinit”, ku u tha se në këtë ditë lavdie jemi të obliguar ta ruajmë dhe stërndërtojmë amanetin e të rënëve për liri, e njëkohësisht të marrim pastërtinë e veprës së tyre në mënyrë që të vazhdojmë punën në forcimin e lirisë dhe shtetit të Kosovës.

Komandanti i ish Zonës Operative të Dukagjinit dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se në këtë vend është një pjesë e madhe e historisë e të gjitha gjeneratave që kanë bërë shumë për këtë vend dhe së pari duhet që ata t’i nderojmë.

“Në rast se shërbehemi me pastërti të veprës tonë të kaluar me siguri që do ta dimë si të veprojmë në të ardhmen. Ne do të punojmë në forcimin e lirisë dhe shtetit të Kosovës dhe ky forcim do të ndihmon gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Haradinaj.

Kurse, Steven Shuck kërkoi që të ndalemi për një sekondë dhe të mendojmë për ata që bënë sakrificën dhe pavarësinë që gëzojmë sepse djemtë dhe vajzat e UÇK-së ranë për lirinë e Kosovës.

"Lufta që bëri UÇK ishte e ligjshme, e drejt, e moralshme për të mbrojtur familjet e veta dhe pavarësinë që sot po e shijoni të gjithë dhe është koha që të kujtojmë rolin që kishte NATO për të iu ndihmuar për pavarësinë tuja”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj ka thënë se sot kur kanë kaluar 15 vjet populli ynë përulet përpara dëshmorëve dhe janë mirënjohës Aleancës Ndërkombëtare.

“Sot në këtë ditë lavdie jemi të obliguar ta ruajmë dhe stërndërtojmë amanetin e të rënëve për liri”, ka thënë ai.

E në emër të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, Avdyl Mushkolaj tha se sot këtu në Gllogjan, në vendin e bashkimit të zërit të atdheut frymëzohemi për të ardhmen.

Ky manifestim është organizuar për nderë të 15 vjetorit të fillimit të luftës frontale në Dukagjin dhe njëkohësisht 14 vjetorit të intervenimit të NATO-së mbi caqet serbe në Kosovë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›